Policia e Durrësit ka goditur një grup hajdutësh në zonën e Durrësit të moshave nga 20-27 vjeç, mes të cilëve edhe një vajzë. Të rinjtë janë autor të disa vjedhjeve të banesave në Sukth dhe Katund të ri të Durrësit. Në pranga përfunduan 3 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, të cilët u kapën në flagrancë gjatë kohës që po tentonin të vidhni me armë zjarri një banesë.
Hajdutët në bashkëpunim me njëri- tjetrin, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Katund, Sukth, kanë tentuar të vjedhin me armë zjarri në banesën e shtetasit B.M, por janë pikasur nga pronari i cili ka lajmëruar policinë. Menjëherë policia ka arrestuar 3 prej tyre dhe shpallur dy të tjerë në kërkim.
Në pranga përfunduan Leonard Preza, 21 vjeç, banues ne Katund Sukth, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Albion Kllari, 20 vjeç, banues në lagjen Kodra, Shijak, i dënuar më parë për vjedhje; Domeniko Ceni ,24 vjeç, banues në Fermë, Sukth, i dënuar më parë për vjedhje.
Gjithashtu u shpallën në kërkim pasi mundën të largoheshin duke përfituar dhe nga errësira shtetasit:
P. P., 27 vjeç, banues në Katund, Sukth, i dënuar më parë për vjedhje dhe A. P., 20 vjeçe, banuese në lagjen nr.13, Durrës (vëlla e motër).
Policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe fishek luftarakë. Gjithashtu policia ka dokumentuar edhe 8 vjedhje të kryera më parë nga ky grup hajdutësh, konkretisht:
1-Më datë 17.06.2021, shtetasit K.B., në oborrin e banesës i kanë vjedhur motomjetin;
2-Më datë 12.07.2021, gjatë natës, në lagjen ‘’Stalla’’Sukth, kanë vjedhur në banesën e shtetases B. T., 3 televizorë plazma dhe dy frigoriferë;
3-Më datë 06.08.2021, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit Sh. K.,;
4-Më datë 18.08.2021, gjatë natës, në banesën e shtetasit M. L., kanë vjedhur sende të ndryshme;
5-Më datë 08.09.2021, gjatë natës, në Sukth, në banesën e shtetasit L. D., kanë vjedhur disa telefona celularë;
6-Më datë 18.09.2021, në Sukth, i kanë vjedhur telefonin celuar shtetases Sh. L.;
7-Më datë 01.10.2021, në lagjen Nr.17, Durrës, kanë vjedhur në Qendrën Shëndetësore, pompën e ujit dhe sende të tjera;
8-Më datë 03.10.2021, në Katund i Ri, Durrës, në banesën e shtetasit S. R., kanë vjedhur sende me vlerë bizhuteri dhe 1 televizor.