Agim Kajmaku

Baze: Filtrat e dekriminalizimit, si ato të dekomunistizimit

27 Gusht 2019, 15:45| Përditesimi: 27 Gusht 2019, 15:47

  • Share

Agim Kajmaku, kryetari i sapozgjedhuri i Bashkisë së Vorës, është nën akuzë nga opozita, se identiteti i rremë i tij përkon me një dënim në Gjykatën e Janinës. Kajmaku vazhdon ta hedhë poshtë akuzën dhe ka dorëzuar shenjat e gishtave, si garanci se personi në fjalë nuk është ai, por një i afërm i tij. 

Sipas tij, edhe akuzat ndaj të afërmit të tij kanë rezultuar të padrejta, pasi ka fituar gjyqin. Gjithsesi, për këtë ai ka shfaqur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet, dhe kjo çështje verifikohet lehtë nga shenjat e gishtave, për të provuar kush është gjykuar nga autoritetet greke.

Por dhe nëse rezulton i pafajshëm, afërsia me ngjarjen qoftë dhe përmes personave të afërt, tregon se sa vështirë është që një mekanizëm përzgjedhjeje partiak, të ketë fuqinë e duhur për të bërë filtrat e një procesi paraprak dekriminalizimi.

Përveç vullnetit politik, që është i pari, ky mekanizëm duhet të fuqizojë shumë instrumentet ligjore që veprojnë paraprakisht, mbi çdo individ që duhet të hyjë në garë politike.

Pra nuk i duhet lënë kjo çështje departamenteve politike të dekriminalizimit në parti politike, por një institucioni shtetëror, që mund të jetë Prokuroria, Policia apo SHISH, i cili paraprakishtë të lëshojë një certifikatë pastërtie, para se kandidati të hyjë në garë.

Pak a shumë një mekanizëm siç është vepruar me verfikimin e politikanëve, lidhur me bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Në shumë vite, ka qenë një Komision Special, dhe sot është Autoriteti i Verifikimit të Dosjeve, i cili të lëshon paraprakisht një dokument zyrtar, që provon lidhjet e tua me ish- Sigurimin e Shtetit.

Vetëm kjo praktikë prodhon përgjegjësi ligjore paraprake për tipa të papërgjegjshëm, që tentojnë të hyjnë në politikë me shpresë se nuk u zbulohet e shkuara.

Plus kësaj, zbulimi paraprak nuk duhet të shoqërohet vetëm me skualifikim, por dhe ndëshkim ligjor, duke u konsideruar që ai ka pranuar të shkelë ligjin me vetëdije.

Filtrat paraprakë partiakë që aplikohen tani, duket se bazohen vetëm mbi “përgjërimet” personale të kandidatëve.

Por duhet të kemi parasysh se njerëz që vijnë nga ajo e kaluar, nuk e kanë problem të gënjejnë, pasi kanë bërë gjëra dhe më të rënda se aq.

Ndaj filtrat paraprakë duhet t’i kalojnë shtetit dhe jo partive. Partive u duhet lënë vetëm vullneti politik, për të mos futur dorën në ato pellgje, ku duket që larg se lëvizin krokodilë të tillë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?