Baze: Këshilla demokratëve, për të shmangur një gënjeshtër të re

1 Korrik 2019, 19:56| Përditesimi: 1 Korrik 2019, 19:58

  • Share

E kuptoj zemërimin dhe zhgënjimin tuaj sot në mëngjes.

Partia Demokratike sot i ngjan një treni të mbushur plot me pasagjerë, që timonieri e ka nxjerrë nga shinat për llogari të vet, dhe tani po përpëlitet i shkatërruar në anë të rrugës.

Përgjegjësi e vetme  e juaj, është se i besuat trenin njeriut të gabuar, dhe sot jeni afër asgjesimit

Rifuteni trenin në shina dhe zgjidheni vetë kapitenin.  Mos lejoni që ata që u nxorrën nga shinat, t’u mbajnë peng në trenin e braktisur.

Dhe për këtë, shmangni disa simptoma kronike, që ky kapiten ka aplikuar për 29 vjet, sa herë humbet. Por këtë radhë nuk ka humbur, këtë radhë ka asgjesuar Partinë Demokratike.

E para, mos humbisni kohë të dëgjoni përralla për pjesmarrje të ulët në zgjedhje nga populli, apo për interpretime sipas oreksit, të raportit të OSBE- ODIHR.

Pjesmarrja nga populli kundërshtar me ju, ka qenë maksimale, dhe pak më shumë se sa ka qenë për 29 vjet nga ajo parti.

Socialistët kanë marrë tërë jetën 750 mijë vota në këtë vend dhe pak më shumë se aq, kanë marrë prapë dje. As janë ulur, as janë shtuar, as kanë bojkotuar.

Përkundrazi, me marrëzinë e tij, lideri juaj i bashkoi rreth Edi Ramës, që mund t’i kishte humbur këto zgjedhje nëse ju do konkurronit.

Nëse keni qejf ta llogarisni me përqindjet e listës formale prej 3.4 milionë qytetarësh, nga të cilët 45 për qind janë jashtë, llogariteni. Me atë listë socialistët kanë marrë 21 për qind, kurse ju 13 për qind, sikur të merrnit pjesë, sipas zgjedhjeve të fundit. Nuk fitoni gjë duke gënjyer veten.

Nga këto zgjedhje, Edi Rama ka marrë maksimumin, pasi lideri juaj i kishte llogaritur si zgjedhje me të cilat do digjte Shqipërinë, por dogji veten.

Edi Rama ka marrë për këto zgjedhje, mbështetje të pazakontë ndërkombëtare, ndërkohë që nëse do ishte ndryshe, ai mund të ishte i akuzuari i Perëndimit këtu.

Me qëndrimin ndaj tij, me zgjedhjen e rrugës revolucionare, ju bashkuat socialistët rreth Edi Ramës dhe i bëtë ata, të harrojnë zhgënjimet e tyre 6 vjeçar.

Nuk di kush tjetër mund t’ia bënte këtë dhuratë një kryeministri në vitin e gjashtë, përveç liderit tuaj.

E dyta, mos bini në kurthin e atyre që thonë se tani nuk është koha të merremi me veten. Tani është koha të merreni me veten, se më vonë duhet të mereni me zgjedhjet.

Tani është koha që dikush të mbajë përgjegjësi për aventurën revolucionare të dështuar ku e futi PD, tek djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve dhe lënien e saj pa asnjë pushtet.

Unë nuk mbaj mend këto gjashtë vjet që Lulzim Basha të thotë humba një herë. Edhe kur humbi më 2015, edhe kur humbi më 2017, dhe kur u shpartallua më 2019, ai thotë fitore.

Nëse do ishte fitore çdo humbje që Lulzim Basha pëson këtu e gjashtë vjet, atëhere s’keni pse bëni më protesta, luftë, apo revolucione, se ju jeni të fituar kështu siç jeni.

E treat, që nuk duhet të mashtroheni, është kjo përpjekja për të bërë sikur keni një plan të ri dhe akoma më keq, sikur keni dhe aleatë.

Shmangni fytyrën e Fatmir Mediut, Mesilës, Gon Dukës apo Nard Ndokës nga ekrani, se ata nuk vijnë për t’u dhënë, por për t’u marrë ndonjë votë. Akoma më keq nëse vijnë për t’u dhënë mendje.

Merreni me guxim debatin brenda jush dhe besojani PD-në një grupi të ri, nga ata që janë të lirë të luftojnë dhe të afrojnë energji të reja në PD.

Duke mbajtur ato fytyra, ju mbani të ngrirë mijëra shqiptarë që nuk afrohen tek PD, falë atyre.

Ata që u nxorrën nga shinat dhe u kanë lënë  në anë të rrugës të gremisur, nuk mund t’iu rifusin sërish në shina. Por dhe nëse ju fusin, do t’iu përplasin përsëri.

Merreni me guxim një marrëveshje të re mes njëri- tjetrit dhe kundërshtarëve, për një reformë të thellë kushtetuese, reformë elektorale dhe rregulla më të ashpra kundër krimit elektoral, dhe hidhuni në betejën që mund të ringrejë PD.

Ndryshe s’do keni më të ardhme. Dikush tjetër do të bëjë atë që po hezitoni të bëni ju.

Së fundmi, mos dëgjoni opinionistë të paguar nëpër ekrane, që shpikin fitoret tuaja, stërhollojnë gënjeshtra dhe faktorizojnë njerëz pa asnjë vote në këtë vend.

Ata nuk janë duke ju mbrojtur ju dhe PD, por  janë duke mbrojtur gënjeshtrat e tyre, të cilat çuan PD në këtë humnerë.

Shumica  e tyre nuk kanë qenë kurrë me PD. Shumica janë ata që frymëzuan ’97-n dhe nuk është se u dhimbset PD. As ju.

Thjeshtë një herë ju çuan buzë greminës me armë në dorë, nje herë ju çuan buzë greminës, duke ju çarmatosur.

Tani prej sot ata duan të tregojnë se nuk kanë gabuar dhe ju keni fituar. Ata në fakt nuk kanë gabuar, se ja kanë arritur qëllimit ta shkatërrojnë PD, por ju duhet të mbroni PD edhe nga këta./ TEMA

Komento

Komente

  • Vlora Vlora Vlora Vlora Vlora: 01/07/2019 20:39

    Lulké e Zezé moj Lulké e ZEZÉ , e ke vendin né BURG shumé shpej! ! Té Shkérrmoqi USA dhe Matheu Palmer more Lulash KRRIMINELI bashké me HAJDUTÉTdhe PETRIT VASILAT Grabitqaré , qé shumé shpejt do ti PÉRPIJ SPAK dhe BKH

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?