BE-ja kërcënon udhëheqësit e serbëve të Bosnjës me sanksione

11 Janar 2022, 02:15| Përditesimi: 11 Janar 2022, 02:17

  • Share

Bashkimi Evropian paralajmëroi udhëheqësit e serbëve të Bosnjës se mund të përballen me sanksione dhe me rishqyrtim të ndihmës evropiane, nëse nuk i japin fund nxitjes së tensioneve dhe retorikës nxitëse ndërmjet komuniteteve.

Paralajmërimi pasoi kremtimin e së dielës të ditës së Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës. Nëntë janari është dita kur në vitin 1992 serbët e Bosnjës shpallën pavarësinë nga pjesa tjetër e vendit, gjë që u pasua me një luftë të përgjakshme, e cila la pas vetes 100 mijë të vrarë. Shënimi i kësaj dite ishte shpallur jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës. Përgjatë kremtimit u shënuan incidente gjithandej Republikës Serbe, thirrje në mbështetje të kriminelëve të luftës dhe kërcënime ndaj myslimanëve boshnjakë.

“BE-ja dënon me vendosmëri retorikën negative, përçarëse dhe nxitëse të përdorur nga udhëheqësit e Republikës Serbe gjatë festimeve të 9 janarit. Retorika dhe veprime të tilla kanë rritur më tej tensionet midis komuniteteve në gjithë vendin dhe po përshkallëzojnë më tej krizën e vazhdueshme politike”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai nënvizoi se kjo “rrezikon qëndrueshmërinë dhe përparimin e vendit dhe është në kundërshtim të plotë me ardhmërinë e tij evropiane, që mund të bazohet vetëm në një Bosnjë dhe Hercegovinë të bashkuar dhe sovrane”, tha ai. BE-ja shprehu keqardhjen edhe për mbështetjen e dhënë nga partnerët e tjerë për demonstrative të tilla, që kërcënojnë qëndrueshmërinë rajonale dhe ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Përfaqësues të qeverisë nga Beogradi, ishin pjesë e kremtimeve.

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, një nacionalist pro-rus, ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërheqë përfaqësuesit serbë nga forcat e armatosura, nga sistemi tatimor dhe ai gjyqësor i Bosnjës dhe do të krijojë institucione të pavarura serbe. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Milorad Dodikut për korrupsion dhe kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës. Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim dhe qëndrimi i sotëm është hera e parë kur është kërcënuar me sanksione. Pas luftës së viteve të 90-ta, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë. Ende e përndjekur nga ndarjet etnike, Bosnja është në mes të krizës më të thellë politike që nga lufta e viteve të 90-ta, që mori fund më marrëveshjen e paqes që u arrit në Dayton./VOA

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 11/01/2022 07:58

    Kush ju beson fjaleve te BE esht nji Idiot,flasin kot per gjerat qe nuk kan ndodhur kure dhe genjeshtra ,Be nuk e ka fuqine te vendos sanksione kunder Serbeve ,BE ka fuqi vetem Kosoves dhe Shqiperise tju bejne presion dhe te pranojne se cka Thot BE ,poe Serbet as nuk e ndegjojne prallat e BE,13000 njerez u humben ne Kosove nga lufta a e ndegjuat nji shtet te Be te flase per kete asnji here,e njejta ndodhi ne luften e Bosnjes po ta kishte mbyllur NATOJA ose BE kufirin e Serbise me Bosnjen nuk dote ndodhte asgje ne Srebrenice por keta i dhane lejen Ushtrise te Millosheviqit qe tju ndihmonte Serbve te Bosnjes pra mos besoni genjeshtrat E BE edhe te Amerikes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?