Foto ilustruese

Ben Andoni: Kush do e sjellë ‘silver bullet-in’ tek PD-ja?!

31 Maj 2023, 18:21| Përditesimi: 31 Maj 2023, 18:25

  • Share

“Silver bullet” në kuptimin e drejtpërdrejtë do të thotë ”fishek i argjendtë”. Por, në fjalorin politik, sa i përket terminologjisë, “silver bullet” mbart kuptimin e një metafore për kërkimin e një zgjidhje të thjeshtë, por që bën mrekullinë magjike të dhënies fund të një problemi të vështirë. E thjeshtuar në kontekstin shqiptar, në frymën e përçarjes së opozitës, do të thotë se: Në rastin e Partisë Demokratike synohet dikush ta sjellë objektin metaforik për t’u zgjidhur kaosin.

Kuptohet se Sali Berisha, kryetari aktual (Rithemelimit), nuk ka nevojë për këtë mjet sepse është në krye të saj dhe i bindur që askush nuk ia merr grupimin e tij politik, paçka se ligjërisht ka një formacion që ende nuk po i legalizohet statuti. Dhe, kur dëgjon lektorë, mbështetës dhe funksionarë afër tij bindesh: Vetëm Berisha “e mban” këtë lloj partie. Kanë plotësisht të vërtetë, sipas tyre dhe, ndaj e shprehin me siguri, sepse askush në të vërtetë nuk do ta shikojë më ndryshimin pa Berishën tek ky formacion.

Partia Demokratike (legale) është edhe më e përçarë, falë interesave por më shumë paqartësive, e më shumë se kaq përpjekjeve për të pasur hegjemoninë në një partizë krejt të fragmentarizuar, ku nënkryetarja Tabaku dhe Sekretari Bardhi janë në dukje më “kaotikët”, por në fakt janë shfaqur si më konjukturalët. Pjesa tjetër gri janë në masë për statuse në rrjetet sociale dhe qesëndi, por aspak përballje reale!!! Partinë Demokratike po e shfrytëzojnë të gjithë nën slloganin: Të luftojmë Edi Ramën! Alibeaj mundi ta mbante barrën në momentin më të vështirë pas ikjes së Bashës, por që në këtë amulli, thjesht u zvarrit gati vetmitar për të ruajtur identitetin e kësaj force. Kurse shfaqja në këto momente e ish-kryetarit Basha e ka shtuar edhe më shumë amullinë dhe konfuzionin, por edhe groteskun, që për hir të vërtetës, kryetari i kurbës ulëse të historisë së PD-së e ka justifikuar de jure me dobësinë e tij politike dhe de facto ndikimin pas kuintave të Berishës. Vendimi i tij për bojkotin e zgjedhjeve të vitit 2019 i dha dërrmën pushtetit lokal, ikja nga Reforma Teritoriale dhe pakti me Ramën ua blatoi qeverisjen e tyre socialistëve duke e forcuar në çdo qelizë të shtetit ndërfutjen e ndikimit rozë.

….Nëse drejtimi i PS-së është arsyeja kryesore për regjimin hibrid demokratik, sjellja e PD-së e ka ndihur indirekt atë me gjuhën e përdorur, me diskursin politik, me sjelljen ideologjike, e me pamundësinë për të mos zgjidhur demokratikisht vetë punët e partisë, fakt që e ka bërë orientimin e saj tashmë të jetë krejt kaotik.

Gjuha e ashpër deri te dhuna është rasti i PD-së, por në zgjedhje cinizmin e treguan dhe kolegët e tyre të PS-së, respektivisht përmes dy primatëve të tyre Berisha dhe Rama, që eklipsuan punën e kandidatëve të tyre, por më shumë se kaq futën retorikën e përçarjes së thellë. Anëtarët e këtyre partive (një pjesë jo e vogël) kanë neveri për kundërshtarët e tyre, kurse në rastin e PD-së shtohet edhe elementi që grupi i Rithemelimit i koncepton rivalët (edhe ata brenda ngjyrës së vet) si krejtësisht të huaj. Kjo lloj formë toksike e polarizimit ka ndryshuar rrënjësisht diskursin politik, civilizimin publik dhe madje edhe mënyrën se si po na drejtojnë sot politikanët tanë. Fyerjet e Berishës shkuan deri në ekstreme, paçka se nga ana tjetër e ushqente këtë cinizmi i pamatë i kryeministrit Rama. Po a duhet t’i marrim kaq seriozisht politikanët?! Për fat të keq,“Politika është një çështje shumë serioze për t’ua lënë në dorë politikanëve”, citojmë Charles de Gol.

Veçse rreziku që ka sjellë prania e gjuhës së urrejtjes së Berishës ndaj PD-së (legale) është tejet larg parashikimeve për bashkim dhe përgjigje për këtë ishte indiferenca e njerëzve në zgjedhje. Ia vlen t’u kujtojmë qytetarëve tanë se çfarë ndodhi me gjuhën dhe aktet e vitit 1997, kohë kur Shqipëria gati u përfshi në një Luftë Civile. Media e politizuar në shumë segmente jo vetëm e mbështet por edhe e shtyn këtë gjuhë, që tashmë PD-në e ka ndarë si rrallë ndonjëherë. Publiku i pamësuar me standarte të mira dhe në një kohë, kur ky fenomen është i përbotshëm në politikë, i pëlqen tifozllëku, kurse pak zërat e fushave të ndryshme që tregojnë maturi, pothuaj heshten. Nëse Partia Demokratike do dinte të ndërtonte në gjirin e saj një formacion, ku të mungonte gjuha e urrejtjes dhe jo pak herë thirrjet për dhunë, e të tregonte modelet e zhvilluara të së Djathtës dhe mënyrat e sjelljes sesi mund të dilej nga ky qorrsokak, nuk do ndodhte ky paradoks.

Veçse ka një sens që e kupton në narrativën e përdorur nga Berisha & CO, e që nënvetëdija e shumë pushtetarëve e nxjerr indirekt herë pas here, ku duken përzierjet e ngjyresat e dhunës verbale, që dikur përcillte Diktatura e Proletariatit, në nënshtrimin pasens ndaj monarkisë, kolaboracionizmin dhe kaotizmin ideologjik të viteve ’20. Ndaj, flasim për tranzicion, por duket se ne kemi një tranzicion të madh për të kaluar, atë që lidhet me zhvillimin shoqëror-politik-ekonomik, që lë shumë për të dëshiruar. Dhuna e përdorur nga mbështetësit e PD-së (Rithemelimit) ndaj SHQUP-it dhe kundërpërgjigja me gaz ndaj tyre nga kolegët e PD-së (Legale) do të mbahet mënd gjatë për mungesën e tolerancës, gjuhën dhe aktet e dhunës ekstreme etj., e më shumë se kaq atë frymë enveriste që shfaqim ndaj kundërshtarit.

Kështu vimë në ditët tona, ku akoma më e frikshme te PD-ja në këto ditë pas zgjedhjeve është reagimi normal demokratik, ku më shumë ka rendje t’i tregojë besnikërinë Berishës, liderit suprem. Ndërkohë nuk po reflektohet ndaj humbjes fatale të zgjedhjeve.

Çdokush që e njeh mirë historinë e di mirë sesa shumë i kushtuan shqiptarëve qysh në 1878, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dështoi në përpjekjen e saj për t’i bashkuar vilajetet shqiptare. Ndërkohë, fqinjët po merrnin udhën e formimit të shteteve, ne luftonim për zulmat e prijësve dhe ndjekësve të tyre (Sa shkon rasti i PD-së).

Të paktën me këtë lloj fryme apo nëse vazhdon kështu, kjo PD e ka mbyllur misionin e saj. I vetmi ngushëllim është se konflikti ekstrem nuk është vetëm rasti shqiptar i demokracisë. Njohja e identitetit politik të njerëzve tani të tregon shumë rreth asaj se si ka të ngjarë të jenë identitetet e tyre të tjera shoqërore dhe ka një ekzagjerim të madh në mendjet tona rreth asaj se si duket pala tjetër, referojnë politologët amerikanë për Republikanët dhe Demokratët: “Unë nuk mund të lidhem me ta, pasi ata i urrejnë njerëzit si unë”. Pra, sigurisht, ju mendoni se është e arsyeshme t’i sulmoni ata ose ndoshta t’ua mohoni atyre deri lirinë më të pakët demokratike nëse aksionet janë të larta për sa i përket qëllimeve tuaja politike. Ndërkohë që vetëm një lloj ndërgjegjësimi i tillë se ai grup tjetër është shumë më pak i ndryshëm ose ju urren shumë më pak se sa mendoni, mund të zbusë tendencën për të sakrifikuar normat demokratike për qëllime partiake, shkruan Christie Aschwanden tek artikulli “Why Hatred and ‘Othering’ of Political Foes Has Spiked to Extreme Levels” në “Scientific American”, duke dhënë një ilaç edhe për PD-në e sotme.

A mundet të ngrihet një retorikë e re te PD-ja? A mundet të kuptohet që nuk ecet më kështu? Fakti po tregon se kjo mundësi është e limituar nga besnikëria pa fre e njerëzve të PD-së pranë Berishës dhe kaosit të njerëzve të PD-së legale, që nuk dinë se çfarë duan, apo me fare pak njeerëz si Bejko që u mbajtën peshën e sfidës së Lokaleve 2023.

Po kush e mban peng PD-në: fryma e saj nihiliste, kulti i Berishës dhe berishizmi apo mbyllja e misionit për të cilin u krijua? Ja pse ky përbindësh, që i përmbledh tashmë gllabëron aq fuqi dhe nuk i del para askush si personazh apo ide e re. Qoftë reformator, qoftë idealist, përballë ringritjes dhe Ramës ka mbetur sfida ndaj përbindëshit. Politika nuk e zgjidhi, por letërsia e zgjidhi deridiku te “Histoire fidèle de la bête en Gévaudan” (1946) e Henri Pourrat, ku vetëm fishekët prej argjendi i dhanë fund përbindëshit. Në rastin e PD-së ka nevojë për metaforën e kësaj zgjidhje, që do të thotë arritja e një marrëveshje dhe pakt “i lehtë” i vetë demokratëve për të ardhmen, duke shmangur disa figura të konsumuara dhe duke ia lënë të ardhmes që t’i trajtojë historia, kurse PD-në e sotme, t’ia përshtasin nevojave të demokracisë në vend.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?