Që në momentin që nga grupi i tij i Rithemelimit Berisha është shpallur kryetar i PD-së (në fakt ishte në hije, deri më atëherë) gjithçka në formacionin e ndarë të Demokratëve është e kanalizuar përmes tij. Ai akuzon. Ai përçmon. Ai mëton. Ai qesëndis. Ai vendos. Ai tall. Ai…
SPAK, një nga investimet më të mëdha të sakrificës së shqiptarëve, edhe me një akuzë që drejtohet nga DASH dhe që e ndih (pa asnjë mëdyshje, një nga institucionet e huaja që ne shqiptarët e kemi si burim referimi, kurse politikanët tanë si mjet sulmi ndaj njëri tjetrit) hesht. Në daljet e mekura dhe të kursyera të kryetarit të saj flitet me statistika dhe në fakt ka lajme pozitive, por që gjithsesi nuk është se po e ndijnë shumë vendin për ndryshim. Skandali i inceneratorëve, vjedhjet e mëdha të pronës publike, administrata e lartë e përlyer preket deri në një cak por aspak më larg. Rama mbron të tijët pastaj, kurse opozita bën lojën e saj të strucit. Në këtë ujë të ndotur politiko-social, sot, po noton Berisha, për të tretën herë në historinë e karrierës së vet, ku po mëton të sjellë diçka të re, por që kulmon tek e fundit me vetëm një qëllim: Ardhjen e tij dhe ikjen e Ramës! Sikur vetëm kjo të sillet për shqiptarët. Atë që Edi Rama e drejtoi me sukses duke i zënë vendin dhe duke bërë rrugëtimin në tre mandate. Apo Si vallë Berisha bëri ndaj Nanos dhe ky po ndaj Berishës. Si ka të ngjarë që mbetemi gjithnjë në një spirale vorbulle që na rrotullon në të njëjtin vend? Duket se është fati i popujve në nivelin tonë të demokracisë.
Në një film humoristik të pak kohëve më parë, sjellë nga kinematografia gjermane, simulohet ardhja e Hitlerit. Në disa momente kamera e filmit ka shfrytëzuar imazhe reale, ku aktori-manekin me kamera të fshehura përballet me situata reale! E habitshme është përballja e parë me të, i çuditshëm reagimi i njerëzve. Surreal bashkëbisedimi i tij, që kthehet në monolog. Një pjesë e madhe e publikut e shikon me kërshëri, të tjerë u pëlqen të dëgjojnë teza ku nacionalizmi, urrejtja e përshfaqur natyrshëm nga kinse Fyhreri dhe forma diktatoriale e shtetit jepet përmes problemeve të shtetit të sotëm. Dhe, argumentet që sjell “Fyhreri” jo pak herë janë të drejta: në film kjo jepet me një audiencë të shtuar kur ai flet në mediume publike, por edhe me pamundësinë që “Fyhreri” të përballet me kundër-reagime. Papunësia, polarizimi i shoqërisë, varfëria, dinjiteti trajtohen ndryshe nga kinse Fyhreri. Kjo deri në një cak sepse kur shkon në një cak më të lartë intelektualiteti, i tregohet vendi. Për pogromin ndaj hebrenjve, për atë sesi e katranosi Gjermaninë, për politikat e tij sociale, i vendoset përballë reagimi i ashpër. Dhe, në thelb ti kupton të vërtetën qoftë edhe me gjuhën e humorit. Gjermania ka bërë një pakt social. E keqja, paçka se rëndoi më shumë te një pjesë dhe më pak të një pjesë tjetër është e keqe dhe nuk përmendet me ose i jepet koshit të pamëshirë të historisë. Gjermanët e kanë bërë.
Ne nuk e bëjmë dot pasi Shqipëria është e prekshme nga të gjithë. Nuk e bëmë dot për Enverin, nuk e bëmë dot për Luftën e Dytë Botërore e kështu me radhë. Socialistët na thanë në 2013 se do t’i kalonin dhe do avokonin që fajtorët e prapambetjes kombëtare të ishin në kosh. Ata u ricikluan. Premtuan për duar të pastra, por skandalet e fundit, me të cilat ngrohet dhe Berisha (që meket kur duhet të përmendë ndonjë të ashtuquajtur oligark, hesht) treguan se ua ka qejfi këtë lloj, ku të gjithë ta prekin Shqipërinë e pagojë, pronë të pa pronë të njerëzve të thjeshtë. Mbase, kjo të sjell filmin në kokë, ku edhe e keqja nëse jeton në një botë të së përlyerës, mund të duket si e mirë. Rasti me Berishën po e tregon qartë. Ai është i paprekshëm dhe këtë e shikon lehtë nga njerëzit që e ndjekin dhe nuk gjykojnë për pasojat e qeverisjes dhe sjelljes së tij, të njerëzve që gjejnë sofizma pa fund për ta mbrojtur apo nga sikleti dukshëm i hapur i SPAK-ut për të gjykuar pa ngjyra. Aman, kur vjen puna te Shqipëria…ajo mund të preket nga të gjithë…të padënuarit.