Zoran Zaev

Baze: Arsyet e Zaevit dhe arsyet tona, për zgjedhje kundër Europës

21 Tetor 2019, 22:49| Përditesimi: 21 Tetor 2019, 22:50

  • Share

Ka një përpjekje për të hequr paralele mes asaj se si po reagon Zaev në Maqedoninë e Veriut dhe Edi Rama në Shqipëri, ndaj vendimit të Bashkimit Europian për të mos hapur negociatat me të dy vendet. Dhe kjo është një logjikë e drejtë.

Maqedonia e Veriut është vendi që e pagoi më shtrenjtë se kushdo tjetër këtë proces. Ajo u nda paraprakisht në dy pjesë brenda vendit, në rrugën drejt Europës. Ajo dështoi në referendumin pro-europian për ndryshimin e emrit të shtetit dhe dokumenteve themelore të tij.

Perëndimi dhe personalisht presidenti Macron, e mbështetën këtë referendum me zë dhe figurë, duke u premtuar Europën. Ata mbyllën sytë para deformimit të demokracisë dhe blerjes së disa votave në Parlament për të votuar ndryshimin e emrit, përkundër vullnetit negativ të shprehur në referendum. Dhe në fund, nuk i hapën negociatat.

Ajo që Zaevi bëri pas kësaj, ishte një përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur vendimit të Brukselit, që ishte një poshtërim për ta. Ai tentoi të përballë Europën me pasojat e këtij vendimi, duke njoftuar dorëheqjen, pa e dhënë atë.

Ajo që ndodhi, ishte se mbështetësit e tij në Europë (Merkel dhe gjithë drejtuesit e BE) tashmë po ndëshkoheshin nga njeriu që kishin mbështetur, ndërsa bllokuesit (Macron) po shpërbleheshin, pasi pasojat shkonin në favor të tyre.

Zaev modifikoi qëndrim, nën këshillat e miqve perëndimorë, për të shtyrë zgjedhjet në pranverë, pasi Maqedonia e Veriut, të marrë anëtarësimin në NATO dhe të hyjë në fushatë si shënues i një fitoreje pro europiane, dhe jo si një i dëshpëruar nga Europa. Dhe kështu po bën.

Edhe Edi Rama mund ta çojë vendin në zgjedhje si shenjë hakmarrje ndaj bllokimit që Franca i bëri Shqipërisë, apo dhe ndaj pretendimeve të vendeve të tjera si Holanda apo Danimarka.

Por paraprakisht duhet të biem dakord që zgjedhje të tilla janë zgjedhje që ftojnë popullin të votojë më shumë kundër Europës, se sa kundër Edi Ramës, janë zgjedhje që forcojnë frymën anti-europiane në vend.

Pas këtij vendimi të mundshëm, vota pro Ramës do të ishte votë pro Merkelit, Kontes dhe 25 kryeministrave të Europës, përfshi dhe drejtuesit e BE, ndërsa vota pro Bashës, votë pro Macronit, Holandës e Danimarkës.

Pra vendi do të futej në një referendum pro atyre që na mbështetën dhe kundër atyre që na bllokuan. Mbështetësit e opozitës duhet të votonin pro Macronit, Holandës e Danimarkës, e kundër gjithë të tjerëve.

Ky do të ishte emocioni politik i zgjedhjeve të tilla. Opozita ka të drejtë t’i kërkojë këto zgjedhje duke hedhur në votëbesim çështjen, nëse shqiptarët janë me “Jo”-në e Macronit, Holandës e Danimarkës, apo me “Po”-në e 25 shteteve të tjera.

Ky do të ishte një luks i madh për Shqipërinë, që të gjykojë Europën me zgjedhje pro dhe kundër saj, por mund ta bëjë.

Por Lulzim Basha edhe në këtë rast ja ka humbur kuptimin dhe kësaj beteje, për të votëbesuar Europën në elektoratin tonë. Ai dhe këtë betejë e do pa Edi Ramën.

Ai nuk do zgjedhje, por do të ikë Edi Rama. Obsesioni i tij për të mos hyrë në zgjedhje me Edi Ramën, e pengon atë të jetë afër fitores, dhe nëse dikush do t’ia falë pushtetin.

Ideja e tij fikse që pushteti duhet të negociohet në tavolinë, pastaj të shkohet në zgjedhje, është në fakt arsyeja përse nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Edi Rama është kundërshtar dhe kundërshtari është për t’u mundur, jo për t’iu lutur.

Zaev nuk po shkon në zgjedhje se ja kërkon opozita, por po shkon në zgjedhje për t’i treguar Europës se sa e ka rrezikuar prezencën e saj në Maqedoni. Biles dhe atje opozita nuk pranoi zgjedhjet në dhjetor, por i shtyu për në prill.

Nëse Lulzim Basha mendon se dështimi i negociatave i ka dhënë pikë PD-së si parti që luftoi të mos hapeshin, ai mund të kërkojë zgjedhje dhe të votëbesohet për këtë.

Por duket që nuk do zgjedhje, por do një zgjidhje si të mos përballet me Edi Ramën. Për këtë nuk e ndihmojmë dot. (Tema)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?