Pavarësisht shtyrjeve të marrjes së vendimit nga Gjykata e Posaçme për arrestin e Sali Berishës, besojmë se të shtunën, një ditë para natës së Vitit të Ri, ky proces do të kryhet.
Zvarritjet që kanë fort për zemër avokatët e Berishës, të cilët i gëzohen dhe një ditë të ‘fituar’ me Berishën jashtë masës së arrestit, do marrin fund në mos të shtunën, një ditë pas kësaj të shtune. Eshtë një ‘gëzim’ i shkurtër, që i ngjan gëzimit të atyre kalamajve që për një moment përfitojnë nga vëmendja e prindërve të tyre për të luajtur 5 minuta më tepër apo dhe për të fjetur gjumë 5 minuta më tepër, në një ditë të zakonshme shkolle.
Në fund të herës ky vendim nga ana e Gjykatës së Posaçme do të merret dhe për Berishën, për të cilin SPAK ka kërkuar masën e arrestit në shtëpi. Dhe festën do ta ‘shijojë’ nga apartamenti, do shohë dhe fishekzjarret. Fundja është zonë që frekuentohet dhe nga të rinjtë ajo afër banesës së Berishës. Do e ndjejë veten dhe më të ri dhe vitet do jenë me tamam numra për të.
Dhe kur mendon se, nëse i referohemi alfabetit shqip, Berisha në këtë proces është ende tek ‘kërrabat’ pa shkuar akoma tek gërma “A”, pasi hetimi dhe gjykimi për aferën “Partizani” por dhe për aferat dhe dosjet e tjera që mund të hapen dhe ta ‘zënë’ rrugës, ajo që mund të themi është se kreu i Foltores ka shumë rrugë të gjatë për të bërë, për të mbërritur në qelinë e burgut për shkeljet që ka bërë, ose për të qënë rehat në shtëpi i lirë, nëse shpallet e pafajshëm.
Dhe deri atëherë, avokatët do t’i ketë lënë fryma, pasi po konsumohen shumë duke u mbajtur tek procedura dhe teknicialitetet të ndërthurura dhe me debatet televizive pafund. Ku me të drejtë një juriste veterane i krahasoi sjelljet e këtyre avokatëve të Berishës për zvarritjen e procesit përmes procedurave, me ato të avokatëve të Dritan Dajtit, që e shtynë vendimin pafund. Por me një drejtësi tjetër ama. Pra avokatët po e trajtojnë vetë Berishën si një kriminel.
Por kjo drejtësia e re i ka gjërat të prera, s’ta përton fare, dhe nuk pranon më këto ‘kinkalerirat’ dhe manierat e avokatëve, që dikur si prokurorë kishin dënuar dhe ish kreun e opozitës socialiste me burg, thjeshtë me një urdhër politik.
E kemi fjalën për Fatos Nanon, meqë mbështetësit e Berishës kanë qejf ta krahasojnë rastin e kreut të Foltores me rastin e burgosjes së ish kreut të PS në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë. I cili u akuzua se kishte favorizuar të tretët, dhe të tretët ishin pala italiane me në krye ish ministrin e jashtëm italian në atë kohë Xhani de Mikelis, për ndihmat italiane ndaj Shqipërisë.
Dhe kur numri një i diplomacisë italiane u shpall i pafajshëm dhe vijoi politikën në diplomaci e tek të majtët italianë, ky soj avokatësh, atëherë prokurorë, e dënuan Nanon me akuzat e Blerim Çelës, prapa të cilit qëndronte vetë Berisha, për ca kavanoza ushqimorë. U shkarkua dhe kreu i Kasacionit Zef Brozi se deklaroi lirimin e Nanos nga qelia, pasi akuzat ndaj ‘të tretëve’ ranë në Itali, dhe nuk po gjendej kë kishte favorizuar Nano. Pra Berisha dënoi ‘shërbëtorin’ në ‘vjedhje’ Nano, ndërkohë që “ustai’ Xhani De Mikelis ishte shpallur i pafajshëm në Itali.
Rasti i Berishës nuk ka të krahasuar, pasi nuk është marrë për ‘leckash’ dhe plasur në burg me urdhër partie, nuk po e heton dhe gjykon një prokurori e gjykatë politike, pasi drejtësia e re e ka ‘pultin e komandimit’ në Uashington dhe s’pyet për kryeministrin aktual Edi Rama. Berisha po akuzohet për një vepër të qenësishme korrupsioni pasiv në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që ka përfituar më e pakta 5.4 milionë euro. Janë ndjekur paratë me një fjalë, sipas stilit amerikan të hetimit e këtu s’duhet të ketë dyshime. Nuk ‘trajnohen’ kot çdo muaj prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e posaçëm në Uashington. Bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit.
Prandaj Berisha dhe mbëshetësit e tij duhet ta marrin më lehtë masën e Gjykatës së Posaçme me shumë gjasa me arrest në shtëpi, dhe jo të dalin në protesta për të bërë presion ndaj drejtësisë së re, apo të çudisin publikun nëpër ekranet televizive, me deklarata të tipit ‘vdes dhe doktorin nuk e lë vetëm’, apo ‘Berisha është kryetar i PD” e betime të tjera të këtij lloji, si ajo e Flamur Nokës se do të hyjë me forcë në shtëpinë e Doktorit për të qëndruar me të dhe s’ka polic që e ndalon për të dëgjuar zërin e tij teksa jep udhëzime për drejtimin e partisë. Grupim i cili sillet e sillet, por nuk bën rolin e një opozite normale, por thjeshtë rrotullohet rreth Berishës dhe banesës së tij.
Për hir të së vërtetës, vulën dhe logon e PD i ka Lulzim Basha, i cili të enjten po festonte, madje bënte vetë DJ. Ndaj Berisha thjeshtë dhe vetëm drejton grupimin e tij politik “Foltorja”. Dhe nga një grupim politik i panjohur ligjërisht, thjeshtë në të ‘zezë’ këto lloj veprimesh janë të pritshme.
Berisha dhe mbështetësit e tij përpiqen që masën e arrestit në shtëpi ta paraqesin si një veprim prej diktatori të Ramës, që po mbyll në banesë dhe izolon kreun e opozitës. Se kur është emëruar kreu i opozitës Berisha, që nuk po e ndjek as Gazment Bardhi, jo më Meta, Basha, Idrizi, Duka, Ndoka, Shehi dhe krerët e partive të tjera opozitare, askush nuk di t’i japë një shpjegim.
Por Berisha dhe mbështetësit e tij të paktë po tentojnë ta paraqesin si një dhunë të shtetit ndaj kreut të opozitës për të bllokuar lëvizjet e tij, ‘revolucionin’ e tij në ‘epruvetë’ me djegie të ‘brendshme, pra karrigesh dhe flakadanë në Parlament se nuk e ndjek njeri jashtë këtij perimetri. Po tentohet që Berisha të paraqitet si viktimë dhe opozita të viktimizohet në bllok me Berishën.
Një shpjegim i padrejtë dhe i rrejshëm, që nuk e besojnë më jo vetëm demokratët e ftilluar dhe shqiptarët, por as ithtarët më të zjarrtë të Berishës. Të cilët po ia kthejnë reston me mungesën në protestat që po përpiqet të organizojë Berisha për hallin e vet personal, pasi është familjarisht nën hetimin e organeve të drejtësisë për abuzim me pushtetin.
Dhe mbi të gjitha, megjithëse Berisha dhe mbështetësit e tij po thërrasin me të madhe se në Shqipëri është instaluar diktatura, shkelen të drejtat e opozitës, asnjë zë nga kancelaritë e Perëndimit nuk po dëgjohet në mbrojtje të tij e kundër kësaj “diktature”. Nuk flet as Uashingtoni, as Brukseli, as Londra, as Parisi, as Berlini e deri as Prishtina e Shkupi.
Asnjë organizatë joqeveritare, nga më e thjeshta deri tek më e përbëra nuk po ngre zërin kundër kësaj ‘diktature’ dhe në mbrojtje të Berishës. E kanë lënë vetëm Berishën në fatin e tij përballë drejtësisë, që për fatin e keq po fut rëndshëm dhe një pjesë të demokratëve në këtë ‘karantinë’ që ka përgatitur dhe instaluar vetë Doktori. Por jo pafund.
Megjithëse po përpiqemi që të shpjegojmë se vendimi i pritshëm i gjykatëses Irena Gjoka për arrest shtëpie për Berishën nën akuzën e korrupsionit pasiv nuk është hataja. E ka thënë dhe vetë Berisha, të paktën publikisht, se është një vendim që i pëlqen. Ndoshta kërkon të rrijë rehat në shtëpi, vetëm me bashkëshorten Lirie pasi me atë jeton, sepse Argita dhe Shkelzeni janë me familjet e tyre, në shtëpitë respektive të tyre, ‘oxhak’ më vete.
Pavarësisht se deri në vitin 2013 ishin ata që ia bënë gjëmën babait të tyre, pas vitit 2013 ishte vetë Berisha që ia bëri vetes, nuk qëndroi rehat si pensionist, por në prapaskenë u përzie në maskarallëqe kundër vetë shtetit, për të cilat bashkë me zullumet e mëparshme që ia mblodhën të gjitha bashkë, u shpall dhe ‘non grata’ nga ana e SHBA, Britanisë dhe trajtohet si ‘non grata’ nga thuajse të gjitha shtetet e globit, përfshirë dhe rajonin e vëllezërit tanë në Kosovë.
Atëherë pse e kanë marrë kaq me siklet mbështetësit e tij arrestin në shtëpi të Berishës, aq sa të deklarojnë se janë gati të hyjnë në burg me të, të flenë të shkallët e pallatit ku do të caktohet aplikimi i masës së arrestit? Fundja Berisha do të jetë për herë të parë i qetë vetëm me gruan e tij, larg kasavetit të daljes rrugëve për mbrojtjen e vetes dhe familjes nga burgu.
E kemi thënë dhe më parë, duke parë akuzën ‘korrupsion’ pasiv, ku ligji parashikon një dënim deri në 12 vite, e ka nënvizuar dhe SPAK këtë, të gjithë ‘sivëllezërit’ e Berishës me të njejtën akuzë janë futur direkt në qeli. E parashikon ligji.
Arresti në shtëpi, sikurse duken gjasat, është një masë lehtësuese për Berishën nga ana e SPAK që e kërkoi, duke pasur parasysh moshën e tij të thyer në pleqërinë e thellë. Eshtë një ‘bonus’ që e përfitoi Berisha, dhe në fund të kapitullit të tij të jetës dhe të politikës. Megjithëse ‘bonus’ ai ka përfituar që në krye të herës në politikën shqiptare ku nga sekretar i PPSH u bë kreu i partisë së parë opozitare, u bë President dy herë, kryeministër dy herë.
Kryetar partie i përjetshëm po e po, derisa Basha i bëri të pabërën, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, e përjashtoi nga grupi parlamentar e më pas nga PD, duke e lënë rrugëve. E hoq nga pushteti populli me armë dhe e kthye me votë dhe me shumë makinacione. E bënë ‘nuse’ dy herë. Tani të tretën herë që kërkon nuk e bëjnë më, as lumi kurrë nuk kalon në të njejtat brigje dy herë jo më tre herë.
Pra arresti me burg për Berishën pritet të jepet nga Gjykata e Posaçme thjeshtë dhe vetëm për mëshirë. Për gjynaf sikurse e thonë rëndom shqiptarët. Për hir të moshës së thyer, për të shmangur qelinë për një plak që ka qënë në kupolën politike dhe qeverisëse të vendit për 33 vite me radhë. Nuk kanë pse acarohet mbështetësit, kur dhe vetë Berisha e quan një masë që i pëlqen.
Me sa duket problemi është kufizimi i kontakteve përpos bashkëshortes Lirie, bllokimi i postimeve në rrjetet sociale dhe deklarata të tjera të këtij lloji. Kjo ka një shpjegim, dhe ligjor. Përderisa me ligj dhe ‘kanun’ Berishës i takon qelia, atëherë për shkak të moshës është zhvendosur në kushtet e shtëpisë, për të qënë më komod në trajtim, por ama masat do të jenë të njejta si në burgun që i takon. Thjeshtë aplikohen në kushte shtëpie, ky është ‘kyçur’ për mëshirë.
Berisha dhe ithtarët e tij s’duhet të kompleksohen nga policët që do bëjnë roje te dera e banesës së Doktorit nën masën e arrestit të shtëpisë. Të cilët nuk do lënë askënd të hyjë brenda në banesë. Policia është për të siguruar jetën e Berishës. Sikurse e tha dhe ish zv.kryeprokurori shqiptar, deklarata e mbështetur dhe me informacione nga Prokuroria, mund të kërcënohet jeta e Berishës. Pasi ka shumë njerëz brenda PD të interesuar që Berisha të bjerë theror për përfitime politike.
Ka bazë reale ky shqetësim, pasi vrasja e Hajdarit shërbeu për një grush të dështuar shteti të organizuar nga vetë Berisha më 14 shtator 1998, ndërsa arkivoli i ish Liderit të Dhjetorit u përdor si ‘dash’ për të hapur derën e selisë së kryeministrisë. Madje dy vite më vonë u përdor si ‘dash’ i gjallë dhe vetë ish kreu i Parlamentit Pjetër Arbnori për të hapur derën e kryeministrisë, por që për fat arriti t’u shpëtojë ithtarëve të Berishës, e të mos binte ‘dëshmor’ i demokracisë te dera e kryeministrisë. Pra kanë ndodhur situata të tilla të rrezikshme.
Berisha dhe ithtarët e tij duhet ta dinë se policia te dera e shtëpisë vendoset për të garantuar jetën e ish kryeministrit. Pasi nuk dihet kush hyn brenda, çfarë interesash ka dhe çfarë mund të bëjë. Nuk jemi kundër që ithtarët e tij të flenë te shkallët e pallatit të Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti”, apo në lulishtet aty afër. Do të jenë thjeshtë një forcë plus në ndihmë të policisë për të ruajtur jetën e Berishës. Jo se i dhimbset shumëkujt jeta e tij, por sepse mund të ndodhin situata të papëlqyeshme destabiliteti, në një rast largqoftë dëmtimi të Berishës.
Ndaj themi që Berisha dhe ithtarët e tij ta shfrytëzojnë të paktën për këto festa mëshirën e SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme. Derisa të mërzitet vetë Berisha brenda, apo Flamur Noka jashtë dhe të thyejnë masën e sigurisë dhe të shkelin ligjin. Atëherë le të zënë radhë me ushqime dhe ndonjë rrobë të trashë për Berishën, përballë qelisë së burgut. Se s’ka më masë lehtësuese për Doktorin.
E themi këtë sepse Berisha ka lidhje me gjithçka, por me durimin dhe njohjen e vendimeve të gjykatave s’ka lidhje. S’ka pasur asnjëherë. Ndaj s’do ta shtyjë gjatë shfrytëzimin e mëshirës së drejtësisë së re që i dhanë si masë sigurie ‘arrestin në shtëpi’. Kemi qënë dhe jemi, që drejtësia duhej t’i kishte tejkaluar këto gjëra dhe duhej të kishte ruajtur të njejtin standard me të tjerët.
Gjithsesi arresti për Berishën, që nuk guxonin dikur t’i përmendnin as emrin jo më ta thërrisnin në prokurori, nuk është pak. Eshtë shumë. Gjithsesi të shijojmë festat, ithtarët mund të festojnë dhe te shkallët e banesës së Berishës. Apo lokalet afër. Dhe me policinë, nese lejohet në ndonjë moment, sipas një radhe të caktuar, pa lënë në harresë ruajtjen e Berishës. Gezuar të gjithë! Java
O kike po deri tani kush ja ka siguru jeten
Përgjigju