Baze: Lulzim Basha ka meritën që sillet si politikan normal

28 Nëntor 2019, 23:54| Përditesimi: 28 Nëntor 2019, 23:55

  • Share

Opozita nuk ka shumë gjëra në dorë në situata të tilla. Nuk ka në dorë mekanizma financiarë. Nuk ka në dorë institucione që mund të bëhen efiçente për situatën. Në këtë situatë dramatike të opozitës sonë, që nuk është as në pushtet lokal, as në Parlament, nuk ka as përfaqësim formal politik, që mund ta vinte në lëvizje.

Ndaj qëndrimi normal i një politikani në këto kushte, merr më tepër vlerë. Nuk është pak të sillesh si njeri normal.

Lulzim Basha po përpiqet të bëjë diferencën me liderët e tjerë të opozitës së vjetër në këto ditë të vështira për vendin. Ndryshe nga përpjekjet për të minuar situatën, edhe ashtu të brishtë, ai është shafqur në publik në detyrën e një një lideri politik, për t’i bërë qytetarët të ndjehen të mbështetur nga të gjitha palët.

E vendosur kjo në një kontekst shumë agresiv të disa qëndrave të opozitës, sidomos Berishës e Metës, qëndrimi i Bashës është në kontrast të thellë me ta dhe bën diferencën.

Vizitat në Thumanë apo në spitalin e Durrësit dhe paraqitjet e tij publike, përcjellin përgjegjshmëri dhe pozitivitet.

Ndryshe nga Presidenti, që në daljen e parë tek dera e spitalit të Traumës ishte i mërzitur që ne nuk e besuam që do binte tërmet, dhe jo që njerëzit po vdisnin, apo Berishës, që ka ‘zbuluar’ se tërmetin e ka shkatuar Edi Rama, pasi ka betonuar me 300 trajlera Gjirin e Lalzit tek një vend i quajtur “Syri i Kuçedrës”, për të shkaktuar tërmet, Lulzim Basha nuk ka rrëshqit në këto marrëzi.

Fusha e minuar e menaxhimit të tragjedisë ka çdo sekondë rreziqe të mëdha. Aty nuk ka vetëm vullnetarë të përgjegjshëm, apo njësi qeveritare që menaxhojnë. Në ato fusha janë vërsulur edhe plot batakçinj e sharlatanë, njerëz që duan të bëhen të njohur se çojnë një batanije apo dy bebelina, mitomanë e delirantë që mendojnë se ka ardhur dita të shfaqen si shpëtimtarë të kombit, duke bërë më shumë rrëmujë e duke ngjallur më shumë dyshime, se sa besim.

Beteja heroike e gazetarëve dhe reporterëve shqiptarë që raportojnë 24 orë nga gërmadhat, prishet shpesh nga ndonjë pronar i neveritshëm, që kënaqet më shumë kur terrorizon njerëzit, se sa kur informon për hallet e tyre.

Por nuk ka katastrofë që i shmang dot këto fenomene. Ndodhin kudo dhe kurdo. E rëndësishme është t’i izolosh dhe të vazhdosh përpara.

Ndaj kur Lulzim Basha sillet si njeri realist, kur e kupton se ata njerëz sot nuk e  kanë mendjen tek Edi Rama apo Luzlim Basha, por tek halli që i ka zënë, ai zë vend më shumë se ata të tjerët.

Qëndrimi i Lulzim Bashës merr më shumë vlerë, jo se distancohet prej tyre, por tregon fuqinë që ka për të vepruar me realizëm dhe jashtë psikopatisë politike të liderëve të vjetër të politikës, që mendojnë se çdo e keqe që vjen për popullin, qoftë dhe nga Zoti, vjen për të mirë të tyre.

Kjo është një fatkeqësi natyrore që do ketë pasoja afatgjata për Shqipërinë. Dhe jo vetëm financiare. Kjo fatkeqësi do të duhet të na riformatojë si shoqëri, duhet të na hapë një axhendë të re të zhvillimit urban, të standardeve të sigurisë dhe nevojës ulëritëse për njësi speciale të trajnuara dhe të mirëpajisura për fatkeqësi natyrore.

Kjo është një axhendë që tejkalon mandatet e një qeverie dhe duhet të jetë objektiv kombëtar. Fatkeqësia nuk mbaron kur mbarojnë goditjet e tërmetit. Ajo tamam tamam, atëhere fillon.

Ata mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi e punë, duhet të ri-integrohen në jetë. Dhe kjo do të jetë një betejë afatgjate, ku do ketë plot kohë dhe mundësi për të bërë dhe politikë.

Guximi dhe qetësia për t’i parë në sy problemet që shkaktoi dhe do të vazhdojë të shkaktojë kjo tragjedi na e bëjnë më të lehtë të nesërmen e përsëritjes së saj.

Kjo nuk është një paqe politike mes opozitës dhe qeverisë, por një dënim i përbashkët ndaj tyre, për të mbajtur shënim njësoj, atë që po ndodh për fajin e të gjithëve.

Ndjehesh mirë kur shikon se lideri i opozitës e ka kuptuar këtë dhe të duket se të përfaqëson dhe ty në këto ditë të vështira për të gjithë.

Përjashto ata që u duken ditë feste, pasi mendojnë që tërmeti ka shembur qeverinë, dhe jo jetën dhe pasuritë e qytetarëve./ tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?