Berisha dhe Rama

Ben Andoni: ‘6 Dhjetori’, mrekullia e Ramës dhe fati i Berishës

28 Nëntor 2022, 21:34| Përditesimi: 28 Nëntor 2022, 22:03

  • Share

Prej ditës që u bë e njohur data 6 Dhjetor, si kohë-mbledhja e Samitit evropian në Tiranë, llambat e Berishës u ndezën njëherësh. Duke qenë se improvizon në çdo moment, madje edhe brenda një proteste (siç ndodhi me atë të fillim-janarit të këtij viti), kur gati i vuri flakën selisë së PD-së, kjo datë ishte një bekim nga qielli. Paçka deklaratave të mekura të maxhorancës, u kuptua se Berisha nuk do ndalej dhe i kishte ardhur asi i duhur në dorë. Falë dhe ligjit tonë, që tashmë mjafton lajmërimi por është e padobi leja, Berisha ka gjetur elementë inkurajues në marketingun e tij politik.

Shtuar me prononcimin e autoriteteve evropiane për sensin e protestës, do rezultonte thjesht e bukur dhe një konfirmim më shumë se kjo zgjedhje e Berishës ishte e duhura. Në fakt, deri më tani është përballur me mëdyshësinë e PL-së për pjesëmarrje, që shikon në çdo moment si të përfitojë në kurriz të PD-së (një gjë të cilën e bëri rëndom LSI-ja pararendëse në kurriz të dy partive kryesore). Sa për aleatët e Berishës, ata, nuk mund të përmendën në këtë rast, pasi pragmatizmi i tyre në fakt është thjesht mënyra sesi mund të përfitojnë kurdoherë në nivel kryetarësh, pasi partitë e tyre janë pothuaj inekzistente. Në këtë vorbull Berisha, si mjeshtër i marketingut politik të kaosit e përfitoi një datë dhe ashtu si ndodh me shqiptarët, që nuk i mobilizon dot për problemet jetike por i trand po i kërkoi partia, e ka arritur fitoren. U gjeti një datë të re militantëve, që prisnin prej ditësh për ndonjë plan protestash, por që nuk dukej në horizont. Këtë e shikon në lumturinë sesi militantët janë gati për çdo që lajmëron Berisha, por aspak gati të ndihmojnë në bashkimin e partisë së tyre, që ka formën më të shëmtuar pas krijimit: Ndarë në dy pjesë dhe në dyert e gjykatave të niveleve të ndryshme.

Por nga oborri i gjykatave vjen tashmë dhe tragjedia politike shqiptare. Duke e lënë pa përgjigje fatin e grupit që përfaqëson Berisha; duke qenë e ftohtë para fatit të PD-së dhe mbi të gjitha e kuar nga mirëbërësia e PS-së, që e mban Berishën krejt të qetë, Drejtësia duket se po e ndëshkon sipas mënyrës së saj politikën në fuqi. Ndaj, ndodh, që sot, më shumë frikë kanë zyrtarët e PS-së të niveleve të ndryshme sesa Berisha dhe njerëzit afër tij, që tregohen me gisht si të akuzuar nga zyrtarët amerikanë dhe britanikë.

Rama, vetë, duket se është njeriu më i kënaqur me këtë statusquo, pasi më 6 Dhjetor, do të tregojë një Shqipëri demokratike, ku opozita mund të demonstroj dhe të bëj për herë të parë një samit të tillë, siç është ky i pari në Tiranë. Por edhe se gjatë drejtimit të Ramës u arrit një aktivitet i tillë, që zor se do të përsëritet për shumë kohë në vend. E mbi të gjitha, do organizohet nga vetë ai, Rama.

Deridiku duket reale skenari që juristi Spahiu e paraqiste kohë më parë se Sali Berisha nuk do arrestohet apo dënohet dot kurrë nga prokuroria dhe gjykata:

  • 1- Sepse ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit penal. Kodi Proçedural Penal nuk lejon proçedimin e një subjekti që ka kryer veprën penale korrupsion aktiv apo pasiv dhe shpërdorim detyre 10 vjet më parë.
  • 2- Sepse Partia Socialiste e dorëzoi qëllimisht denoncimin në Prokurori pas 9 vjetësh që erdhi në pushtet. DMTH në kufijtë e afateve penale, për ta penguar drejtësinë.
  • 3- Edhe po u ndryshua ligji, s’ka efekt prapaveprues. Ligji i ri s’mund të ketë efekt për vepra penale të kryera 10 vjet më parë(citim nga Spahiu).

Këtyre u shtohet edhe një kusht i katërt dashuria dhe veneracioni i përgjithshëm për Berishën, që e sheh nga media, politika e maxhorancës që bën sikur e kundërshton dhe mbi të gjitha adhurimi i Drejtësisë, që e shikon me gati apoteozë Berishës, që ky i fundit, sipas shpjegimit të lartcituar nuk ka pse të shqetësohet me zërat e mekur dhe në radhë të pozitës.

Ndaj 6 Dhjetori është i Ramës dhe po aq i Berishës sepse edhe Shqipëria është thjesht zgjatim i interesave dhe verdikteve të tyre. Kur t’u teket dhe si të duan…

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ylli: 28/11/2022 21:56

    Sa here mblidhet G7 e deri ne G20, gjithmone shoqerohet me protesta te forta te grupeve te interesit, vecanerisht ambientalistet. Ndersa kushdo gazetar qe ende ka nje fare minimum te etikes dhe objektivitetit, e presim te na "ndricoje" perkunder absolutizmit neokomunist te me te egrit stalinist, Edi Rames, jane te zene me pseudokomunistin Berisha. Ose sic thote populli, e kane me qef parrullen "ujku ujku" nderkohe qe cakenjte patronazhiste bejne kerdine me pasurine, pronen dhe interesin legjitim te publikut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?