Hilda Giola është 72 vjeçarja që e përshkruan Beratin më bukur se një banor i vjetër i qytetit muze. Ajo jo vetëm ka blerë një shtëpi, por planifikon të jetojë aty së bashku me familjen e saj. Historia e dashurisë me qytetin e “Një mbi një dritareve” nisi rreth 20 vjet më parë.
Kështu e përshkuan Beratin, Hilda Giola, e lindur në Hmburg të Gjermanisë, e martuar me italian dhe me banim në Romë.
72 vjeçarja ulet çdo mëngjes në lagjen Mangalem për të pirë një kafe turke.
“Më pëlqen shumë ky vend sepse është shumë qetë, njerëzit janë shumë miqësorë, edhe pse ka qenë shumë nxehtë këto ditë, këtu në lokal ka ajër të kondicionuar. Kështu që ndihem shumë shumë mirë këtu.
Jam klientja e parë në orën shtatë apo shtatë e gjysmë, ulem jashtë dhe kur bëhet shumë nxehtë vij ulem brenda. Por tani do e ndryshoj në kafe turke, sepse kapucinon do ta kem edhe kur të kthehem ne Itali dhe kam kuptuar që më pëlqen kafja turke. Ata me sjellin ujë bashkë me kafen , mua më pëlqen shumë uji këtu.”- tha Hilda
Hilda është nënë e dy fëmijëve të rritur, vajzë dhe djalë, ndërsa bashkëshorti i saj është ndarë nga jeta.
Afro 20 vite më parë ajo dëgjoi për vendin fqinj me emrin Shqipëri.
“Për herë të parë mësova për Shqipërinë nga punëtorët e mi. Ishin 4 vëllezër nga Kavaja që punonin për rindërtimin e vilës time në Itali. Ata punuan për disa vjet. Një ditë më thanë: "Duhet të vish edhe të na vizitosh në shtëpinë tonë në Shqipëri". Unë isha në anën tjetër të detit dhe thashë , në rregull do shkoj t’i vizitoj. Kjo ka ndodhur më shumë se 20 vjet më parë. Ata më shpjeguan, do vish me anije në Durrës, do të marrësh autobusin, do të ndalosh te karburanti jeshil. Do ndjekësh rrugën e drejtë derisa të shikosh një lopë do të kthehesh djathtas dhe na gjen. Ishte vërtetë për të qeshur. Dhe në fakt i gjeta ata, sepse pashë lopën edhe u ktheva djathtas dhe trokita në derë. Sepse në atë kohë nuk kishte telefona dhe unë nuk mund t’u tregoja se po vija. Thjesht u shfaqa aty.”- tha ajo
Në udhëtimin e saj drejt të panjohurës, do të zbulonte se në Shqipëri kishte edhe një qytet me emrin Berat. Sugjerimi i erdhi nga një tjetër zonjë e huaj.
“Kur isha në traget u njoha me një zonjë nga Argjentina dhe ajo më tha, nuk duhet ta humbasësh Beratin dhe më dha një numër telefoni të një zonje në Goricë.”- shprehet Hilda.
Kaq mjaftoi që Hilda të nisej drejt aventurës së re. Këtë herë nuk kishte më asnjë orientim me pikë karburanti apo lopën në anë të rrugës.
Thjesht shkoi dhe e gjeti zonjën në lagjen Goricë.
“Zonja e shtëpisë më mirëpriti në shtëpinë e saj.
Mëngjesin tjetër dola dhe kalova urën dhe pashë një zotëri që po zbriste shkallët në krahun e Mangalemit. E pyeta nëse lëshonte shtëpinë me qira. Më tha "Jo, e kam për të shitur". E pyeta nëse mund ta shikoja. Shkova dhe më pëlqeu ajo që pashë, sepse çdo gjë në shtëpi e kishte punuar vet, sepse ishte skulptor...në fakt është skulptor jeton në Durrës tani. E pyeta sa kushton? Mori një copë letër dhe shkruajti një numër me shumë zero në monedhën lek. I thashë nuk e di sa është kjo shumë, por do të shkoj në Itali edhe do vij mbas një viti dhe do të paguaj 'kesh'. Sepse si t'ia bëja, nuk bëheshin pagesa me bankë në atë kohë!!”- tha ajo.
Hilda kishte rënë në dashuri me qytetin e një mbi një dritareve.
Një vit më pas ajo u bë banore e Mangalemit por qëndrimin e kishte të vështirë pasi u ndesh me habinë e familjes së saj.
“Bleva shtëpinë dhe më pas nuk erdha për shumë vite.
Qëndrova me familjen për disa kohë, ata më thoshin ti je shumë e çuditshme. Gjithë shqiptaret vijnë në Itali, e ti do të shkosh në Shqipëri.”- tha Hida.
Berati u bë shtëpia e dytë e Hildës. Ajo nuk resht së treguari për vendet që ka vizituar.
“Po edhe zonën përreth Beratit, kam shkuar në Skrapar, kam vizituar dhe Bogovën disa herë, më pëlqen të shkoj për të ngrënë atje.
Në kanionet e Skraparit shkoj për 'waterfloating'. Është e mrekullueshme! Ua sugjeroj të gjithëve ta provojnë këtë eksperience. Gjithkush duhet ta provojë, në të dy sezonet, në sezon me ujë dhe kur nuk ka ujë.”- tha Hilda.
E dashuruar me natyrën e gjithçka tjetër, madje edhe me rakinë.
“Unë pi raki , më pëlqen rakia , adhuroj atë të arrës (qesh)”
Është koha të prezantohemi me shtëpinë e Hildës në Mangalem.
“Po , mirë se erdhët ne shtëpinë time! Ju lutem hyni brenda. Unë po rindërtoj gjithçka por ju jeni e mirëpritur.”
“ Po restauroj gjithçka, ngadalë-ngadalë, nuk e kam me nxitim, po bëj këtë pjesën këtu poshtë të re. Këto shkallët këtu ishin më të gjera, unë i ngushtova edhe bëra këtë tualetin e vogël këtu, nuk ka ende drita, elektricisti duhet të vijë sërish.”
Banesa e gjermano-italines i përket ansamblit museal të lagjes “Mangalem” që shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Ndërhyrjet e lira arkitekturore janë të kufizuara në këtë lagje të Beratit.
Hilda kërkon që të ruajë gjithçka origjinale të banesës së saj.
“Kjo është kuzhina dhe zotëria i ka punuar të gjitha këto vetë.
Nuk dua të bëj ndryshime të mëdha sepse janë origjinale. Dhe dhomat e tjera do të më duhet ti ribëj.
Kemi një dhomë gjumi të vogël dhe do vendos disa piktura.
Është kaq e paqtë të ulesh këtu edhe të shikosh njerëzit që kalojnë.
“ Kam edhe shumë portokalle, se imagjinon dot marmalatën që bëjmë. Kur të vij të jetoj këtu mund ta mbjell e të kem kopshtin me perimeve. Shiko c’bukuri , kemi perëndimin. Pjesa e re e Beratit.
Kam qenë atje sipër ku kanë pasur bibliotekën.”
Në Berat, lagjet e Goricës e Mangalemit shtrihen në dy anë të ndryshme të lumit. Lagjja Goricë, në jug të lumit të Osumit, ishte pjesa e krishterë. Në të ndodhen dy kishat e vjetra që i përkasin shekullit XIX, Kisha e Shën Spiridhonit dhe Kisha e Shën Thomait.
Ndërsa lagja Mangalem, në veri të lumit, ishte pjesa myslimane. Hilda ka zgjedhur të jetojë në zonën ku ndodhet teqeja e Helvetive, një monument i Ahmet Kurt Pashait, i ndërtuar në vitin 1782 dhe xhamia e Beqarëve, e cila u ndërtua gjatë gjysmës së parë të shek. XIX për t’u shërbyer esnafëve të beqarëve të qytetit, si një bashkim i zejtarëve të pamartuar, të cilët kryenin edhe detyrën e rojes së natës në pazar. Pjesët përbërëse të xhamisë janë: salla e lutjeve, hajati (portiku), minarja.. Hilda dëgjon çdo ditë e mbrëmje, thirrjen e Ezanit.
“Dhoma ime e gjumit është brenda në shkëmb dhe nuk ndjen kurrfarë zhurme. Dhomat e përparme janë në drejtim të xhamisë por nuk më bezdis kur ata thërrasin lutjet, nuk më besdis. Përkundrazi më pëlqen, më ndihmon të fle. Sepse është sikur dikush po kujdeset për mua dhe mendoj që është tepër e rëndësishme që besimtarët luten për qytetin, kujdesen për qytetin. Zoti është më prezent në qytet prej tyre!”
Hilda Giola tregon se ka vizituar jo vetëm xhamitë e vjetra të Beratit, por edhe xhaminë e Tiranës. Është e krishterë që vlerëson harmoninë fetare në Shqipëri.
“Po në Berat ka xhami të vjetra, ata kanë bërë një punë të shkëlqyer restauruese. Kam vizituar edhe xhaminë kryesore të Tiranës. Më pëlqen fakti që ka disa besime këtu sepse një Zot ka, gjithsesi unë jam e krishtere, dhe shkoj te kisha e Jezusit ,që është protestante , pranë kishës orthodokse. Pra ne takohemi , lutemi për të gjithë qytetarët e Beratit , lutemi zakonisht për një orë. Që njerëzit e qytetit të kenë para ,të kenë shëndet të lulëzojë.”
Qyteti i Beratit mbrohet nga UNESCO prej vitit 2008.
Në vitin 1961, u shpall zyrtarisht Qytet Muze. Hilda ka mësuar gjithçka për të, madje edhe ka shëtitur në çdo cep të tij.
“Po, eci përgjatë lumit dhe brenda në ujë, më pëlqen të eci në ujë, dhe pastaj shkoj në anën tjetër. Bashkia ka krijuar një shteg shumë të veçantë, kanë pastruar rrugën dhe mund të ngjitesh sipër në mal.
“Shiko atje sipër ndodhet shtegu për ecje, është goxha i madh dhe rehatshëm për të ecur. Do ti këshilloja të gjithë turistëve të shkojnë atje. Por nuk ka tabela, nuk e kuptoj përse nuk ka tabela , sepse është një ecje mjaftë e këndshme , dhe jo shumë e lodhshme.”
Të gjitha këto janë këshillat e gjermano italianes që e do Beratin jo si turiste po banore e këtij qyteti. Për miqtë e saj jashtë Shqipërisë ajo ka një një këshillë.
“Së pari u them se shqiptarët janë njerëz shumë miqësorë dhe janë shumë të dashur, çdo gjë duket që vjen nga zemra vërtet, ata e ndjejnë atë që thonë. Ata nuk janë si të tjerët psh në Angli ata të thonë: "Ç'kemi e dashur, të dua ", por shqiptarët kur të thonë që ata të pëlqejnë vërtet e ndjejnë me zemër. Dhe me vepra të vogla të bëjnë të ndihesh si në shpi. Ata të sjellin ndonjë lule të vogël ose cokollatë, janë të veçantë.”- tha Hilda.
Hilda ka zënë shumë miq e mikesha shqiptare. Jeton me to to të përditshmen dhe shijon gjithçka të fal qyteti muze.
“Unë kam miqtë e mi këtu, ndërsa komshinjtë i përshendes, "mirmëngjes".
Shoqja ime më e mirë jeton në anën përtej, në Goricë , është Greta Karajana, por kam dhe disa miq të tjerë nga restoranti "Friendly House" , dhe natyrisht "Ëildor" sepse Greta është pronarja e tij, darkave shkoj pi një gotë verë me të. Ose shkoj tek Alma , ngjitem sipër te 'Castle Park'.- u shpreh ajo.
“Jo, un ha jashtë, pse ta përgatis në shtëpi kur ka kaq shumë ushqim të mirë, dhe për mua nuk është i shtrenjtë. Unë ha gjithkund , shumë rrallë bëj një vezë apo sallat në shtëpi, por në përgjithësi ha jashtë , të gjitha specialitetet. Po më pëlqen shumë mishi që këtu e përgatisin shumë mirë, por perimet e freskëta. Nga specialitetet më pëlqen shumë lepuri. Gjithashtu më pëlqen të shkoj në Bogovë , atje ata kanë specialitet troftën. Sepse ka shumë ujë dhe ata kanë Troftën.”
Ka ende qytete të pazbuluara të Shqipërisë. Gjirokastra është synimi i saj i ardhshëm, por edhe Përmeti, Vlora dhe Saranda.
“Po natyrisht, kam dëshirë të shkoj në Sarandë dhe në Himarë, por preferoj të shkoj në Shtator se në verë ka shumë grumbullim.”- tha ajo.
Është 72 vjeçe dhe vazhdon të bëjë plane për të ardhmen të cilën e sheh në Berat.
“Ndonjëherë është e vështirë ta përshkruash me fjalë, sepse është i paqtë , është i veçantë, shumë i veçantë. Kam udhëtuar shumë, për kohë të gjatë, qëndroja diku , gjithçka në rregull por mund të ikja pas disa ditëve, por këtu nuk dua që të iki më. Dua të qëndroj këtu është mbresëlënëse, ka diçka shumë speciale ky qytet.
Më pëlqen shumë është qetë gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje në korrik dhe gusht të rinjtë kanë festa , mund të kërcesh, jepen filma, ka varietete, nuk mërzitesh këtu.”- tha ajo.
E shpreh jo vetëm në anglisht por edhe në italisht dashurinë e saj për qytetin e “Një mbi një dritareve”!
‘Është fenomenal ky vend, ejani në Shqipëri. Më pëlqen shumë shumë Berati, sepse është vend magjik, dhe të jep shumë energji, ka energji shumë te veçante.
Shoh shumë turistë dhe ata e ndjejnë që ka diçka shumë te veçantë në këtë qytet.”- përfundoi Hilda.