BE, me marrshin N drejt zgjerimit!

17 Mars 2022, 19:11| Përditesimi: 17 Mars 2022, 19:13

  • Share

Lufta (në Ukrainë) ka ndryshuar gjithçka: Gjermania nuk është më pacifiste, Zvicra nuk është më neutrale, opinioni në Suedi dhe Finlandë kërkon anëtarësim në NATO, Rusia është përjashtuar nga Këshilli Europës. BE e krijuar për të shmangur luftën në kontinent nuk është ajo që ishte para 3 javësh. BE ka ndryshuar sepse lufta ka trokitur në shtëpi!

Por duket në këto kohë ndryshimesh epokale një gjë ka mbetur e pa ndryshuar: procesi zgjerimit të BE-së!

Edhe sot flitet njëlloj si para 24 shkurtit (ditës së sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës) Do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nëse Bullgaria heq veton ndaj Shkupit?! Pastaj vijon mbledhja e parë, pastaj nis puna me kapitujt etj etj!

Nëse Brukseli deri më tani ka shpallur në valën e 4-t të sanksioneve ndaj Rusisë, është koha që t'i japë një goditje ëndrrave dhe aspiratave të Rusisë në rajon duke përshpejtuar në maksimum anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE!

Në këtë mënyrë i jepet një ndihmë edhe aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në BE! Deri më tani Ukrainës ju tha se nuk mund të ketë një korsi të veçantë shpejtësie për ju sepse vendet e Ballkanit po presin në radhë duke bërë detyrat e shtëpisë!

Më shumë se çështje ekonomike (gjithë GDP e gjithë vendeve të rajonit është më e vogël se Greqia dhe gjithë popullsia e rajonit është 16 milionë banorë) anëtarësimi i vendeve të Ballkanit është çështje sigurie si për BE ashtu edhe për rajonin!

Nëse çdo gjë vijon si me parë?

Kosto e zvarritjes në procesin e integrimit do të jetë më e lartë se kosto e menaxhimit duke qenë brenda Unionit.  BE do të shpenzojë  më pak e do të ketë më pak probleme duke na përthithur pa procedura, sesa duke na mbajtur jashtë saj, tërhiq e mos këput.

Në qershorin e vitit të ardhshëm, mbushen 20 vjet nga Samiti famshëm i Selanikut ku kryetarët e shteteve të BE i premtuan rajonit perspektivën e anëtarësimit. Gjatë këtyre 20 viteve vetëm Kroacia është anëtarësuar në BE!

Mbi 65% e njerëzve në rajon mbështesin anëtarësimin në BE! Komisioni Europian thotë prej 3 vitesh se kushtet teknike janë plotësuar! (Po të “skanohen” me kapitujt e sotëm gjysma e vendeve të BE-së nuk kalojnë testin)  Tani mbetet vullneti politik! Nëse vendet e mëdha anëtarë të Unionit, dy tre vite më parë shqetësoheshin për disa mijëra azilkërkues shqiptarë, sot në BE janë 3 milionë refugjatë!

Lufta ka ndryshuar gjithçka! A do të ndryshojë edhe politikën e zgjerimit të BE-se ndaj Ballkanit apo do të vijojë të qëndrojë me marrshin N?!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?