Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Autorë të 14 vjedhjeve gjatë vitit 2022 në Berat, arrestohet 27-vjeçari, në kërkim shoku i tij! Vodhën dhe zyrën e Postës 

19 Janar 2023, 09:35| Përditesimi: 19 Janar 2023, 14:21

  • Share

Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka finalizuar me sukses operacionin policor,të koduar “Stuff”,në kuadër të një aksioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Pas një pune të mirëfilltë hetimore,inspektorët e policisë kriminale dhe krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë,organizuan dhe finalizuan me sukses këtë operacion policor,duke zbardhur dhe dokumentuar 14 raste vjedhjesh,të ndodhura gjatë vitit 2022.

Në prangat e policisë ka rënë 27-vjeçari Rigers Nurja,i dënuar edhe 3 herë më parë për vjedhje,ndërkohë që është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij Marko Muçaj,38-vjeç,të dy banues në lagjen "Uznovë" në Berat.

Këta shtetas,janë autorë të vjedhjes së 10-banesave,2 dyqaneve,1 magazine dhe Zyrën Postare nr.2 në Berat në 24 Nëntor 2022,ku vodhën një shumë parash që ndodheshin në kasë,pas shqyerjes së derës kryesore të zyrës postare.

Nga hetimet e kryera nga policia ka rezultuar se këta shtetas,gjatë vitit 2022,kanë vjedhur shuma të mëdha parash,sende me vlerë dhe vegla pune në disa banesa dhe subjekte në zona të ndryshme të rrethit të Beratit.

Në banesën e 27-vjeçarit të arrestuar Rigers Nurja,policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa nga sendet dhe bizhuteritë e vjedhura nëpër banesa,sende që u identifikuan në polici nga vetë pronarët e banesave të vjedhura,ndërkohë që u gjetën dhe sekuestruan edhe sende të tjera si:1 levë hekuri,1 thikë dhe 1 dorezë metalike,që autorët i përdornin për të realizuar vjedhjet.

Identifikimi i 27-vjeçarit Rigers Nurja u mundësua gjatë vjedhjes së fundit të tij,në një banesë në lagjen "Dëshmorët e Kombit" dy netë më parë,ku i pikas nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth dhe pas arrestimit u konstatua se shenjat e gishtave të tij dhe të bashkëpunëtorit Muçaj përkonin edhe në të gjitha vjedhjet e tjera të dokumetuara.

Policia  konfirmon se po vijon me intensitet puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim Marko Muçaj,identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet në ngarkim të 27-vjeçarit Rigers Nurja dhe 38-vjeçarit Marko Muçaj i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat,për veprime të mëtejshme procedurale.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?