Nuk ka nevojë për të pirë gjithë detin për të kuptuar se uji i tij është i kripur. Për të gjykuar për të tërën, shpesh është e mjaftueshme të shihet edhe vetëm një pjesë. Për të gjykuar mbi hartën elektorale të Shqipërisë, mund të shihet si kampion një nga qarqet e saj. Fieri, për shembull. Fieri bashkë me Vlorën, Elbasanin dhe natyrisht Tiranën është një nga pikat që mbush gotën e pushtetit drejt shifrës magjike të 71 mandateve. Fieri është dhe një nga projeksionet kryesore për të studiuar sjelljen elektorale të palëve në garë, për të parë diferencat mes tyre dhe për për të gjykuar më pas për sjelljen e publikut tek kutia e votimit.
Duke nisur me opozitën. Lajmet elektorale që vijnë prej saj janë të vakta. Duke përdorur Google-n si “dëshmitar”, të paktën për muajin e fundit, aty gjen pakogjë. Dërgimin e Enkelejd Alibeajt si kreun e listës së PD-së në Fier dhe ndonjë takim të tij me fermerët e Divjakës. Më pak se dy muaj nga zgjedhjet, partia më e madhe e opozitës ende nuk ka një listë të të plotë për garën dhe gjithashtu mbart një ndeshje gjysëm të fshehtë edhe me aleaten e saj LSI për votat që do t’i duhet të ndajë me të.
Mungesa totale e përfaqësimit në strukturat e pushtetit lokal dhe mbi të gjitha, largimi tashmë dy vjeçar nga parlamenti, i ka shndërruar deri dhe skifterët luftarakë të PD-së dhe LSI-së në zonjusha Facebook-u dhe Instagrami, mjete të mrekullueshme për të përçuar politika, por jo për të bërë politikë, mekanizma fantastikë për të prezantuar politikën, por jo për të ndikuar në politikëbërje.
Nga ana tjetër, për të kuptuar ofertën e qeverisë për Fierin, mjafton të shihet axhenda e kryeministrit, i cili prej kohësh tashmë është së paku një herë në javë në Fier. Herë me Ogertën e Shëndetësisë, herë me Ballukun e Transporteve, herë si urbanist që planifikon ndërtime dhe herë si shpronësues për tokën e ndërtimit, Rama e ka kthyer Fierin në një nyje të lëvizjeve të tij elektorale. Që kur erdhi nga Ankaraja, me bastin për spitalin rajonal me Erdoganin, Rama lutet që ta humbasë atë bast. Terreni për momentin po i jep shpresë që të humbasë bastin dhe në këmbim të fitojë ca vota më shumë. Ndryshe nga steriotipi i krijuar për turqit “dembelë” dhe shqiptarët që i qasen punës me epshin e turqve të qëmotshëm, spitali po shndërrohet në realitet.
Në tetor të vitit të shkuar, në Opinionin e Fevziut Rama vuri sërish një bast të guximshëm për Fierin. Një bast për një kauzë që i ka krijuar atij jo pak presion, që i ka dhënë kosto dhe akuza, por që ndaj të cilës, ai vetë është investuar fort në mbrojtje duke shkaktuar me gjasë çudi edhe mes vetë atyre që mbronte. Rama sfidoi kritikët e tij dhe gjithë opozitën, që të prisnin vetëm dy muaj dhe të shihnin se si në dhjetor, ai do të inaguronte Inceneratorin e Fierit. Tre muaj mbas premtimit as Rama nuk e ka kujtuar më publikisht këtë çështje dhe as opozita nuk e ka hapur më këtë faqe akuzash.
Për arsye të ndryshme dhe tërësisht elektorale. Rama sepse ka garantuar fitoren e bastit. Opozita sepse e ka humbur. Si gjahtari qe e ka të sigurt prenë, Rama do ta tregtojë Inceneratorin e Fierit si trofe elektorale. Pak para ditës së zgjedhjeve, në fund të marsit ose në fillim të prillit, me tonet e tij të zakonshme triumfaliste, Rama do të thotë se është instaluar teknologjia me e mirë gjermane dhe italiane, e cila ka nisur përpunimin e mbetjeve. Pastaj fotot e zakonshme “me si ka qenë dhe si është”, do të përmbysin botën virtuale në hapësirën shqiptare, për t’i dhënë udhë bindjes: Ai i gjati, edhe pse të vetët e kanë dorën e gjatë, të paktën punon dhe nuk fle gjumë.
Në atë zhurmë propagande për elektorat në atë ngut për lajmin që brohoret dhe jo për thelbin që nuk duket, ndeshja për procedurat e dikurshme, për raportin çmim/kosto, projekt/zbatim e lloj-lloj historisn të ngjashme që çuan drejt Inceneratorit, ngjajnë me histori mbetjesh të zakonshme në një fushë grumbullimi mbetjesh të pariciklueshme nga politika.
Fieri është vetëm një shembull në hartën elektorale të vendit që dëshmon se çfarë po ndodh në të gjithë atë hartë, ku maxhoranca ka muaj që ka zbritur në terrenin elektoral, të lënë marrëzisht bosh deri më tani nga opozita. Në shumicën dërmuese të sondazheve, PS-ja e Ramës del parti e parë. edhe pse një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme për ta bërë atë kryeministër për herë të tretë.
Letrat janë ende të hapura dhe humori i lëvizshëm i shqiptarëve dhe nervat e tyre të tendosura nga pandemia, mund të zhgënjejnë përkrahësit e të dy palëve, të cilët po i aviten ditës së zgjedhjeve në mënyrë të ndryshme. Deri atëherë ka vetëm një fitues të qartë. Dhe kjo është opozita. E bashkuar ose veç e veç, ajo ka siguruar tashmë për veten dhe për gjithë publikun, fitoren e saj të parë: rIkthimin në normalitet, rikthimin në sistem.
Duke parë se çfarë dilemash me “hyj, nuk hyj në zgjedhje”, kishte pasur katër vjet më parë, duke kujtuar penisllëkun gjigant të marrëzisë së djegies të mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale, fakti që opozita po hyn në zgjedhje, është fitore e madhe e të gjithëve. Eshtë fitore edhe për mikun e Erdoganit, të akuzuar si autokrat në pushtet në Ankara, edhe për Klodian Zoton në Fier, të kryqëzuar si përfitues nga pushteti: sepse Edi Rama ka vënë në bast gjithë Shqipërinë.