Policia e Beratit po vijon hetimet në lidhje me qesen me mbetje kockore që u gjet paraditen e 9 qershorit të hedhur afër shkurreve pranë varrezave publike të Burdulliasit në bashkinë e Beratit.
Qesja u gjet nga punonjësi i bashkisë i varrezave i cili ka treguar me detaje ngjarjen.
Ka qenë ora 11:00 - 11:15 minuta e 9 qershorit kur ai duke pastruar me një shok të tij ka gjetur qesen plastike të mbuluar me gjethe, ku veç kafkës ndodheshin edhe disa pjesë brinjësh dhe gjymtyrë dhe se në eshtrat e këmbëve ishin veshur çorape. Kur e ka hapur Tomorr Nure thotë se është tmerruar dhe mënjeherë ka telefonuar policinë.
"Sa e kapi shoku im Mihallaq Zoto më tha janë peshë e rëndë. Çfarë janë këto? Sfurku pastaj nxorri vetëm kafkën. Kur hoqëm degët, ishin eshtrat. Ishte një qeskë e paketuar e bardhë transparente. Njoftuam përgjegjësin dhe ai mori operativin e zonës.
Duke u treguar gazetarëve vendin ku u gjetën mbetjet kockore, Nurja thotë me siguri se eshtrat nuk janë zhvarrosur nga asnjë varr i kësaj varreze por mendon se qesja është sjellë nga jashtë nga ndonjë person i cili pasi e ka hedhur e ka mbuluar me gjethe për të mos u gjetur shpejt.
"Ishte me çorape. Unë jam vetë varrmihës dhe s'bën vaki të nxjerr eshtrat në rrugë. Zhvarrimi bëhet me dokumente që firmosen nga familjarët dhe ne i fusim në qese blu. Ato ishin eshtra të vjetra gati 20 vjeçare. Ishin dekompozuar" tregon Tomorr Nure për gazetarët.
Kafka dhe mbetjet kockore që mendohet se i përkasin një femre, janë dërguar pranë Institutit të Policisë Shkencore ku do të bëhet ekzaminimi i tyre si dhe të bëhet analiza e ADN-së për të për të mundur më pas identitetin.
Grupi i hetimit po verifikon kamerat e sigurisë në zonë nëse kanë kapur momentin e hedhjes së qeses në vendin ku u gjet. Edhe brenda varrezave duket se ka kamera të instaluara por nuk konfirmohet nëse këto kamera punojnë apo edhe nëse punojnë a kanë rrezen e mjaftueshme për të parë sipërfaqen ku është hedhur qeseja.