Albin Kurti mund të bëhet kryeministër. Nuk di sa do zgjasin vuajtjet e tij për të bindur Isa Mustafën t’i hapë rrugë marrëveshjes, por është normale që ai të bëhet një ditë. Anormale është rruga që që po ndjek formimi i qeverisë.
Së pari, nga një qeveri e shpresës, është kthyer në një qeveri makthi. Nëse pas 6 tetorit kishte një eufori të pajustifikuar për një fitore që nuk dihej pse e quanin fitore plebishitare, pas tre muajsh e ca ka një makth dhe bezdi nga fitimitarët.
Stërgjatja e bisedimeve dhe përfshirja në to e çdo interesi personal të atyre që kanë marrë përsipër të formojnë qeverinë, tregojnë qartë se shpresa që diçka do të ndryshojë, ka vdekur. Biles shpresa është viktima e parë e qeverisë së re.
Së dyti, kjo qeveri, çfarëdo që të jetë, do të jetë një qeveri e cila do të jetë një arenë lufte mes atyre që duan të duken ndryshimi, dhe atyre që duan t’i tregojnë se kanë në dorë qeverinë.
Asgjë e re nuk mund të prodhohet më nga një qeveri që më shumë është menduar për hallet e veta, se sa për projektin për të cilin pretendon që është votuar.
Së treti, që është dhe më e rendësishme për Ksoovën në gjithë këtë periudhë të lodhshme dhe të mërzitshme bisedimesh, nuk është përmendur në asnjë rresht halli kryesor i Kosovës, bisedimet me Serbinë, që janë në krye të axhendës së SHBA dhe BE për Kosovën.
Biles më të vëshitra po duken bisedimet Kurti-Mustafa, se sa bisedimet e pritshme Kurti-Vuçiç, që duhen të mbahen normalisht pas formimit të qeverisë.
Dhe një qeveri e cila nuk adreson problemin kryesor të Kosovës në bisedimet për qeverinë, është një qeveri që më së paku do t’i shërbejë Kosovës.
Është e qartë se SHBA dhe BE kërkojnë sa më parë formimin e qeverisë, pasi duan të punojnë me ta për axhendën kryesore të Kosovës, që janë bisedimet.
Është e qartë që dhe partitë e mbetura në opozitë pas zgjedhjeve duan t’ua lënë sa më parë këtë patate të nxehtë në duar.
Vetëm dy njerëz janë gjakëftohtë në Kosovë, që nuk e kanë fare shqetësim këtë gjë, dhe ata janë Isa Mustafa dhe Albin Kurti.
Manovrat e tyre për të shtyrë ditën e marrjes së mandatit dhe lojërat me proceduart, tregojnë më së paku që ata nuk janë gati të qeverisin hallet e Kosovës, por të zgjidhin hallet e tyre.
Ndaj Kosova nuk ka luksin të shkojë as në zgjedhje të reja, dhe as të shikojë një skenë të re teatrale pa unitet dhe brenda qeverisë, për atë që i duhet Kosovës.
I dërguari i presidentit Trump për Kosovën anuloi vizitën në Kosovë, pasi nuk ka me kë të bisedojë, dhe mbi të gjitha, se e shikon që askush nuk do të bisedojë për hallin e Kosovës.
Ndaj do të ishte më mirë t’i jepej fund kësaj tragji-komedie të neveritshme.
Kosova do të ishte më e qetë me një qeveri me bazë të gjerë, mundësisht dhe Vetëvendosja brenda saj, dhe të bëjnë një plan së paku dy vjeçar për bisedimet me Serbinë dhe seriozitetin e shtetit të Kosovës, për të hedhur hapa të guximshme në drejtim të integrimit të saj në Bashkimin Europian.
Kjo do të ishte një zgjidhje që së paku të mos tregonin njëri- tjetrin me gisht si tradhtarë apo heronj, derisa të zgjidhnin hallet e Kosovës.
Pastaj le të ribëjnë zgjedhje për të parë nëse ka fitimtarë real në Kosovë, jo nga këta të vetëshpallurit. Por deri tani duket se ka vetëm një humbës të madh, dhe ajo është Kosova.