Bashkimi Evropian (BE) nuk dëshiron luftë tregtare me Pekinin, por pesë vjet bisedime nuk kanë treguar përparim të mirëfilltë, tha të shtunën ambasadori i bllokut në Kinë, Jorge Toledo.
Toledo theksoi se janë rritur shqetësimet për qasjen e pajisjeve mjekësore evropiane në tregun kinez.
Mospajtimet tregtare mes bllokut dhe Kinës janë rritur dukshëm gjatë vitit të fundit, pasi BE-ja e nisi një hetim ndaj importit të veturave elektrike të prodhuara nga Kina, duke e nxitur Pekinin të niste hetime ndaj industrive evropiane të qumështit dhe mishit të derrit, si dhe t’i kufizonte importet e rakisë.
Tarifat e reja të BE-së deri në 45.3 për qind ndaj importit të veturave elektrike nga Kina, hynë në fuqi javën e kaluar.
Për më tepër, BE-ja e nisi në prill një hetim ndaj prokurimit publik që Kina ua bën pajisjeve mjekësore, gjë që u kritikua në atë kohë nga Pekini.
Duke folur në një ngjarje të shtunën në Shangai, Toledo tha se pas bisedave me prodhuesit e pajisjeve mjekësore evropiane është kuptuar se ata po diskriminohen nga prokurimi publik i Kinës.
“Ne e kemi kuptuar, kjo është e qartë... kompanitë evropiane, të cilat kanë prodhuar pajisje mjekësore në Kinë në dy dekadat e fundit, janë duke u diskriminuar karshi konkurrentëve të vet kinezë në procedurat e prokurimit publik”, tha Toledo.
“Nëse kjo është e vërtetë, dhe ne e dimë se është, atëherë edhe ne do t’i trajtojmë ngjashëm kompanitë kineze në Evropë”, tha ai.
Por ai shtoi se “ne nuk duam luftë tregtare. Ne thjesht duam transparencë”./ REL