Pas takimit me aleatët e tij formalë, Lulzim Basha i kërkoi sot Edi Ramës të plotësojë pesë kushtet që ai i ka dërguar për reformën elektorale, “ose të hapë krahun.” Kërkesa e tij pretencioze, të shtyn të shikosh cilat janë në të vërtetë pesë kushtet e tij.
Në një vështrim të shpejtë të tyre, e vetmja gjë që kuptohet qartë, është se aty nuk ka asnjë kusht për qeverinë, por ka një sërë arsyesh pse Basha nuk ka ndërmend të ulet për Reformën Zgjedhore, po qe se nuk ka pazar.
Pika e parë e kushteve ka të bëjë me “dëshirën” për t’u ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore, por që pasohet nga pesë arsye, pse nuk e bën dot këtë. Dhe arsyet, sipas tij, janë se në këtë proces merr pjesë PS si subjekt dhe individë të saj, që janë përfshirë në krime zgjedhore, dhe se kjo gjë mund të korrigjohet vetëm nëse formula e tryezës do të jetë një nga PD, një nga shumica, dhe një përfaqësues i huaj, një kërkesë që tashmë është refuzuar nga Bashkimi Europian, OSBE, dhe disa ambasadorë të Perëndimit në Tiranë.
Pra ka kërkuar diçka që është e sigurtë që nuk ja japin.
Kushti i dytë, është refuzimi për t’u marrë me anën teknike të reformës, pasi sipas PD, është e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhjet të lira. Ky nuk është kusht ndaj Edi Ramës, por ndaj Perëndimit, që kërkon përmirësime teknike të Kodit Elektoral. Por mbi të gjitha, është refuzim për të marrë pjesë në këtë histori, pasi sipas PD, më e rëndësishme se ndryshimet në ligj, është garancia politike që ajo do për zgjedhjet, dhe që është pazari.
Kushti i tretë është përsëritje e kushtit të dytë dhe këmbëngulje që në fillim të zgjidhen çështjet që kërkojnë vullnet politik, pastaj ato teknik. Pra përsëri me moton “në fillim pazari.”
Kushti i katërt përsërit kushtin e tretë, dhe kërkon garanci shtetërore për barazi në zgjedhje, por jo me këtë qeveri. Pra edhe i kërkon garancitë nga shteti për zgjedhje, edhe do një qeveri tjetër, pa bërë zgjedhje, që të japë garanci për zgjedhjet që do PD. Pra përsëri pazarin.
Kushti i pestë është “Ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë”, ose e thënë ndryshe, pazari i qartë.
Me pak fjalë, të pesta të ashtuquajturat kushte, që në fakt nuk janë kushte, janë një kërkesë për pazar, një përsëritje e telenovelës së lodhshme të PD dhe Lulzim Bashës, para çdo palë zgjedhjesh, që nga viti 2015.
Nuk janë as kushte, as kërkesa, as sugjerime, por thjesht garanci që duan pushtetin në tavolinë, duke injoruar kërkesat e sugjeruara nga OSBE/ODIHR për ndryshime në Kodin Elektoral, dhe mbi të gjitha, duke injoruar kërkesat nga aktorët e tjerë politikë për ndryshim sistemi, apo depolitizim të procesit.
Përkundrazi, PD kërkon kontroll politik të procesit dhe pazar të drejtëpërdrejtë politik për procesin.
Vetëm pasi përfundon së lexuari këto “pesë kushtet”, e kupton arsyen përse Lulzim Basha doli pas mbledhjes me aleatët, dhe si një lobist rrogtar dhe i lumtur kërkoi, që ose të plotësohen pesë kushtet, ose Rama të “hapë krahun”.
Këtu e kupton qartë se e vetmja gjë që funksionon në vizionin e Lulzim Bashës, se si fitohen zgjedhjet, është se si t’i kërkosh një pazar kundërshtarit para zgjedhjeve.
Në këtë rast kërkon që dikush të bindë Edi Ramën, që të “hapë krahun”. Edhe pse këtë gjë nuk e arriti dot as me “revolucionin” e 30 qershorit, ai nuk di mënyrë tjetër se si duhet bërë politikë, përveç kësaj. Ndaj mos u çudisni që “pesë kushtet” nuk janë as kushte, dhe as kërkesa, por një deklaratë kundër Reformës Zgjedhore, po qe se nuk ka pazar.