BE: Serbia ka shkelur qartazi detyrimet nga dialogu me Kosovën

30 Tetor, 12:28| Përditesimi: 30 Tetor, 12:32

  • Share

Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se Serbia i ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

BE-ja ia rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.

Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi të martën Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës me këto projektligje.

Bislimi, i cili është dhe kryenegociator në dialog, tha se Serbia “bën bën çdo përpjekje për ta bllokuar” normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Projektligjit thotë se juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas Qeverisë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u pajtuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, të pakënaqur me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Këtë vit, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa - si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe - në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

Kjo e shtyri Beogradin zyrtar të njoftojë në shtator se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e "interesave jetike kombëtare të popullit serb" në Kosovë.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte paraqitur një sërë masash për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të "ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe" në Kosovë.

Ai tha sokohe se kjo masë nuk do të zgjaste "përjetësisht," por vetëm deri në vendosjen dhe respektimin e normave të dakorduara dhe të nënshkruara në Bruksel, duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?