Mero Baze

Baze: Të pagjykuarit, që guxojnë të gjykojnë të vrarët

21 Janar 2020, 19:26| Përditesimi: 21 Janar 2020, 19:27

  • Share

Ka një përpjekje që 9 vite pas 21 janarit, ata që u gëzuan me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, të pambrojtur, të paarmatosur, dhe të parrezikshëm, para dyerve të Kryeministrisë, të bëhen tashmë dhe gjykatës të fajit të mbetur jetim nga drejtësia.

Ka një zell të madh të thuhen fjalë me qesëndi për Edi Ramën, që nuk ka dënuar dot Sali Berishën, ka të tjerë si Ilir Meta që ndjehen ende të persekutuar nga “kokëpalarët” që dolën në rrugë, dhe akoma më keq, ka një vrasës si Sali Berisha që tenton të krekoset që ka vrarë, për të testuar sa shanse ka të shpëtojë nga ky krim.

Kjo  ngjarje është historia më e pazakontë e një vrasje shtetërore në botë, pasi vrasjet kanë ndodhur para syve të të gjithëve, të transmetuara ‘live” nga dhjetëra TV.

Autorët dhe viktimat shikohen në kamera. Urdhëruesi vazhdon mburret që ka dhënë urdhër. Ish- ministri i Brendshëm  vazhdon të jetë në politikë, bile si aspirues për kryeministër.

Tani kur drejtësia nuk ka bërë dot ende asgjë, disa gjëra duhet të bëhen të qarta përgjithnjë.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha, njëri kryeministër dhe tjetri ministër i Brendshëm, janë të vetmit zyrtarë në botë, të cilët kanë vrarë katër qytetarë, kanë marrë përsipër vrasjen dhe Prokuroria e shtetit nuk i ka pyetur ende, jo vetëm në cilësinë e të pandehurit, por as në cilësinë e njeriut që ka dijeni për vrasjet.

As në ndonëj fis të humbur të Afrikës, nuk ka ndodhur kjo histori. Ndaj nuk besoj se në Shqipëri do të quhet e vendosur drejtësia e re, nëse këta të dy nuk shkojnë e dëshmojnë para drejtësisë për vrasjet. Marrja e tyre në pyetje, është e vetmja stekë që rrëzon drejtësinë e vjetër dhe na bën me dije se ka ardhur drejtësia e re. Deri ditën që ata nuk do të pyetën për këtë krim, askush nuk do të besojë se gjërat kanë ndryshuar.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë tentuar të manipulojnë skenarin e vrasjeve të 21 janarit, duke shpikur fillimisht një version, që vrasja ishte vepër e vet opozitës.

Aleksandër Frangaj manipuloi në emisionin “Opinion”,  videot e një plaku të hutuar para derës së Kryeministrisë me çadër në dorë, ndërsa dy mjekë në Spitalin Ushtarak u përdorën si “ekspertë” që provonin se ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël.

Sali Berisha e mbrojti publikisht në orën 19: 30 versionin e vrasjes nga vetë opozita dhe kërcënoi gazetarët që dëshmuan se krimi ndodhi nga Garda. E gjitha kjo është e dokumentuar.

Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë prishur provat në orën 01: 30 të natës, duke u gdhirë 22 janari, duke ndërruar serverin e kamerave të Kryeministrisë. Serverin e vjetër e kanë fshehur për shantazh ndaj oficerëve që mund të tradhtonin.

Kjo është e provuar shkencërisht nga ekspertiza amerikane e serverit të Kryeministrisë. Sali Berisha premtoi publikisht se do vinte në dispozicion serverin e Kryeministrisë, ndërkohë që e kishte fshirë atë. Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë ndryshuar versionin e vrasjeve më 22 janar, duke kaluar nga “I vrau opozita”, në skenarin “I vramë ne, se ishte grusht shteti”.

Ata akuzuan presidentin e Republikës si puçist, kryeprokuroren si lavire bulevardi, katër gazetarë, përfshi dhe mua, si organzitorë puçi, dhe ngritën një komision qesharak parlamentar për të shantazhuar drejtësinë.

Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha refuzuan të dorëzojnë gjashtë gardistët e shpallur në kërkim nga Prokuroria, me argumentin se dëmtohej zinxhiri komandues i Gardës. Gardistët u mbajtën në bodrumin e Kryeministrisë dhe u mjekuan aty, për të zhdukur provat dhe për të koordinuar dëshmitë e rreme.

Plumbat e fshinë nga oborri i Kryeministrisë dhe porta u tentua të ndërrohet. Pengimi i arrestimeve dhe prishja e vendngjarjes janë vepër penale. Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë çuar badigardin e familjes Berisha tek familja e Hekuran Dedës për të blerë gjakun. Ata tentuan t’u mbyllin gojën me lekë dhe t’i detyrojnë të mohojnë gjakun e djalit të vrarë. Familja reagoi me dinjitet.

Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha bllokuan hetimin e tyre përmes një Komisioni Parlamentar që tentoi të zëvendësonte hetimet e Prokurorisë, duke shpallur si të akuzuar gjithë Prokurorinë.

Komisioni shërbeu si një argument politik që ata të mos merreshin në pyetje, pasi ndërkohë kishin kompromentuar politikisht Prokurorinë. Deri ditën që kjo nuk do konsiderohet vepër penale si fshehje krimi, mos besoni se drejtësia e re ka ardhur.

Shumcia e këtyre gazetarëve që sot mbrojnë molotovët mbi Kryeministri, zjarrin mbi Parlament, dhunën mbi policët, ato ditë linçonin të vrarët dhe mbronin vrasësit.

Sali Berisha përgjonte telefonat tanë dhe ua përcillte gazetarëve të oborrit, për të na demaskuar. Dhe unë kam parë përmbajtjen e SMS-ve të mija me Edi Ramën, në një shkrim të Fatos Lubonjës, i cili nuk fliste me gojë, as me mua, as me Edi Ramën. Kjo tregon shumë se si një vrasës si Sali Berisha, ka përdorur gazetarët e oborrit të tij kundër qytetarëve.

Ndaj sot kur shikon se e njëjta racë përpiqet të barazojë peshën e krimit të vrasësve, me përgjegjësinë morale dhe njerëzore të ish- opozitës, për të vrarët e saj, e kupton më mirë, pse të gjithë ata që u gëzuan për vrasjet, sot bëjnë si të mërzitur, që ish- opozita nuk ja ka dalë dot të gjykojë vrasësit.

Në fakt nuk janë të mërzitur. Janë të gëzuar që nuk janë gjykuar dhe dënuar akoma. Shpresoj mos të zgjasë gjatë ky gëzim i lig i atyre që frikën nga gjykimi e demonstrojnë si guxim për të vrarë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?