Baze: Pasiguria e Metës, nuk ka lidhje me tërmetin!

1 Dhjetor 2019, 20:10| Përditesimi: 1 Dhjetor 2019, 20:11

  • Share

Ilir Meta po këmbngul se është ende në krye të “komandës” në këtë vend. Ka thirrur nesër Këshillin e Sigurisë Kombëtare, një institucion që herën e fundit është thirrur po nga Ilir Meta, para më shumë se dy vitesh, për t’u distancuar nga Klement Balili, pasi hëngri një dru në Uashington.

Mbledhja e Këshillit në fakt nuk ka aq shumë lidhje me tërmetin, por me sjelljen politike të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ndaj katastrofës natyrore. Ilir Meta dhe Sali Berisha dështuan në sulmin e tyre të parë, për ta përdorur katastrofën natyrore, për ngjallje paniku, apo ndonjë gjëmë më të madhe njerëzore. Këtu ka padiskutim meritë dhe gjuha e moderuar dhe sjelljet normale të Lulzim Bashës, i cili diktoi vijën politike të opozitës me atë qëndrim.

Tani me se duket, paranoja e Ilir Metës ka nisur të funksionojë. Pas thirrjeve të Edi Ramës për dialog me opozitën dhe diskutim mbi rrugëzgjidhjet nga kriza, Ilir Meta duket se më shumë se sa nga tërmeti, është futur në panik nga një fotografi e re, e Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tavolinë. Ndaj ai kërkon me urgjencë që Edi Rama të shfaqet në tryezën e tij dhe jo bashkë me Lulzim Bashën. Beteja e tij dhe Berishës kundër dialgut të qeverisë me opozitën në këto momente, është e pashembullt dhe po përpiqen ta kompleksojnë Lulzim Bashën.

Por Ilir Meta nuk asgjë në dorë si President që ta qetësojë situatën. Si President ai nuk gëzon besimin e atyre që e kanë zgjedhur dhe është në një proces shkarkimi. Ndaj nëse kërkon të kontribojë në këto ditë të vështira, le të japë kontribut financiar, ose të bëhet pjesë e njerëzve që qetësojnë situatën, zbutin agresivetetin dhe makthet që kanë mbërthyer njerëzit e dëmtuar, ose së paku të mos lëshojë zagarët e tij rrugëve për të mbjellur zi.

Në këto kushte mendoj se qeveria duhet ta injorojë politikisht Ilir Metën. Përfaqësuesit politik të qeverisë nuk kanë pse ulen në një tryezë me të. Ata mund t’ia delegojnë praninë në mbledhje njerëzve teknikë që nuk kanë funksione politike, meqë Presidenti në shkarkim, kërkon të duket sikur është në krye të detyrës.

Problemi i tij real nuk është tërmeti, por si të ndjehet që është ende “komandant” dhe si të shpëtojë nga makthi, se mos tërmeti ul Ramën e Bashën në një tryezë, nga e cila mund të prodhohet një politikë përjashtuese për të.

Kaq është i gjithë halli i tij. Një president që tentoi të shkaktojë tërmet në Shqipëri, duke hedhur vendin në flakë para 30 Qershorit, u neutralizua, duke u injoruar. Njësoj duhet vepruar përsëri. Një President që nuk merret më seriozisht nga asnjë palë, nuk ka se si të humbasë kohën e qeverisë, në këto ditë të vështira.

Një Presidenti, të cilit nuk i janë përfillur dekretet, nuk ka pse t’i përfillen njoftimet për mbledhje./ tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?