Baze: Refuzimi i Perëndimit për t’u përfshirë në pazaret e Lulzim Bashës

30 Shtator 2019, 22:02| Përditesimi: 30 Shtator 2019, 22:03

  • Share

Në fillim OSBE dhe më pas Bashkimi Europian, kanë refuzuar publikisht propozimin e Partisë Demokratike për aktorët që duhet të jenë në tryezën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore. Propozimi i PD, që bisedimet të jenë një pazar mes PS, PD-së së Lulzim Bashës dhe një përfaqësuesi ndërkombëtar, në fakt më shumë se sa një formulë që zgjidh problemin e reformës elektorale, është një përpjekje e Lulzim Bashës për t’i vënë vetes një çmim para se të ulet në tryezë.

Ai kërkon të ulet në tryezë me kusht që Perëndimi dhe PS të marrin pjesë në eleminimin e gjithë kundërshtarëve të tij dhe të njohin vetëm atë, si përfaqësues të opozitës.

Në thelb, Lulzim Basha kërkon të përdorë bisedimet për reformën, si një rast për të eleminuar paraprakisht opozitën parlamentare dhe kundërshtarët e tjerë të tij. Ai kërkon që tryeza, më shumë se sa me Reformën Zgjedhore, të jetë një garanci për legjitimitetin e tij në krye të opozitës.

Por këtë garanci realisht nuk e ka në dorë as PS, dhe as Perëndimi, por vetë realiteti që ka prodhuar Lulzim Basha në opozitë.

Opozita parlamentare nuk është produkt i Perëndimit dhe as i PS, por i Lulzim Bashës. Ajo lindi falë një vendimi fatalisht të gabuar të tij, duke mos respektuar demokracinë brenda partisë dhe duke diktuar një rrugë qorre në emër të një basti të tij personal, për të humbur ose fituar gjithçka. Lista plotësuese e PD dhe LSI, nuk ju përgjigj këtij vendimi dhe shkuan në Parlament.

Tani çdo reformë elektorale që kërkon 84 vota, kërkon doemos votën e opozitës parlamentare.

Reforma nuk është as në dorë të Ramës, as të Bashës, as të Perëndimit, por të pakicës parlamentare opozitare, e cila megjithë fuqinë që ka, po tregohet tepër e matur dhe konstruktive në qëndrimet e veta.

Nëse Shqipëria merr hapjen e negociatave më 18 tetor, çfarë ka gjasa të ndodhë, Lulzim Basha e kompleton humbjen e tij spektakolare të këtij viti, dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër për të rimëkëmbur opozitën, përveçse të ketë një fillim të ri me opozitën parlamentare dhe gjithë faktorët e tjerë opozitarë. Për t’u ritkhyer në sistem, ai ka nevojë për atë pjesë të opozitës që është brenda sistemit dhe duhet ta pranojë atë me përunjësi.

Ai ka pranuar pas 30 qershorit humbjen dhe marrjen e bashkive nga PS. Ka pranuar tryezën e bisedimeve pa ikur Edi Rama nga kryeministër. Ka pranuar me dhimbje dështimin në bllokimin e hapjes së negociatave, duke shpresuar tek Holanda deri në fund. Këto janë shumë herë më të forta dhe më me peshë për të, se sa të pranojë opozitën parlamentare, të cilën e ka prodhuar vetë.

Refuzimi i Perëndimit për t’u përfshirë në pazarin që kërkon Basha, nuk vjen nga dëshira për t’i dhënë atij leksione demokracie, por mbi të gjitha nga realiteti i ri i krijuar pas 30 qershorit dhe ulja e rëndësisë institucionale e opozitës jashtë parlamentare.

Pas raportit të Komisionit të Venecias pritet dhe shkarkimi i Ilir Metës, dhe  Lulzim Bashës i ngelet në pushtet vetëm Avokatja e Popullit dhe nënkryetari i AMA, ndaj është mirë të mendojë si të rikthehet pak nga pak kokëulur dhe duke kërkuar ndjesë në sistem.

Ajo që ai nuk kupton, është se tani nuk ka shumë rëndësi dhe nuk është faktor për të penguar asgjë. Nesër do të jetë edhe më pak.

Ai nuk ka më, asnjë armë për të luftuar.

Djegia e mandateve u zhvlerësua qysh ditën që ato u plotësuan nga lista që vetë Lulzim Basha ka dorëzuar në KQZ.

Bojkoti u çaktivizua si bombë tymuese që përdorej prej tij çdo dy vjet, sa herë kishte zgjedhje, duke kërkuar pazar. 30 qershori e skaliti në histori se bojkotuesit mbeten rrugëve dhe nuk shpërblehen.

Revolucioni u ndëshkua mes të tjerash, si një anarki e sponsorizuar me paga bashkiakësh dhe pa forcën e një revolte popullore.

E vetmja fuqi që ka ende Lulzim Basha, është të dorëzohet dhe të pranojë dështimin. Pas kësaj, demokratët e kanë në dorë ta falin, apo të flakin.

Por ai nuk ka më në dorë asgjë, përveçse t’u kërkojë mëshirë dhe paqe të gjithëve. Fillimisht, atyre që tentoi t’i zbonte dhe vazhdon t’i ketë armiq më të rëndësishëm se Edi Ramën./ tema

Komento

Komente

  • KIRI: 01/10/2019 00:57

    PARAGRAFI I fundit eshte brilant,,,,,pd eshte tashme nje parti e mbaruar,,,,askush nuk do ngritjen e saj,,,,,vetem te cmendurit dhe endacaket….

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?