Ish kryeministri, Sali Berisha

Ben Andoni: Pse demokracia shqiptare nuk jeton dot pa konfliktin?!

3 Mars 2023, 17:08| Përditesimi: 3 Mars 2023, 17:11

  • Share

Përgjigjja më e drejtë e pyetjes shtruar në titull është se ngado njësoj si tek ne, demokracia e sotme ka në thelb konfliktin dhe kinse konkurrimin për parimet demokratike. Ndarja dhe konflikti i vazhdueshëm politik janë dy nga konceptet që tregojnë situatën e sotme të Shqipërisë. Zgjedhjet e vazhdueshme mes dy koalicioneve, ku bërthama mbetet vetëm PS dhe PD, thjesht e inkurajojnë ndarjen në vend por edhe kanë bërë diferenca shumë të mëdha shoqërore, që jo pak herë përcjellin konflikte. Të mendosh pas çdo rotacioni politik, kemi administrata të ndërruara me themel dhe institucione të ribëra në funksion jo pak herë të militantëve. Pasojat dihen tashmë: Kur vendit i duhet bashkërendim dhe ide për problematikën ekonomike, atë të ikjes masive apo problemeve të Kosovës dhe të tjerave me radhë, mungon krejtësisht uniteti dhe qëllimi i përbashkët kombëtar. Po pse Shqipëria nuk jeton dot pa konfliktin politik? Shqipëria e dha përgjigjen e saj në vitin 1997, kur e shpërtheu rendin kushtetues. Ndërsa propaganda zyrtare asokohe përpiqej të largonte kujtimin e masakrës së shndërrimit të votave të vitit 1996 (autoritete të ndryshme konfirmojnë se Shqipëria kishte qenë gati në paradhomën e integrimit evropian), vendi iu blatua anarkisë dhe shteti për pak kohë ishte pothuaj inekzistent.

 Sikur të mos mjaftonte kjo tollovi, vite më vonë nga banka e të akuzuarit, ish-presidenti famëkeq serb Millosheviq, do jepte versionin e tij: Depot e armëve që u hapën në vitin 1997 në Shqipëri u bënë që të armatosej UÇK!! Bota e sotme duket se nuk jeton dot pa konspiracionin, porse kjo tërheqje vëmendje e njeriut, që po mbrohej në Hagë nga akuzat që ishin absurde të mbroheshin, lanë vërtetë vragë të keqe. E gjitha ndodhi vetëm tetë vite pas rënies së Murit të Berlinit dhe Shqipëria realisht kishte bërë atë që pak vende të tjera kishin bërë në dekada të tëra me radhë. Anipse, ekonomia e vendit kishte mbetur në stade tejet të prapambetura, krejt e paaftë të përballonte konkurrencën dhe ishte krejt e rrënuar. “E gjithë infrastruktura ndodhej në një gjendje të krahasueshme me Evropën Qendrore të fundit të shekullit të 19-të”, do shkruajnë Fabian Schmidt dhe Angelina Verbica për DW. A e shikonin shqiptarët dhe politikanët e tyre këtë gjendje dhe a po mendonin të nisnin një udhë demokratike konkurruese por pa ndarje? Me sa duket: Jo! Carl-Dieter Spranger, atëherë Ministër gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik ia besoi perceptimin e tij surreal të Shqipërisë së vitit 1992 po radios “Deutsche Welle”, kur ua shpjegoi vendin tonë me sytë e vet: “Situatat katastrofale, me të cilat ne u ndeshëm janë të pashembullta. Kjo relativizon shumëçka, që mund të hasësh, kur viziton vendet klasike në zhvillim, Afrikën dhe Amerikën Latine. Unë do t’i rekomandoja secilit qytetar gjerman të një shoqërie me mirëqenie, që mendon se duhet të kritikojë kushtet e jetesës në Gjermani, të vijë një herë në Shqipëri“. 

Paçka, Shqipëria e kaloi bajagi mirë të gjithë këtë situatë me të gjithë privacionet e mundshme dhe me atë masë sakrifice, që ia diktoi deridiku demokracia e sotme. Ndërkohë, korrupsioni njohu vetëm ngritje, kurse ndarjet sociale prej përplasjeve zgjedhore janë kthyer sfilitëse. Një pjesë jo e vogël e popullsisë, duke mos e parë dot shpresën te maxhoranca e drejtuar nga Rama dhe alternativa pa identitet, e përfaqësuar ndarazi nga Berisha-Alibeaj, e kanë braktisur vendin. Referuar, të dhënave të EU-OBSERVER rezulton se Shqipëria në 30 vite ka humbur 37% të popullsisë, duke kryesuar në listën e emigracionit në Ballkanin Perëndimor.

 “Tendenca e politikës konkurruese demokratike për të rrënjosur dhe nganjëherë për të intensifikuar ndarjet bazë brenda një shoqërie tregojnë vërtet atë element që i huton aq shumë vëzhguesit nga Kina, Rusia dhe vende të tjera jodemokratike. Ata shpesh kruajnë kokën se pse amerikanët mendojnë se ka kuptim të kemi një sistem politik që duket se thekson ndarjet shoqërore në vend që të theksojnë konsensusin dhe unitetin. Është e lehtë të kërkosh përgjigjen standarde – se pluralizmi konkurrues ndihmon sigurimin e interesave të ndryshme në një shoqëri, në mënyrë që të përfaqësohen mirë nga qeveria dhe të inkurajohen grupe dhe perspektiva të ndryshme për të krijuar kompromise produktive për të mbajtur njëri-tjetrin përgjegjës. Veçse, është e vështirë të ofrohet kjo përgjigje pa pranuar se polarizimi është me të vërtetë një problem serioz në demokracinë amerikane, një problem, i cili ka arritur të acarohet në vitet e fundit, duke nxitur bllokimin legjislativ, duke reduktuar besimin e publikut në gjyqësor dhe institucione të tjera kyçe dhe duke nxitur tensione dhe zemërim”, shkruante Carothers, bashkëdrejtues i Programit “Carnegie’s Democracy, Conflict, and Governance”

Në një vend si yni, që mezi e bën Reformën Zgjedhore dhe këtë vetëm pak para hedhjes së fletës së votimit, apo kur ajo në përfundim merret sërish për t’u arnuar dhe palët shpesh nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve të njëri-tjetrit, konkurrenca PS-PD e ka tërhequr vendin në ndarje të frikshme sociale. Lufta politike sot i jep adrenalinë emocionit në mënyrë ta braktisë arsyen, pasi palët sot në parlament tallen, ofendojnë dhe stigmatizojnë kundërshtarët deri në regjistrat më të ulët të komunikimit. Ndarjet politike në Shqipëri, e jo vetëm, por edhe në Maqedoni, Mal i Zi, Kosovë janë të tilla saqë duket se nuk ka as edhe një gjë të përbashkët kur vjen puna në narracionin e duhur për problematikat e vendit. Duket se konflikti dhe ndarja tek ne, s’janë vetëm produkt i vetë sistemit politik, por edhe një lloj reagimi nga poshtë i njerëzve për gjendjen socio-ekonomike apo për hemorragjinë e ikjes nga vendi ynë. Ku paradoksalisht vetëm në periudhën janar-tetor 2022 kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian 10.975 shtetas shqiptarë. Fluksi më i lartë u shënua në shtator me mbi 1.400 persona, ndërsa në tetor ritmi u ngadalësua disi në rreth 1.300 syresh, shkruante Monitor referuar INSTAT. Dhe, e gjitha kjo, referuar një studimi të Fondacionit “Uestminster për Demokraci”, bën që kostoja vjetore e largimit të të rinjve të arsimuar, varion nga një minimum prej 840 milionë euro, në maksimumi 2.46 miliardë euro, që ka tkurrur edhe ekonominë në vend.

A i kuptojnë këto paradokse politikanët apo e kanë fryt të politikave të tyre për të krijuar ndarje e konflikt? Për publikun janë të gjalla imazhet e vitit 2009, kur Shqipëria atashoi kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Paradoksalisht, kërkesa nuk u morr në shqyrtim, ngaqë opozita e atëhershme (maxhoranca e sotme) bojkotonte parlamentin dhe refuzonte tre ligjet (për të votuar me 3/5 e votave ligjin për administratën civile, heqjen e imuniteteve dhe gjykatat administrative), që paraqisnin një prag ku Brukseli i kërkonte vendit tonë për të dhënë statusin e kandidatit. Opozita i votoi këto ligje shumë më vonë dhe Komisioni Evropian në tetor të vitit 2012, rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, kurse në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Jemi në vitin 2023 dhe tashmë, kryeministri Rama është ai që e akuzon tashmë opozitën për probleme të integrimit evropian, që në fakt jo pak herë janë të drejta. Por, që mbeten fytyra e demokracisë tonë konfliktuale.

Veçse ka një sens, i cili duket i patrandur, ku partitë në vend të krijojnë një narracion që ndihmon zhvillimin dhe zbut konfliktin krijon vetëm urrejtje për kundërshtarin. Gjuha në parlament dhe neologjizmat apo kompozitat bajate të Berishës dhe Ramës, shtuar me të gjithë pjesën tjetër, tregojnë fillimisht ngarkesën e kohës së shkuar, ku kundërshtari anatemohej si armik, ndërkohë që e ashpërsojnë ndarjen për të hequr vëmendjen nga realitetet në vend. Kuptohet se në këtë shkrim nuk ishte vendi për të folur për vendet anti-demokratike, sepse ajo që po ndodh në Iran, jo pak herë në Kinë e ngado e provojnë kaosin, ndërkohë na ka treguar sesi demokracia po “merr hua” metoda aspak demokratike për të drejtuar sistemet e sotme të botës demokratike. E Shqipëria është rasti ku ndarja e konflikti janë normaliteti i vetëm i një vendi, që po zbrazet frikshëm dhe ka humbur çdo shpresë. (Homo Albanicus)

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?