Sulmi në Izrael

Ben Andoni: Shqipëria dhe si Perëndimi ndërtoi një kështjellë mbi rërë në Lindjen e Mesme

10 Tetor 2023, 15:54| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 15:55

  • Share

Fjalia e fundjavës: “Ne jemi në luftë” e kryeministrit izraelit tregoi se një vatër e re u hap para syve të të gjithëve dhe tashmë lajmet e përbotshme nuk do të kenë më kryefjalë Ukrainën por Izraelin. Një konflikt i fjetur prej pak vitesh. Shqetësuese ishte se krerët e Ligës Arabe shkuan menjëherë në Moskë, kurse Ministri i Jashtëm Lavrov përveç kërkesës për shtensionim dha edhe versionin rus për paqen: Kthim në kufijtë e 1967! Sesa e mundshme është paqja në ditët tona, këtë e tregon numri i të vdekurve, plagosurve dhe të rrëmbyerve. Gjithçka mes Palestinës dhe Izraelit është zeruar dhe duket se ka nisur nga fillimi. Kuptohet, nëse, do të ketë shpejt fillim dialogu i tyre?! Të mendosh bisedat, traktatet, negocimet dhe madje edhe përfshirjen e Nobelit për të nderuar liderët e dy vendeve, në një segment kohor, e kupton se bota po bëhet gjithnjë e më shumë e pajetueshme. Kosova gjendet para realiteteve të reja së bashku me Shqipërinë, kurse ngjarjet e fundit, ua kanë treguar se e kanë vendin e tyre përfundimisht në Perëndim.

Sesa afër i kemi zhvillimet tensionuese në rajon na kujtuan me cinizëm serbët më 24 Shtator me agresionin e tyre të hidhur, kurse reagimi i kryeministrit Kurti se: tashmë Kosova i ka rritur shpenzimet ushtarake 191% na vendos përballë sfidave, që në të ardhmen duhen parë e parashikuar me shumë kujdes. Nëse Shqipëria po mundohet t’i përafrojë shpenzimet me 2% të GDP-së së saj; krahasuar me vitin 2021, Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, iu dhanë 100 milionë euro buxhet, për herë të parë, kurse për vitin 2023 arriti në 141 milionë euro.

Perëndimi, ku jemi të rreshtuar, tashmë po përballet me sfida dhe ‘të panjohura’, që politologu i njohur Zbigniev Bërzhinski u mundua t’i tregojë në librin e tij “Jashtë kontrollit”, përkthyer edhe në shqip. “Sa për në Lindjen e Mesme prania politike dhe ushtarake sovjetike u realizua kur shtetet arabe iu drejtuan Moskës për ndihmë kundër Izraelit. Por, për herë të parë në historinë moderne, vetëm pas shembjes së fuqisë sovjetike dhe veçanërisht pas Luftës së Gjirit të vitit 1991, një fuqi e vetme e jashtme arriti të ushtronte një epërsi të pashembullt. Mirëpo ka të ngjarë që kjo epërsi të mbetet krejt e sipërfaqshme dhe madje e brishtë, kryesisht për shkak se nuk ekzistojnë lidhje themelore vlerash të përbashkëta, politike ose fetare, midis Amerikës dhe shteteve partnere arabe”. Ekziston një hendek, me pak fjalë, që nuk mbushet dot.

Me të drejtë, autori i ndjerë, ka treguar se në aleancat me pushtetarët vendas, ku ligjin e bëjnë klasat e pasura shumë të korruptuara, “fuqia e Amerikës ka rrezik të humbasë lidhjet me popullsitë e këtyre vendeve!!” Por në ekuacion tashmë futet dhe Izraeli, një vend për të cilin është investuar si për askënd tjetër dhe megjithatë përveç kohëve relativisht jo të gjata, ata vazhdimisht kanë qenë nën një terror dhe në një hapësirë arabe aspak miqësore. Hegjemonia amerikane, reagimi i ashpër iranian dhe mënyra sesi ata po reagojnë këta të fundit në mbrojtje të Hamasit janë ato që po e shkundin rajonin në orët e fundit. “Duke qenë se edhe feja, edhe nacionalizmi, bashkëveprojnë kundër një hegjemonie të huaj për rajonin, epërsia e sotme amerikane (fillimvitet 90-shënimi ynë) në Lindjen e Mesme është e ndërtuar, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, mbi rërë”, argumentonte Bërzhinski. Elementi fetar do të jetë shumë problematik edhe në rajon tashmë.

Nga reagimi i zyrtarëve serbë kuptohet se: Kosova do të gjendet dhe më tej nën masën e incidenteve dhe provokimeve serbe. Ngjarjet e Banjskës dhe reagimet e fundit zyrtare të Beogradit për mënyrën sesi ata po sillen me agresionin tregojnë se jo thjesht nuk kanë reflektuar por edhe se do ta vendosin rajonin sërish në situata të vështira. Madje edhe më të komplikuara. Shqipëria tashmë gjendet përballë një realiteti shumë të vështirë: Dështimi i një projekti të madh rajonal me emrin shumë relaksues: “Ballkan Open” i ka dhënë gati fund dhe një përpjekje të kryeministrit Rama për bashkëpunim rajonal dhe për ta paraqitur sa më mirë presidentin serb Vuçiq para syve ballkanikë. Kanë mjaftuar përballjet e Serbisë me Kosovën, ku pa faj nuk mbeten dhe lidërshipet e saj ndër vite; problematikat e majisura të Bosnje-Hercegovinës për të kuptuar një realitet gjithnjë e më të hidhur. E theksojmë të hidhur se me atë energji që është punuar në dy dekadat e fundit për fashitjen e problemeve të saj, Ballkani do të mund të kthehej gjerësisht në projeksionin e saj natyral në Evropë. Jo më kot, investimet më të mëdha në rajon janë prej Bashkimit Evropian.

Po a është e duhura kjo përfshirje e Shqipërisë dhe Kosovës?! Shqipëria, nga ana e saj, ka kaluar në paradokse të mëdha në historinë e saj. Ekipet e para terroriste palestineze janë stërvitur në Shqipëri dhe janë ende gjallë njerëz që i kanë drejtuar në këtë kauzë. Në regjimin socialist justifikohej me ndihmën për një popull martir dhe mbrojtjen e territorit të vet, kurse organi i asaj kohe e kishte të hapur krahun kundër Sionizmit dhe mbrojtjen e Palestinës. Pas viteve ’90, Shqipëria e shpall me të madhe se mbrojti Hebrenjtë në Luftën e Dytë. Burokratët e lartë të kësaj kohe, kanë kuptuar se qëndrimi nën hijen amerikane mjafton për Sigurinë, kurse përfshirja në NATO na bën të paprekshëm. Paçka se serbët vazhdojnë të provokojnë, kurse Greqia vendi fqinj jugor mëton se do të na bllokojë në procesin e anëtarësimit në BE, thjesht prej burgosjes së një kryetari bashkie, që po penalizohet nga Drejtësia. E ardhmja dhe mënyra sesi po reagohet nga Tirana janë ende të vagullta, veç rreshtimit Perëndimor. Ndërkohë që forcat po ndryshojnë.

 Duket se Shtetet e Bashkuara dhe Britania po mundohen të mbajnë një barrë shumë të madhe ushtarake. Turqia, po ashtu, por gjithnjë e lënë pas nga BE-ja. Shqetësues mbetet se Lufta në Ukrainë, e ka trimëruar Tjetrën, që ne e identifikojmë me ‘të Keqen’, kurse disa nga vendet kryesore të Botës (Rusia, Kina, India, Brazili) si përpjekje të natyrshme për një Rend të Ri. Dhe, koha ka ndryshuar. Tani 20 vjet më pas, kur Hamasi mori pushtetin në Gaza duke i dhënë dërrmën Autoritetit Palestinez, ka pasur një armëpushim të armatosur të thyer nga sulmet e përsëritura ndaj Izraelit me masivitet raketash, të cilat s’ia kanë dalë dot falë mbrojtjes hebreje kundër luftës. Ndërkohë armëpushimet e reja që mund t’i ofrojë Egjipti ose Katari tashmë janë opsione të pamundura. Janë qindra të vdekur, që tashmë e bëjnë botën të ketë më shumë se një sy nga Lindja e Mesme. Lufta duket se nuk do jetë e shkurtër. Po për Shqipërinë e Kosovën do të jetë e qartë këtej e tutje, paçka përpjekjeve të Tiranës për të thithur fonde nga Lindja e Mesme, se gjendja këtej e tutje nuk do jetë njësoj. Ndërsa Shqipëria duhet të shikojë me kujdes konjukturat e saj, Kosova duhet të mbetet përgjithnjë nën autoritetin e SHBA. Sidomos, lidërshipi i Kurtit, duhet të kuptojë se tashmë nuk ka më qesëndi ndaj DASH e zyrtarëve të saj, porse duhet fituar sa më shumë që të jetë e mundur, duke mos lënë pas, hendeqe nga ato, për të cilat nisin natyrshëm problematika.

Kthehemi dhe njëherë te lufta: “Por në epokën e epërsisë vetëm nga ana amerikane mundësia e dështimit të Amerikës për t’i dhënë fund me paqe konfliktit arabo-izraelit ka të ngjarë t’i japë dorë mobilizimit të fondamentalizmit fetar dhe radikalizmit nacionalist kundër epërsisë së vazhduar rajonale amerikane”, shkruan Bërzhinski.

Shqipëria dhe Kosova duhet të përgatiten se e ardhmja nuk është më e panjohur për shqiptarët por mbetet realisht sfiduese.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?