Philip Reeker, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane dhe të Azisë, ka paralajmëruar palët në Tiranë, se nuk do të ketë asnjë kompromis për reformën në drejtësi dhe se zbatimi i saj do të vazhdojë të mbetet prioritet i SHBA.
Të njëjtin qëndrim dy ditë më parë e pati dhe ambasadori i Republikës italiane në Tiranë, Alberto Cutillo, në një intervistë në një television në Tiranë.
Deklaratat paralajmëruese nga Perëndimi për mos prekje të reformës në drejtësi, ndërkohë që në Tiranë temë e ditës është debati, nëse do të ketë ndonjë kompromis politik mes palëve, tregon në të vërtetë zanfillën e kësaj krize artificiale dhe identifikon problemin real.
Prej fillimit të saj, kriza nuk ishte politike dhe nuk kishte të bënte as me demokracinë, as me pasigurinë elektorale, edhe pse Shqipëria ka plot probleme me korrupsionin e zgjedhjeve dhe institucionet demokratike në vend.
Kriza ka në themel reformën në drejtësi dhe paranojën që ajo ka mbjellë tek dy persona, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët ndjehen të pasigurtë në një sistem të ri, që nuk e kontrollojnë vetë.
Pas përpjekjes së tyre të dështuar për të destabilizuar vendin, për të shkatërruar institucionin e Parlamentit dhe më pas institucionin e zgjedhjeve, dhe vazhdimin e përpjekjeve të tyre për të prodhuar kriza përmes gjykatave, apo segmenteve të pushtetit që kanë nën kontroll, ata tani kanë radhën të bëjnë ofertën e tyre, se çfarë halli kanë.
Dhe me sa duket, halli i tyre është lexuar qartë. Ata duan një kompromis jo me Edi Ramën, se atë as e llogarisin si njeri që mund t’u bëjë keq, por me faktorin perëndimor, që merret me Shqipërinë. Ata duan një pazar për reformën në drejtësi.
Të gjitha ofertat e tyre rreth një kompromisi të mundshëm në Tiranë, duket se ata i kanë adresuar tek problemi që kanë me reformën në drejtësi.
Është kjo arsyeja që Perëndimi po detyrohet të heqë viza të kuqe rreth dialogut të mundshëm në Tiranë, duke bërë të qartë se reforma në drejtësi nuk do të preket.
Kjo e bën dëshpëruese situatën në radhët e opozitës dhe akoma më të pashpresë mundësinë për t’u normalizuar situata.
Ky është momenti kur opozita, ose duhet të shikojë punët e saj, ose pazarin që kërkon Ilir Meta me Sali Berishën.
Nëse i qëndrojnë pazarit të atyre që i nxorrën nga Parlamenti dhe zgjedhjet, për hallin e tyre, për ata nuk do të ketë pazar dhe opozita, jo vetëm që do të vazhdojë të ngelet e papërfaqësuar në pushtet, por do të shkojë drejt shkrirjes së saj.
Ndaj është logjike që opozita të rikuperojë vetveten, duke ndarë fatin e saj me dy persona, që kanë si devizë të vetën “pas meje qameti”.
Ata duan një pazar nga Perëndimi për fatin e tyre, gjë që nuk është, as në kulturën e Perëndimit, dhe as në vemendjen e tyre.
Pazari që kërkon Ilir Meta dhe Sali Berisha është reforma në drejtësi, dhe mesazhi i Perëndimit është se ajo nuk do të preket.
Tani nëse opozita nuk ka ndonjë hall tjetër, veç halleve të Berishës e Metës, mund të vazhdojë të rrijë e papërfaqësuar, dhe jashtë institucioneve.
Por problemi është se qindra mijëra mbështetës të opozitës janë ndëshkuar padrejtësisht nga mospërfaqësimi në pushtet, pa i pyetur askush për greminën ku po i çonin.
Ndaj është koha që fati i tyre, që i zë frika çdo darkë se ku do gjejnë punë nesër, të ndahet nga fati i atyre që i zë frika çdo darkë, se mos u gjejnë lekët.