Baze: Edi Rama, ky 'tradhtar' në dispozicion

21 Dhjetor 2019, 21:16| Përditesimi: 21 Dhjetor 2019, 21:17

  • Share

Vuçiç ka ardhur për herë të tretë në Tiranë këto dy vitet e fundit. Shqipëria e ka vizituar zyrtarisht Beogradin qysh në vitin 2000, menjeherë pas luftës, kur Kosova nuk kishte të drejtë ende, as të bënte zgjedhje për qeverinë e saj.

Ilir Meta ka qenë në Beograd si kryeministër dhe si ministër i Jashtëm, dhe ishte gati duke rënë në dashuri me Kariçët. Biles siç e tregon Hashim Thaçi, njëherë nga entuziasmi i pat çu atij dhe një plan të Gjingjiçit, për ndarje të Kosovës.

Më pas edhe presidenti Moisiu në vitin 2003 ka qenë në Beograd. Edi Rama shkoi për herë të parë më 2014, në kuadrin e procesit të Berlinit, dhe desh u ndez flakë Kosova nga ngazëllimi që ai kërkoi njohjen e Kosovës në mes të Beogradit, dhe Beogradi nga zemërimi pse e kërkoi aty.

Ne që ishim si gazetarë në takim, as një gotë nuk na jepnin, nëse u kërkoje pas kësaj deklarate. Se në Ballkan të çmendurit janë të gjithë njësoj.

Liderët e Kosovës me ata të Beogradit takohen rregullisht prej vitit 2007. Janë takuar në formate të ndryshme bisedimesh, në rang delegacionesh, në takime kokë më kokë, me gjithë ata që kanë qenë në krye të shtetit serb, përfshi dhe Vuçiç. Do të vazhdojnë të takohen, pasi janë të dënuar të takohen, derisa të njohin shtetësinë e njëri- tjetrit.

Ndaj histeria që vjen nga Kosova për vizitën e sotme të Vuçiçit në Tiranë, nuk mund të shpjegohet me takime, se takimet kanë ndodhur dhe do të ndodhin.

E gjitha është një përpjekje spontane, për të eksportuar në Tiranë frustrimin e një klase politike në Kosovë, ku fitimtarët nuk marrin dot pushtetin, se nuk bien dakord me njëri- tjetrin si ta ndajnë, kaq lehtë sa bien dakord katër liderë ballkanikë, dhe humbësit nuk e dorëzojnë dot pushtetin, se nuk kanë kujt t’ia dorëzojnë.

Në këto momente, i vetmi njeri që i bën të ndjehen të fituar të gjitha palët në Kosovë, është Edi Rama, nëse e shpallin atë tradhtar. Dhe kështu po bëjnë.

Sot secili militant partie në Kosovë apo gazetar i rreshtuar në llogoret e luftës politike atje, e ka lëshuar një pushkë mbi të. Dikush i thotë kriminel,dikush serb, dikush mut, dikush drogaxhi, dikush qen, dikush zagar, dikush pleh, dikush vrasës, dhe pafundësisht çdo fjalë  e ndyrë që u vjen në mendje.

Kështu ndjehen të gjithë të lehtësuar. Ata të Vetëvendosjes ndjehen nacionalistë të minutave të fundit,  para se të hyjnë në qeveri, dhe janë duke e spostuar aktivitetin e trye në Shqipëri, se në Kosovë do t’u duhet të takohen me Vuçiçin dhe nuk pi më ujë turbonacionalizmi.

Këta të Hardinajt janë duke i treguar popullit të Kosovës se çfarë qeverie kanë humbur, dhe sidomos çfarë kryeministri, nga ata që ja plas në fytyrë Edi Ramës.

Këta të LDK, nuk është se “e kanë lidhur ndonjëherë gomarin e tyre në Tiranë”, dhe janë më indipendistë se të tjerët në emocionet ndaj Shqipërisë dhe Edi Ramës. Për më tepër, lideri i tyre shpirtëror Rugova, e ka pas sllogan kryesor “të jemi të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”.

Këta të Thaçit, nuk mund të rrinë pa u dukur patriot, se bien në sy për keq. Gazetarët po ashtu, sipas ndarjeve reciproke të sipërpërmendura.

Por në fakt nuk kanë asgjë me Edi Ramën. Të frustruar se në Kosovë nuk kanë një armik kaq konsesual, dhe sidomos të frustruar nga ideja që nuk ja dalin dot të merren vesh me njëri- tjetrin, kanë gjetur një armik që po merret vesh me tre “armiq sllavë” në Ballkan, dhe i janë turrur atij.

Edi Rama po ashtu , i talentuar për t’i hedhur benzinë zjarrit, sidomos kur shikon turma fanatikësh, e bëri sërish detyrën e tij, duke i çmendur. Njësoj ka bërë dhe me serbët, në Beograd, duke provokuar dellin e tyre primtiv nacionalist, dhe akoma më keq me grekët e pamësuar t’i provokojë ndonjë shqiptar, duke i detyruar ta shpallin armikun më të madh të Greqisë deri më 2017.

Aftësia e tij për ta nxjerr budallallëkun e turmave në sipërfaqe, dhe për t’u argëtuar me to, është e njohur. Kjo e Kosovës është e dhimbshme, pasi aty nuk ka vetëm njerëz të frustruar nga politika e ditës, por dhe njerëz që realisht kanë plagë të thella nga historia kriminale me Serbinë dhe lufta e 20 viteve më parë.

Dhe kjo është e vetmja gjë për të cilën njeriu duhet të ndjehet keq, në këtë histeri idiote, të atyre që takimin me Vuçiçin, me paraardhësit e tij dhe me pasaardhësit e tij, e kanë detyrë shtëpie.

Edi Rama sot është çliruesi real i streseve të tyre, njeriu që mund ta shajnë dhe fyejnë lirshëm, që mund ta krahasojnë me Enver Hoxhën, Sali Berishën, Ahmet Zogun dhe çdokënd tjetër, që një pjesë e shoqërisë kosovare, i ka parë tërë jetën me bezdi, ngaqë nuk thoshin dot kemi bezdi Shqipërinë.

Tani mund të çliroheni lirshëm. Edi Rama është armik në dispozicion tuaj, derisa të qetësoheni. Pastaj merrni frymë thellë, ktheni kokën nga hallet tuaja në Kosovë, dhe filloni akuzoni njëri- tjetrin, kur të takoheni me Vuçiçin hapur apo fshehur, për shtetësinë e Kosovës, apo kur të takoni vartësit e tij për të kaluar kamionët në dogana, pasi keni 70 për qind të tregëtisë me ta.

Sa herë t’iu duhet Edi Rama për armik, këtu është. Nuk përton t’iu çmendë përsëri, nëse e keni të nevojshme të çliroheni nga stresi, që tradhtari të mos jetë mes jush, por larg jush në Tiranë.

Por nuk e keni nga ai problemin me Serbinë dhe as problemet me njëri- tjetrin. Ai është thjeshtë një rrufepritës i komplekseve tuaja, meqë është dhe pak i gjatë, dhe mund t’u shpëtojë gjithnjë nga nevoja për një tradhtar “jo në mesin tuaj”.

Por puna është çfarë keni vërtet në mesin tuaj?

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shefki hima: 22/12/2019 17:06

    Brovo Mero Baze,një opinion qe duhet ta lexojnë dhe ata që lehin,dhe dhjesin,por dhe në 1914 kështu bënin shqiptarët ata të ismail beut,donin flamurin kombëtar sharlatanët e haxhi qamilit donin flamurin e xhon turqëve,,

    Përgjigju
  • Ben Tironci: 22/12/2019 16:07

    Edi je njish le te hane m***

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?