Edi Rama po përpiqet të gjejë një aset të ri opozitar. Pasi e ka konsumuar për gjashtë vite Sali Berishën, si alternativë të vjetër, duket qartë se tani i ka vënë syrin Ilir Metës.
Nga mëngjesi në darkë, dhe dita në ditë, ai përpiqet të konsiderojë si opozitar të tij, Ilir Metën.
Ndaj tij bën ironi, ndaj tij reagon duke e provokuar, atij i lëshon në shpinë Spiropalin dhe drejtues të tjerë të partisë dhe vetëm atij i përgjigjet në çdo gjë që bën.
Herë duke e nxjerrë nga takti, herë duke e nxjerrë dhe nga mendja, ai ka thuajse tre muajt e fundit, duke gdhendur fytyrën e opozitës me tiparet e Ilir Metës.
I sigurt që është i izoluar ndërkombëtarisht, i pasigurtë psiqikisht, dhe i provokueshëm emocionalisht, ai në të vërtetë është duke zbuluar një kryelider të ri opozitar, me të cilën mund të qeshësh dhe qash brenda ditës.
Një ditë e detyron të bëjë si i çmendur dhe të flasë për vetëvrasje, një ditë tjetër të tundë një qen në duar, herë tjetër të parashikojë tërmete dhe të kërkojë llogari pse nuk po marrim masa, një ditë duke sharë Spirapalin si gratë e lagjes, një ditë duke shkruar kujtime për “Reformën në Drejtësi” që i lë gjithmonë në mes, një ditë duke sulmuar Taulant Ballën për gjëra që do të publikohen në të ardhmen, sipas tij, etj.
Në një farë mënyre Edi Rama po përdor daljen nga skena të Berishës, i cili nuk bën dot rolin e kryeopozitarit, pasi Luli i ka dhjerë karrigen, dhe po përdor figurën e Metës për ta forcuar si kryeopozitar.
Dhe nuk po lë gjë pa bërë, për t’u dukur se kundërshtari i tij është Ilir Meta.
Për fat të tij, Ilir Meta e ka marrë me po aq qejf. Aq me qejf sa kam frikë se edhe kur ta shkarkojë, nga President, do ta ketë mbaruar terapinë e të mbushurit mendjes, se ai është alternativë opozitare në vend.
Ky natyrisht është një lajm i mirë për Edi Ramën por jo për shoqërinë. E vetmja opozitë që po fabrikon Edi Rama është Ilir Meta, se një i tillë i duhet. Po është mirë që shoqëria të bëjë opozitën e saj.