Bashkitë 50 mln euro detyrime, qeveria gati emërimin e administratorëve

23 Tetor 2019, 18:31| Përditesimi: 24 Tetor 2019, 08:42

  • Share

TIRANË- Me një veprim jo të zakonshëm,  Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paralajmëruar bashkitë që kanë krijuar më shumë detyrime se do t’i propozojë Këshillit të Ministrave të caktojë administratorë nga pushteti qendror për të menaxhuar buxhetet e tyre me qëllimin e uljes së borxheve të prapambetura. Ky paralajmërim, është bërë në një Udhëzim të datës 27 shtator nga ministrja e Financave Anila Denaj, dërguar 61 bashkive. Sipas Udhëzimit, në muajin dhjetor do të ngrihet një grup pune, që duhet të konstatojë bashkitë me më shumë probleme financiare, i cili në fund të vitit do të përgatitë raportin zyrtar, në bazë të të cilit do të veprojë qeveria. Kështu, bashkitë do të kenë afat deri në fund të vitit të rregullojnë situatën e tyre financiar, ose do t’i nënshtrohen administrimit nga qeveria.

Vështirësitë financiare
Por si parashikohet të procedohet në rastin e borxheve të bashkive? Sipas Udhëzimit, njësia e vetëqeverisjes vendore, konsiderohet me probleme financiare kur në një muaj të caktuar të vitit buxhetor konstatohen vonesa prej më shumë se 30 ditësh në likuidimin e detyrimeve financiare ndaj palëve të treta, dhe kur detyrimet e konstatuara dhe të papaguara përbëjnë 15 përqind të shpenzimeve vjetore të miratuara. Njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në vështirësi serioze financiare kur borxhet afatgjata dhe detyrimet e papaguara ndaj palëve të treta përbëjnë mbi 80 përqind të shpenzimeve buxhetore vjetore të miratuara.
Kryetari i bashkisë, me konstatimin e situatës së vështirësisë serioze financiare, njofton Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e cila njofton menjëherë Këshillin e Ministrave. Këshilli i Ministrave, mund të shpallë brenda 15 ditësh njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte: njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare.

Administratori
Sipas Udhëzimit, mbikqyrësi financiar (administratori) ka të drejtë ndër të tjera të japë urdhra brenda administratës vendore, njësive të varësisë ose entiteteve të jashtme publike për zbatimin e planit të rehabilitimit financiar; kryesojë negociatat me kreditorët dhe furnitorët për ristrukturimin e borxhit dhe riorganizimin e detyrimeve të papaguara ndaj të tretëve, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të pushtetit vendor, etj.

Borxhet
Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, aktualisht detyrimet e papaguara të 61 bashkive të vendit kanë arritur në rreth 6.2 miliardë lekë, ose mbi 50 milionë euro. Kjo shifër rezulton në ulje rreth 7.8% krahasuar me stokun në fund të vitit 2018, megjithatë mbetet një shqetësim serioz. Bazuar në informacionin e publikuar nga MFE, rreth 47% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 21% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 18% nga vendime gjyqësore dhe 11% nga detyrime të tjera.
Në ndarjen sipas bashkive, 9 bashki mbajnë rreth 64.6% të stokut total të detyrimeve të prapambetura. Niveli më i lartë i detyrimeve të prapambetura u shënua në bashkinë Tiranë me rreth 1.9 miliard lekë apo 30.1% e stokut total, ndjekur nga bashkia Pogradec me rreth 409.5 milionë lekë apo 6.6% e stokut total; bashkia Kavajë me rreth 406.1 milionë lekë apo rreth 6.5% e stokut total dhe bashkia Vlorë me rreth 403.9 milionë lekë apo rreth 6.4% e stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të muajit qershor 2019. Por duket se edhe në fund të 9-mujorit situata nuk ka ndryshuar, duke detyruar ministrinë të përgatitet të emërojë administrator të posaçëm.
Krahasuar me fundin e vitit 2018, stoku i detyrimeve të prapambetura rezulton të jetë rritur veçanërisht në bashkitë Finiq (+46.1 milionë lekë), Kuçovë (+25.5 milionë lekë), Roskovec (+51.4 milionë lekë) dhe Skrapar (+25.3 milionë lekë). 

Në të kundërt, disa bashki kanë shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, ndër të cilat bashkitë: Tiranë (-120.8 milionë lekë), Lezhë (-95.1 milionë lekë), Kamëz (-79.5 milionë lekë), Bulqizë (-76.7 milionë lekë), Mat (-49.6 milionë lekë), Mirditë (-47.2 milionë lekë), Ura Vajgurore (-51.6 milionë lekë) etj.
Lista e bashkive debitore më të mëdha

Bashkia        Detyrimet         % në stokun e përgjithshëm
Tiranë          1.9 miliard lekë          30.1%
Pogradec     409.5 milionë lekë     6.6%
Kavajë         406.1 milionë lekë     6.5%
Vlorë            403.9 milionë lekë     6.4%

( Kliko këtu ) për dokumentin e plotë

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?