Sali Berisha, Edi Rama dhe Lulzim Basha

Opinion

Berisha armiqëson PD-në me Bashën, me ‘kauzën’ e luftës kundër ‘regjimit Rama-Luli’

19 Gusht 2021, 18:49| Përditesimi: 19 Gusht 2021, 19:00

  • Share

Shtatori për Sali Berishën është kthyer në makth tashmë, për shkak të ultimatumit të ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, sipas të cilit PD dhe Basha duhet të distancohen prej tij.

E thënë me pak fjalë, Kim ka kërkuar që Berisha t’i përkasë të shkuarës politike tashmë në raport me PD, duke nënkuptuar që të mos jetë pjesë e Parlamentit të ri, i cili pritet të fillojë në vjeshtë.

Ish kryeministri dy gjëra i ka të qarta dhe është i bindur se nuk mund të bëjë asgjë përballë tyre!

E para është se amerikanët jo vetëm nuk duan të shkelë familjarisht në SHBA, gjë për të cilën e shpallen “non grata” për minim të demokracisë dhe korrupsion të lartë bashkë me familjen dhe miqtë e tij në kohën që ka qënë në pushtet, por nuk e duan as në Parlamentin shqiptar.

Me një fjalë e duan jashtë politikës pasi ka vjedhur paratë e shqiptarëve dhe ka shkatërruar demokracinë në këtë vend, duke penguar madje dhe drejtësinë.

E dyta, Sali Berisha është më se i qartë se luftën me amerikanët e ka të humbur ende pa filluar, ndonëse bën si i fortë, duke deklaruar se ka bërë një padi në Paris kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, por dhe është i “dashuruar” me demokracinë amerikane. A thua Blinken vepron në kokën e vet kur merr vendime apo nënshkruan për Berishën si person “non grata”.

Ndaj është vendi më demokratik në botë SHBA, pasi institucionet nuk marrin fytyrën e drejtuesit të përkohshëm të tyre por veprojnë sipas standardeve demokratike, pavarësisht emrit të titullarit apo partisë që është në pushtet.

Për këtë arsye Berisha, po i drejton të gjitha sulmet kundër Lulzim Bashës, për ta trembur dhe për ta armiqësuar sa më shumë me bazën e PD. Cilësohet dhe si hallka më e dobët në PD. Kjo është një mënyrë shumë e lehtë që dhe më tutje të mbajë me “thonj” drejtimin e kësaj partie, ku sëpaku të gjitha përballjet me amerikanët dhe drejtësinë ta gjejnë me një mburojë, atë politike.

Dhe Berisha po punon që ultimatumin e SHBA për të distancuar PD nga ai, ta kthejë në një distancim dhe armiqësim të PD-së me Lulzim Bashën dhe lidershipin aktual të saj.

Rasti më i artë që Berishës i erdhi në dorë për të sulmuar Bashën përmes mediave të djalit të tij dhe grupit të strukturuar të kamikazëve të rrjeteve sociale ka qënë ai i situatës së ardhjes së refugjatëve afganë që po ikin nga atdheu i tyre për shkak të rikthimit të Talebanëve në pushtet.

Lulzim Basha, ka reaguar pro strehimit të përkohshëm të tyre në Shqipëri, deklaratë kjo e dhënë menjëherë pas kryeministrit Edi Rama, i cili e kishte cilësuar si detyrim ndaj aleatit të madh SHBA por dhe përgjegjësi humane strehimin e afganëve në Shqipëri.

Menjëherë pas deklaratës së Bashës, njerëzit afër Berishës nxituan të akuzonin kreun e PD në mediat e djalit të tij por dhe afër tij si dhe në rrjetet sociale, si një “jes-men” të ambasadores amerikane Yuri Kim por dhe pjesë e asaj që ata e quajnë “Regjimi Rama-Luli”.

Por dhe të gjitha komentet që shoqërojnë statuset e rralla të Bashës në këtë verë të nxehtë, godasin fort në idenë e një bashkëpunimi mes kreut aktual të PD dhe kryeministrit Edi Rama.

Nuk është fort e vështirë të dallosh se shumica e komentuesve janë të “shkollës” së Berishës dhe e qajnë faktin se lideri i tyre historik nuk është në krye të PD, duke e argumentuar me faktin se vetëm drejtimi prej tij i opozitës e sjellë atë në pushtet duke mundur Edi Ramën në zgjedhje.

Eshtë një strategji e zgjedhur me kujdes nga Berisha teza e “regjimit Rama-Basha”, teksa vetëm ish kryeministri demokrat lëshoi një deklaratë mbështetjeje në favor të strehimit të refugjatëve afganë në Shqipëri, pa harruar të përmendë se liderët politikë në Shqipëri, veçanërisht Edi Rama, po përpiqen me të gjithë mundësitë për ta përdorur politikisht këtë situatë si dhe për të treguar devotshmëri ndaj SHBA dhe BE.

Këto janë “shigjeta” të helmëta dhe për Bashën, të cilit nuk ia falin takimet kokë më kokë me Yuri Kim dhe për më tepër Berisha e di fort mirë se Lulzim Basha sa herë takohet me ambasadorët e rëndësishëm ankohet për të, duke thënë se nuk mund të bëjë asnjë lëvizje në PD sa kohë që Berisha gjendet brenda saj.

Madje, ndonëse thelbin e qëndrimit ndaj afganëve e kishte me detyrim përcaktim, sipas njerëzve të Berishës, nga Lulzim Basha nuk pritej të bënte duartrokitësin e qeverisë, as papagallin e deklaratave të qeverisë e të Edi Ramës.

Argumenti i tyre, në tentativë për ta armiqësuar me bazën, është se nga çdo opozitë normale, ndonëse mund të pritej përkrahja e hapjes së dyerve për refugjatët afganë, pritej po ashtu edhe kërkesa për transparencë. “A ishte ky një vendim që duhej marrë nga një njeri i vetëm, apo në konsultim me institucionet e tjera, e pse jo edhe me opozitën, apo Rama e trajtoi si një nder personal për administratën amerikane.

A duhej një konsultim publik paraparak, kur ashtu sikurse pranon vetë Rama i paska kërkuar personalisht sjelljen e afganëve në Shqipëri dhe duhet të ishte diskutuar për kuota, pra sa do të pranojmë dhe a duhet të kënaqemi me premtimin se ata do qëndrojnë përkohësisht deris sa ti tërheqë SHBA, apo duhet të flasim për afate”, janë disa nga pyetjet që shtrojnë mbështetësit e Berishës pë Bashën.

Ithtarët e Berishës nuk mjaftohem me kaq në komentet e tyre dhe sulmet ndaj Bashës. Sipas tyre një opozitë e përgjegjshme dhe kur e miraton një akt të qeverisë, siç bëri në rastin e gatishmërisë për pritjen e refugjatëve afganë, është e dënuar t’i ngrejë këto dilema, që i shërbejnë rolit të saj parësor në mbrojtje të interesit publik.

Për mbështetësit e Berishës, në “deklaratën qesharake të Bashës, të gjitha këto elemente thelbësorë mungonin, pasi nga frika se mos e etiketojnë si antiamerikan ai heshti, nga paburrëria për të thënë të vërtetën, ai edhe njëherë më shumë nuk arriti të bëjë detyrën e tij”.

“Duke dashur të sillet si servil i diplomatëve ai më shumë po lë përshtypjen e një loloje që i bën fresk regjimit. Sepse edhe në këtë pikë Basha duket i ngjashëm me Ramën. I pari po e përdor çështjen e ardhjes së afganëve të rrezikuar për kreditet e veta personale, edhe i dyti po bën të njëjtën gjë. Vetëm se në këtë lojë bonusin e merr ai që ka pushtetin”, akuzojnë fort mbështetësit e Berishës, duke marrë dhe një “lumë” mbështetjeje nga shumë demokratë radikalë.

Edhe “setin” e fotove me ish presidentët amerikanë apo të videove të vizitave në SHBA që Berisha poston në adresën e tij në rrjetin social, i vë në dizpozicion të tezës se ai ka qënë në aleancë me krerët e këtij shteti të madh vit pas viti, dhe jo me të dërguarit e tyre ambasadorë në Shqipëri, të cilët herë herë i cilëson dhe si “guvernatorë” që po cënojnë sovranitetin e Shqipërisë, si në rastin e Yuri Kim.

Dhe për ta trembur akoma më shumë Bashën, ai i trembur në fakt është gjithmonë kur vjen puna për t’u përballur me “babain” e tij politik, publikon dhe video të tilla nga përballjet e kaluara si opozitar me Edi Ramën. Ku shfaqet si cub që nuk pyet për askënd, madje as për drejtësinë!

Këtë funksion kishte dhe videoja më e fundit e publikuar nga Berisha, ku ndonëse dukej sikur sfidonte amerikanët teksa përsëriste: “Jam Sali Berisha unë dhe nuk tërhiqem, o budallenj, o plehra”, më shumë i drejtohej Bashës që të mos e provonte distancimin në shtator apo larg qoftë kërkesën për të lënë mandatin e deputetit. Gjë të cilën e ka refuzuar kategorikisht dhe më parë, duke treguar qartë se në shtator dhe në vijim ai do të jetë në Kuvend.

Madje dhe më i fuqishëm në PD, pasi sikurse po e tregojnë dhe faktet, dhe deputetët e rinj, pjesa më e madhe e tyre, e shohin atë si lider të vërtetë të PD dhe si mundësia e vetme që kjo parti të pretendojë ardhjen në pushtet.

Berisha po lufton fort për të ruajtur të njejtin pozicion në PD, atë të qeverisjes në prapaskenë si dorë e fortë e saj, dhe për më tepër që asnjë vendim madhor të mos merret pa kaluar nëpër dorën e tij dhe marrë dakordësinë e tij. Thjeshtë dhe vetëm po kërkon të jetë partner e palë në negociim, në mënyrë që të mos jetë thjeshtë dhe vetëm një i shpallur “non grata” nga SHBA, një i akuzuar për minim demokracisë dhe përvetësim të parave të qytetarëve shqiptarë, apo si një subjekt i dëshiruar për drejtësinë shqiptare për të dhënë llogari për zullumet e shumta në 30 vite qeverisje të PD dhe të shtetit shqiptar.

Ndaj Berishës i nevojitet shumë dërgimi i Bashës në “cepin e ringut politik” si pjesë e “regjimit” të përbashkët me Edi Ramën, në mënyrë që ta armiqësojë në mënyrë të pakthyeshme me PD, duke e kthyer në një lider partie të pafuqishëm që s’kontrollon gjithë “territorin” e partisë më të madhe opozitare.

Reagimet e Bashës me të emëruar si kryetarë në degët e PD në rrethe më shumë se sa qeverisje të partisë me dorë të fortë, e kanë shkëputur akoma më shumë nga baza, pasi askush në parti nuk i do të emëruarit. Kontestohen të zgjedhurit e jo më në emëruarit apo komanduarit.

Me sa duket Berisha po e fiton përballjen me Bashën dhe e pret shtatorin i sigurtë në drejtimin real të PD. Pjesa tjetër është jashtë axhendës së tij politike, duke parë dhe moshën fizike që është në limitet e saj.

Dhe për të, ky është një lajm i mirë, ndërkohë që për PD është lajmi më i keq, pasi prania e Berishës në lidership është dhe “identikiti” më i mirë i qeverisjes së nesërme që pretendon PD. Çka largon akoma më shumë elektoratin gri, pikërisht ata që të japin pushtetin. Gjithsesi të presim. Nuk përjashtohen surprizat, por jo nga Basha por nga partnerët tanë të mëdhenj!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?