Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Bashkimi dhe pajtimi i PD, më i vështirë se Rithemelimi

4 Prill 2022, 15:20| Përditesimi: 4 Prill 2022, 15:22

  • Share

Sali Berisha ka ulur tonet. Jo vetëm ndaj Lulzim Bashës, por çdo kujt ndaj atyre që e përjashtuan nga grupi parlamentar dhe nga partia që e themeloi 32 vjet më parë dhe e drejtoi zyrtarisht dhe jo zyrtarisht. Dikur Lulzim Bashën e etiketonte uzurpator, Lul brava, peng Basha, Lul hajnia, Lul tradhëtia dhe me akuza të rënda se ka shitur opozitën dhe ka bërë marrëveshje me Edi Ramën. Nuk e kurseu dhe lëshoi akuza deri penale ndaj tij kur në një nga “Foltoret” tha:

“Lulzim Basha është i marr peng me një dosje për larje parash në SHBA dhe Tiranë. Ai firmosi që për të mos shkuar në burg, do të largonte Sali Berishën nga politika. Kjo është e vërteta”.

Por në kulmin e aksionit linçues dy deklarata politike të Berishës në adresë të Lulzim Bashës mbeten ende në memorien e freskët të opinionit publik. E para:

“Është mirë që Lulzim Basha të shkojë andej nga erdhi. Uroj të dorëzojë dhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”.

Dhe e dyta:

“Po të dojë të rrijë deputet i PD. Gara në parti do të jetë e hapur, për këtë shekull ai i ka larë duart”.

Por të gjitha këto i përkasin të shkuarës. Tani jo vetëm nuk përdor asnjë epitet që i kishte me breshëri deri para 6 marsit, por deklaron se do kthejë institucionin e votës dhe se e respekton mendimin e tij ndryshe. Madje i jep edhe këshilla si ajo që bashkë me mbështetësit e tij të krijojë fraksion Brenda PD, e të tjera si këto.

Por çfarë ka ndodhur? Përse Berisha hoqi dorë si me sustë nga epitetet e stilit të tij therës, nga akuzat e rënda dhe etiketimet plot shpoti dhe tani e quan Bashën një politikan normal në një politikë normale dhe të vetmen gradë që i jep është “kandidat për president”? Përse ka ndodhur kjo tërheqje dhe zbutje? Përse Berisha nuk tha një fjalë kur nga dyert dhe dritaret e selisë së PD u çmontuan tonelata hekur duke lënë provën më të shëmtuar, më të rëndë dhe më negative të drejtimit të PD nga Lulzim Basha? Përse propozoi që hekurnaja në PD të shërbejë si instalacion? Për të gjitha këto ka një arsye tepër të fortë. Sali Berisha ka kuptuar se vërtetë ai e fitoi betejën me rithemelimin e PD, një aksion politik që nisi më 9 shtator dhe përfundoi me fitore më 25 mars kur gjykata i dha të drejtë Komisionit të Rithemelimit. Vërtetë ai u rikthye si Ahmet Zogu me triumfin e legalitetit.

Por Berisha nuk po bën triumfatorin. Ai ka kuptuar se ky rithemelim nuk ka asnjë vlerë nëse nuk vijohet me pajtimin dhe bashkimin e madh. Ai ka kuptuar tashmë se PD është e përçarë dhe e ndarë dhe në këtë situatë që ndodhet ky bashkim është deri në kufijtë e të pamundurës. Këtë e kuptoi edhe më mirë kur mbledhja e grupit parlamentar të zhvilluar më 31 mars në seli shkoi si mos më keq. Kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj kishte njoftuar me whatsapp të gjithë deputetët demokratë, përveç Sali Berishës. Nga 52 anëtarë të grupit, njoftimi shkoi vetëm në 51 aparate celularësh. E megjithatë, i përjashtuar nga grupi më 9 shtator 2021, Sali Berisha ishte prezent në një mbledhje, në të cilin faktikisht mungonin shumë deputetë. Pothuajse mbledhja nuk u realizua. Nuk pati as agjendë e as diskutime përveç një debati mes Alibeajt dhe Berishës. Nga ana e tij kryetari i komanduar deklaroi se Berisha nuk ishte pjesë e grupit dhe nuk duhet të ishte në atë sallë dhe nga ana tjetër Berisha që deklaroi se ai ishte politikani më i votuar në Ballkan dhe vendimi i gjykatës e kishte ktheyr në nul përjashtimin ndaj tij të 9 shtatorit të vitit të kaluar.

Gjykata e Tiranës i dha të drejtë Komisonit të Rithemelimit dhe kjo erdhi pas zgjedhjeve të 6 marsit ku ky komision fitoi më shumë vota se Partia Domokratike zyrtare. Me këtë vendim, ndonëse ende jo i formës së prerë pasi pritet vendimi i Gjykatës së Apelit, tashmë Komisioni i Rithemelimit pothuajse e ka pushtuar selinë e PD-së. Të gjithë këtë Alibeaj dhe mbështetësit e tij e cilëson uzurpim. Të njëjtën fjalë uzurpim përdori edhe Komisioni i Rithemelimit kur u selia e PD u zhblindua nga tonelatat e hekurit në dyert dhe dritaret duke lënë një proven më të shëmtuar historisë më negative të kësaj partie. Por beteja tani është dhe pritet të vazhdojë me grupin parlamentar. Të gjithë aty e kanë kuptuar se kush zotëron grupin, zotëron edhe partinë, të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në situatën që ndodhet mund të themi se PD e parlamentit është e ndarë qartë në tre grupime:

Grupi i parë që përfshin mbështetësit e kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha dhe kryetarit aktual të koamndaur Enkeled Alibeaj që mund të përmblidhen në 10 apo 11 deputetë. Në këtë grupim janë Gazmend Bardhi, Flutura Açka, Arbi Agalliu, Oriola Pampuri e të tjerë, të cilët do vazhdojnë të jenë mbështetës të tij deri në fund të kësaj beteje.

Grupimi i dytë përfshin grupimin më të madh, atë që mbështesin zotin Berisha, pra, përfaqësues të Komisionit të Rithemelimit që nisin nga më besnikët Flamur Noka, Edmond Spaho, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Oerd Bylykbashi e deri te ata që më shumë i janë atashuar së fundmi për përfitime politike. Nga 15 deputetë që kishte deri para 6 marsit ky grupim, ai po rritet më shpejtësi nga ata që gjithmonë shkojnë gjithmonë nga fryjnë erërat, sidomos të marsirt dhe të prillit që kanë qenë shumë të forta.

Grupimi i tretë janë ata që nuk kanë pozicionim të qartë, afër 15 deputetë. Ata shikojnë një zgjidhje që PD të mos drejtohet as nga Sali Berisha, e as nga Lulzim Basha. Kanë profil të ulët, i drejtohen më shumë filozofit gjerman Georg Hegel, janë më të dobët për nga fuqia politike sepse nuk kanë vota, por ama shpresojnë se pikërisht asnjanësia mund ti nxjerrë edhe të fituar një ditë. Ku i dihet.

Ndodhur në këtë situatë beteja në PD nuk pritet të jetë as për selinë e as me bazën. Sigurisht që të dy këta komponentë janë të rëndësishëm. Por afërmendsh kush ka shumicën në grupin parlamentar do ketë edhe fuqinë e drejtimit të PD të paktën në katër vitet e ardhshme. Fundja beteja politike zhvillohet në parlament.

Megjithatë në PD ka edhe grupime të tjera jashtë parlamentit. Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Besnik Mustafaj janë senatorë të PD që edhe aknë qenë afër këtë periudhë dhe kanë qenë larg. Atyre u qajnë sytë të bëhen pjesë e PD por nuk tregohen të sigurtë se çduhet të bëjnë, kur duhet të futen në aksion politik dhe çfarë veprimi duhet të ndërmarrin. Për të vijuar më tej në bazë që të paktën në 6 degë në të cilat u zhvilluan zgjedhje më 6 mars partia është e ndarë më dysh. Pra në një farë mënyre, akisoni politik për rithemelimin e PD zyrtarisht e arriti fitoren që për një pjesë edhe nuk mendohej. Por tani që fitorja është siguruar, po vjen pjesa më e vështirë, ajo që quhet bashkimi dhe pajtimi i madh i PD. Kjo është shumë herë më e vështirë edhe se rithemelimi. Dhe Berisha jo vetëm e ka kuptuar por edhe e ndjen që do ta ketë shumë të vështirë ta arrijë. Pajtimi është një cilësi që shqiptarët nuk është se e preferojnë shumë, aq sa korifeu Gjergj Fishta me humor shkruante një shekull më parë se më lehtë mund të mbushësh një thes me pleshta se sa dy shqiptarë bashkë. Prandaj dhe Berisha ka ulur tonet duke e nisur që nga Lulzim Basha. Nga ai nisi furinë e sulmeve dhe nga ai po nis edhe erën e pajtimit dhe bashkimit të madh. Të presim nëse do ta arrijë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?