Sali Berisha

Ben Andoni: Pas Berishës, opozita duhet ta largojë frikën si koncept

27 Tetor 2023, 15:33| Përditesimi: 27 Tetor 2023, 15:37

  • Share

Nëse do t’u thuash njerëzve të sotëm të Partisë Demokratike se kanë frikë do të kesh një përballje të ashpër dhe aspak të këndshme. Ne, shqiptarët, e konsiderojmë si fyerjen më të madhe pikërisht përballjen e paduhur me një problem dhe sidomos shfaqjen publike të Frikës. Ky reagim emocional i fuqishëm përballë perceptimit të një rreziku të vërtetë objektivisht apo imagjinar i trand njerëzit dhe i bën të mendojnë sesi të kalojnë pasojat por edhe të reagojnë. Në rastin politik, i trand dhe i fsheh nën kupolat e liderëve.

Ajo që po ndodh në orët e fundit të PD-së me akuzat ndaj Berishës ka ngjallur një ndjesi pasigurie por më shumë se çdo gjë tjetër na ka treguar boshllëkun, që ka lënë frika e pasigurisë në gjirin e partisë më të madhe opozitare, përçarë keqazi. Kryetari i Partisë Demokratike (Rithemelimi) Berisha, megjithë inercinë, deri sa akuza ndaj tij do të marrë jetë, do mundohet që të menaxhojë si të mundet: prej vonesës proceduriale dhe deri në përballjet e tjera, që e presin tashmë me ligjin. Kriza e këtyre orëve ka mbetur në sensin e akuzës së të dy palëve politike tek ne, lidhur me dy standardet e aplikuara: pse nuk u veprua ndaj Ahmetajt nga berishianët dhe anasjelltas: Pse Berisha duartrokiste çdo veprim të Drejtësisë mbi njerëzit e Maxhorancës?!

Por, ajo që u pa së fundmi nga prononcimi i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ishte një përmbledhje e vakët dhe respekti de jure ndaj Drejtësisë dhe frika e dukshme përballë të panjohurës, si dhe mëtimet de facto pse nuk u veprua kështu me të tjerët. Ndërkohë përballja më e sikletshme është pesha që po merr pushteti i Ramës, që edhe pa këtë argument ka një avantazh me çdo gjë mbi opozitën. Mbështetur mbi një PIAR të frikshëm, që është gati të rrënojë gjithçka të opozitës dhe me sigurinë e përçarjes së PD-së, Rama thjesht po e kundron dhe nuk është shprehur fare fillimisht (duke marrë parasysh reagimin për gjërat që i interesojnë) për këtë situatë. Ajo që duket është se planifikimi për këtë ndodhi (akuza zyrtare mbi Berishën) është fare e qartë, ashtu si qetësia me të cilën po e merr Maxhoranca, që pothuaj ka humbur identitet nën pushtetin gati të plotë të Ramës.

Është ky pushtet, i cili po shkon drejt një peshe autokratike, duke e tulatur krejt opozitën, e cila nuk ka përfaqësues t’i përballet Ramës. Mbase, ndaj akuzat ndaj Berishës dhe e gjithë procedura e nisur nga ai, i ka kapur kaq gafil një pjesë jo të madhe të opozitës, përveçse grupit të Bashës, që po mundohet ta menaxhojë direkt, por me aneminë e dukshme të deklaratave të tij, një provë që ai më shumë nuk është gati për opozitë të vërtetë. Një shpjegim lidhet me frikën ndaj përgjegjësisë, e dyta me atë të pamundësisë.

“Rrëfimet autoritare shpesh janë në thelb të bazuara në frikë. Politikanët me axhenda autoritare po provokojnë ambivalencë publike mbi të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe pluralizmin demokratik. Votuesit që mbështesin lëvizjet politike autoritare priren ta bëjnë këtë sepse mbajnë qëndrime politike autoritare. Duke krijuar perceptimin se siguria kombëtare, stabiliteti ekonomik dhe traditat kulturore janë nën kërcënim, politikanë të tillë mund të nxisin disa individë që të mbështesin qëndrimet politike autoritare”. (Young et al, 2019) Dhe, sërish grupi i autorëve të mësipërme jep një mënyrë sesi mund të dilet prej saj, duke iu referuar dukurisë evropiane: Duhet t’u kthehemi narrativave progresive me vlera mbi tolerancën dhe pluralizmin. Nga këtu nisin kauza si demokracia, liritë civile, barazia dhe mbrojtja e mjedisit. Por, më kot, sot narrativa të liberalizmit po e humbin përballjen me narrativat autoritare populiste në të gjithë BE-në, ndërkohë që aktorët qytetarë dhe politikë të pro demokracisë po luftojnë për të ndërtuar dhe shpërndarë narrativa efektive, që nxisin mbështetjen për parimet progresive. (Ibid) Serbia, Mali i Zi, Turqia, Hungaria e jo pak të tjerave po na e tregojnë këtë shembull.

Po, a mundet që kjo të ndodhë vallë në Shqipëri? Ku duhet thënë se liberalizmi ka marrë goditje fillimisht nga mos përmbushja e koncepteve të tij por edhe nga përdorja e tij e mëkotë nga të dy palët, PS dhe PD. Ka pak të ngjarë, sepse pjesa më e madhe tek ne, shkon në përbaltjen e kundërshtarit dhe kërkimit të përdorimit të një narracioni, që dikton frikën. Atë se Rama do të shkatërrojë dhe do të ma mbushë me taksa, se është autokrat dhe diktator veç të tjerave (PD); kurse ardhja e Berishës në pushtet është fundi i Shqipërisë, duke përmendur me radhë një seri ngjarjesh, që kanë peshën dhe të sjellin përjetimet e vdekjeve (PS).

Dhe sërish i referohemi frikës në konceptin shkencor, që referohet në neuroshkencë. Në studime: “Politikanët janë të aftë në përdorimin kushtëzimin e frikës, një proces në të cilin stimujt negativë çiftëzohen me ngjarje ose individë të veçantë për të krijuar asociacione të qëndrueshme. Kjo teknikë është e rrënjosur në neuroshkencë, veçanërisht në të kuptuarit se si plasticiteti sinaptik formon mësimin dhe kujtesën. Kushtëzimi i frikës angazhon hipokampusin e trurit dhe korteksin paraballor. Këto janë pjesë të trurit, përgjegjëse për kontekstualizimin dhe përpunimin e përvojave emocionale. Një kushtëzim i tillë mund të çojë në formimin e perceptimeve të njëanshme, ku individët atribuojnë rezultate negative objektivave specifike politike” (LeDoux, 2000).

SPAK ka nisur rrugëtimin e tij dhe duket se pak e nga pak po çlirohet nga një lloj hezitimi dhe fashinimi pas emrave. Dhe, kjo në vend që t’i japë zemër opozitës dhe të mundësojë një rikthim të vlerave përmes përçimit të ideve dhe një bashkimi cilësor, atë po e trand në luftëra boshe. Duket se frika e humbjes së identitetit pa Berishën do të kushtëzojë shumë të ardhmen e PD-së. Por, edhe në demokraci shumë më të mira në Shqipëri, opozitat në Evropë nuk po e përballin dot peshën e liderëve të fortë. Kjo, sepse opozitat ngado janë të përçara dhe të copëtuara në formë ideologjike, e mbi të gjitha të dobëta përballë taktikave së “të fortëve”, që jo në pak raste janë kthyer në gati apo krejt autokratë. “Ndoshta po aq e dëmshme, shumë grupeve opozitare u mungon një vizion për të adresuar frikën dhe ankesat që sjellin autokratët në pushtet në radhë të parë. Ata nuk po i ofrojnë popullit zgjidhje alternative realiste dhe demokratike për problemet e tyre”. (Ibid) Duket si e thënë për Shqipërinë, sepse opozita jonë nuk ngjall dhe mbi të gjitha duket e pafuqishme për të kthyer pushtetin dhe mbi të gjitha i frikësohet përgjegjësisë së të ardhmes dhe mbi të gjitha mbetjes tek dikotomia: Ne dhe Ata. Manipulimi që bëhet me ngasjen dhe Koncepti “ne kundrejt tyre” është një mjet i fuqishëm i përdorur nga politikanët për të nxitur identitetin e grupit. Neuroshkencëtarët kanë zbuluar ekzistencën e neuroneve pasqyruese, të cilat ndizen jo vetëm kur individët kryejnë një veprim, por edhe kur vëzhgojnë dikë tjetër duke kryer të njëjtin veprim. Ky mekanizëm nervor mbështet ndjeshmërinë dhe formimin e lidhjeve sociale. Politikanët që përfitojnë nga frika mund të manipulojnë neuronet e pasqyruese për të krijuar një ndjenjë të përbashkët kërcënimi, duke intensifikuar kohezionin dhe besnikërinë e grupit (Iacoboni, 2009).

A e ndihmon kjo gjendje frike dhe pasigurie opozitën edhe në këtë moment të vështirë?! Besojmë se jo. Tashmë, jo vetëm PD, por e gjithë Opozita shqiptare e ka ose duhet ta ketë më të qartë objektivin përballë: Duhet të largojë frikën sepse tani është vetëm dhe… pa Berishën. (Homo Albanicus)

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • demotakercita: 27/10/2023 17:25

    Ne Shqiperi nuk ka pasur asnjehere opozite,jo keto 10-vite por gjate te 33-viteve.Qe nga fillimet e pluralizmit nuk u ngriten parti me platforma per ta bere Shqiperine si Europa.U organizuan grupe interesi per pasurim (grbitje) ne kuriz te prones te perbashket qe ishte. "Opozita " e pare ndryshoi brenda pak mujve "programin" e saj,vec per te marre pushtetin me cdo kusht.Ajo u mbeshtet tek njerezit pa asnje ideal,me njerez qe ne te kaluaren kishin demostruar krime ordinere deri ne njerez me vepra kriminale.Keta lloj njerezish filluan grabitjet dhe kur ata ndaloheshin i mbronte si kontigjen te tyre,qe perndiqeshin politikisht e jo si keqberes.Te gjitha "Partit" e krijuara ishin thjesht grupe interesash pasurimi.Le te bej shteti Shqiptar nje vezhgim te percipte se ne duart e kujt u mblodh gjithe pasuria e shtetit te dikurshem (perfshi edhe thesarin e shtetit).Sa kohe qe partite ne pushtet apo opozite nuk do te paraqesin para shqiptareve program te zhvillimi per ecurin e vendit do te vazhdojme te kemi kete tranzicion te sterzgjatur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?