Nëse Albin Kurti do të përshfaqet dhe do të vazhdojë me idetë e tij të deritanishme sa i përket dialogut me Serbinë por edhe një sërë problemesh të tjera që kulmojnë me simbolikën e shtetit kosovar, atëherë ai do të përballet me probleme. Më të mëdhatë janë ato që lidhen me Serbinë dhe fillimin e dialogut. Ajo që mund t’ia zbardhë faqen dhe që mund t’i japë frymë ideve të tij të mëpasshme është nëse do të dije të luajë si duhet qysh në fillim me konjukturat evropiane që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.
Në aspektin afatshkurtër është mënyra sesi do të rregullohet aliazhi i duhur me LDK-në. Që do të thotë a do të përafrohen dot si duhet programet? A do të munden të afrohen dot ideologjitë deri aty që të mos prishin narracionin e dy partive dhe kështu me rradhë? Zgjidhja më e mirë e tij dhe që duket se do të marrë jetë është emërimi i Vjosa Osmanit, si zëvendëskryeministre me detyra të qarta dhe të përcaktuara ekzekutive, si edhe Ministre e Jashtme falë reputacionit të saj. Një portofol duket se duhet dhënë për serbët e që është i arsyeshëm me 10 votat e tyre këtë herë falë rezultateve në zgjedhjet e 6 Tetorit.
Ndërkohë që z.Kurti duhet të dijë se Evropa dhe sidomos strukturat që merren me Kosovën nuk e kanë luksin t’i kthehen nga fillimi mbarëvajtjes së 33 Marrëveshjeve të përmbyllura deri më tash, element që ai i përmbahet fort. Në një farë mënyre ajo është nëpërkëmbje e punës së përbashkët të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në rangje të ndryshme, paçka se një pjesë e marrëveshjeve janë realizuar me vështirësi, kurse një palë tjetër kanë mbetur në letër.
Kosova dhe Serbia nuk janë më në qendër të problemeve të kontinentit dhe kriza e tyre mund të vazhdojë sa të dojë kur kujton atë që po ndodh në Ukrainë, problemet e emigracionit nga Lindja, Brexit, etj.
Por Albin Kurti ka të drejtë kur flet për problemet e të zhdukurve shqiptarë kosovarë dhe serbë, si edhe një fat për mbetjet e tyre. Kjo do t’i japë shumë reputacionin qeverisjes së tij por edhe shumë mbështetje.
I vetmi ngushëllim për ndërkombëtarët është se z.Kurti ka premtuar që do të heqë taksën kundrejt masës së reciprocitetit të Serbisë e cila lidhet me shenjat e Kosovës, ndërsa do të ngrejë dhe problemet e pensioneve dhe sidomos kthimin e artefakteve kosovare.
Mbi të gjitha, ai pas rregullimit të problematikave me znj.Osmani, i duhet të mbrojë në një kënd tjetër qëndrimet e tij, ashtu si edhe të justifikojë ndryshimin e qëndrimit për Shqipërinë, që në fakt mbetet po ajo në thelb: Bashkim por me referendum!
Në një farë mënyre, duket se Albini nuk e dëgjon aspak atë që na është bërë e qartë prej kohësh nga Brukseli: dy shtete të pavarura! Ka ardhur koha, pra, që Albini të merret me programin e tij si ta bëj të justifikueshëm me LDK-në, e mbi të gjitha, si të luftojë atë Albinin e dikurshëm, që tërheq pas vete një masë aq shumë të ndryshme dhe që kanë luftuar që nga LDK dhe duke vazhduar më poshtë. Por, në fillim duhet t’i mbushë mëndjen LDK-së dhe Vjosës. (Javanews)