Sali Berisha nuk dorëhiqet, nuk largohet, dhe nuk ka gjasa të përjashtohet nga Partia Demokratike, deri në minutën e fundit. Ai do të marrë me vehte edhe Lulzim Bashën, “birin” e tij politik. Nuk mundet që Lulzim Basha që e ka lidhur qysh në 2005 fatin dhe karrierën e tij me Sali Berishën, ti tregojë atij “udhën”, ta përjashtojë nga partia, dhe aq më keq nga grupi parlamentar. Lulin dhe saliun, e lidhin fije të dukshme dhe të padukshme partie, biznesi, aferash dhe krimesh të llojeve të ndryshme. Kush thotë dhe beson se “Luli po bëhet gati të marrë një vendim në Shtator”, e siguroj se gabon.
Kjo për faktin sepse sot e kësaj dite “themelet” e Partisë Demokratike janë të Sali Berishës, dhe vetëm muret e zyrës së tij si kryetar de jure, i takojnë Bashës. Në Shtator, Lulzim Basha ka përpara një betejë të madhe, delikate dhe të rrezikshme, nga e cila ai nuk mund të dalë “pa lagur”. Lulzimi, ta harrojë betejën me Edi Ramën, qeverinë dhe “zgjedhjet e vjedhura”. Atë e pret një zallamahi e madhe. Situata aktuale brënda partisë tij, është më tepër se krktike. Gjysma e Këshillit Kombëtar dhe mbi 70 per qind e bazës (e cila është krejt e informuar) janë me Sali Berishën. Prej ditës së parë kur Sekretari Blinken deklaroi “non-grata” Sali Berishën deri sot, Lulzim Basha nuk ka patur as kurajon, as guximin, dhe zgjuarsinë të sqarojë përfundimisht të vetët, ti kërkojë mirëkuptimin bazës së mbetur se “Berisha nuk duhet të jetë më pjesë e PD”.
Dhe në fakt nuk ka se si ta bëjë, kur edhe në takimet e tij në rrethe, apo dhe mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, salla buçiste “Berisha-Berisha”. Në dukje, Lulzimi ndjehet e pafuqishëm , i lodhur dhe i pashpresë përballë një Berishe i cili edhe dje edhe sot, nuk rresht së deklaruari se “kam qenë, dhe do jem pjesë e PD dhe grupit parlamentar”. Ai e ka vendosur, do ta marrë me vehte Lulin. Do të ikin bashkë ngado, qoftë edhe në qeli. Duket se kjo vendosmëri, e ka bërë Lulin të jetë i çoroditur, dhe të mos reagojë asnjë fjalë të vetme, edhe pas deklaratës së fortë të ambasadores së SHBA-së zonjës Kim në oborrin e Partisë Demokratike. Ajo deklaratë në fakt, ishte një paralajmërim i fortë edhe për Lulzim Bashën, duke i treguar atij se, “SHBA nuk fal askënd që mbron “non-grata” e saj”. Por deklarata e zonjës Kim, ishte njëherësh edhe një trokitje e fortë edhe për vetë Sali Berishën, njeriun që edhe pse akuzohet, edhe pse u plak në politikë, nuk ka kuptuar asgjë nga kjo e fundit. Koha e tij, ka kohë që ka mbaruar, dhe ai këtë nuk kuptoi sa ishte në kohë për të vepruar.
Sfida që Berisha kërkon ti bëjë SHBA-së, e shvlerëson atë edhe si “proamerikan të deklaruar”, pasi një mik i amerikanëve, nuk hap procese gjyqsore me Sekretarin e Shtetit, por ikën kokëulur nga posti, politika dhe çdo angazhim tjetër publik. Por ai as që ka ndërmend ta bëjë atë. Sali Berisha ka vendosur ta marrë me vehte Lulzim Bashën, duke mos e ndarë atë nga rruga drejt llogaridhënies për gjithçka ka bërë në 30 vite si politikan. Dhe kush më mirë se Luli, do të ishte “mburoja” e tij në sallën e gjyqit….. ?