Ka një përfshirje të madhe të njerëzve, analistëve e politikanëve në ‘procesin’ e dhënies së mendimeve dhe ideve se si mund të zgjidhet kriza në PD, partinë më të madhe opozitare, të ndarë zyrtarisht në dy pjesë.
Një pjesë e këtyre kontribuesve të kërkuar dhe të pakërkuar nisen nga shqetësimi real, pasi dëshirojnë që të ketë një Parti Demokratike të bashkuar, alternativë pushteti dhe jo të katandisur në këtë farë feje sikurse është katandisur deri më tani.
Të tjerë i mëshojnë teknicialiteteve të zgjidhjes së krizës në PD, thjeshtë dhe vetëm për të qënë të përfshirë në debatin politik dhe mediatik dhe për të qënë pjesë e debatit në media e rrjetet sociale.
Ka dhe nga ata që duke propozuar zgjidhje, janë të bindur si dreqi, se lidershipi aktual i PD, në të dy anët e segmentit të kësaj partie, dhe nëse janë propozime lineare dhe efektive, do të bëjë të kundërtën e asaj që thuhet. Pra do të vijojë të ecë me të tijën.
Dhe e gjithë kjo përfshirje rezulton e përqëndruar në një pikë kryesore: Ekziston mundësia që të ketë një PD të bashkuar, reformuar dhe alternativë për pushtet të drejtuar nga njëri prej dy ish kryetarëve Sali Berisha e Lulzim Basha në dualitet me njëri tjetrin, apo duhet të zgjidhet një lider i ri, jashtë këtyre dy emrave dhe grupeve ithtare që i mbështesin, kush më shumë e kush më pak.
Po i marrim në shqyrtim shanset që mund të ketë një PD e bashkuar, nëse bashkohet, me Sali Berishën në krye, me Lulzim Bashën në krye, apo me në krye një person të tretë, të barazlarguar nga këta dy emra, që e kanë drejtuar këtë parti në këto 33 vite jete politike.
Sali Berisha është lideri historik i PD, e ka drejtuar që nga shkurti i vitit 1991 e deri në shtator të vitit 2013. Zyrtarisht apo jo zyrtarisht duke qëndruar në prapaskenë e lëvizur fijet në PD sa kohë ishte president. Dhe në krye të PD ishin zgjedhur të preferuarit e tij, merrnin urdhëra po nga ai.
Të njejtën gjë, pak më heshtur por akoma më fort, e bëri pas vitit 2013, kur në krye të PD në mënyrë zyrtare u zgjodh Lulzim Basha, apo siç është cilësuar rëndom si ‘biri’ i tij politik.
Sali Berisha e solli dy herë PD-në në pushtet, njëherë në vitin 1992, me një shumicë dërmuese të votave, ishte përmbysja e madhe e komunizmit, dhe në sfond ishte ndihma e pakursyer e SHBA dhe e vendeve të BE. Të gjithë e kujtojnë ish ambasadorin amerikan në Tiranë Rajerson, i cili u përfshi hapur në fushatën pro PD. Justifikimi ishte real: duhej përmbysur me çdo kusht komunizmi, dhe nuk duhej përsëritur humbja e hidhur e zgjedhjeve të para pluraliste, më 31 maj 1991, përballë PPSH të udhëhequr nga Ramiz Alia.
Berisha fitoi më 22 mars 1992, u bë President me “nder dhe lavdi”, por për 5 vite arriti që të shkatërronte shtetin nga themelet, duke e çuar vendin në prag të luftës civile në atë mars tragjik 1997, dhe duke u larguar me turp nga pushteti pak muaj më vonë.
Qëndroi në opozitë, ku realizoi një grusht të dështuar shteti më 14 shtator 1998, një tentativë për një grusht shteti në vitin 2000, dhe pastaj ndryshoi kurs. Se kishte për herë të parë, kishte ndryshuar teseren e PPSH jo më të bënte një ndryshim formal aleatësh. Me një gjysmë ‘bekimi’ të SHBA, dhe tërë bekimin e fqinjit tonë jugor Greqisë, tregoi se i kishte kaluar armiqësitë me takimin dhe miqësinë me Nikola Geixh, Berisha i larguar me armë nga pushteti, pas 8 vitesh rikthehet me votë më 2005. Falë çarjes së PS, lodhjes së Fatos Nanos me pushtetin, shtuar dhe premtimin për ta bërë president. Që nuk u bë kurrë me gjithë dëshirën dhe përpjekjet e mëdha.
Për tetë vite Berisha qeverisi me PD, gjysmën e të cilave dhe me LSI e Ilir Metës. Nuk mund të qëndronte jashtë skandaleve Berisha. Realizoi aferën 230 milionë eroshe të Rrugës së Kombit, u zhdukën pa nam e nishan, shpërthimin e municioneve në Gërdec, akuzohet se ka qënë biznes i djalit të tij Shkelzen Berisha, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, i fali detin Greqisë, bëri aferën CEZ-DIA me vlerë 500 milionë euro, bëri privatizimin e kompleksit sportiv “Partizanti”, akuzohet si përfitues dhëndëri i tij, dhe afera të tjera të forta korrupsioni, për të cilat ka dhe përballje me drejtësinë. Bëri dhe masakrën e 21 janarit 2011, ku Garda e Republikës, akuzohet se me urdhër të tij, qëlloi mbi demonstruesit e opozitës dhe vrau 4 prej tyre në bulevard, përballë selisë së kryeministrisë, shumë larg perimetrit të saj.
Por Berisha dhe ‘flirtoi” sa mundi me vendet jo mike dhe armike, që nga Beogradi, Moska e deri tek Teherani e vende të tjera arabike. Për një dorë lekësh kuptohet. Pasi me sa duket ishte përgatitur për opozitë të gjatë, sikurse ndodhi teksa demokratët janë tash 10 vite në opozitë, duke pasur përpara një perspektivë të zymtë për të qënë sëpaku dhe dy mandate të tjera larg pushtetit.
Me tërë këto zullume në kurriz, Berisha emëroi Lulzim Bashën kryetar të PD. Me qëllimin e vetëm për ta pasur në ditë të vështira atë dhe partinë që i kishte lënë në ‘përdorim’, por që e drejtonte vetë në prapaskenë, si një mbrojtje për vete dhe për familjen e tij halleshumë.
Basha e bëri për 8 vite me radhë këtë detyrë të ngarkuar nga ‘babai’ i tij politik, deri në momentin kur Berisha u bë ‘shënjestër’ e amerikanëve. Të cilët, duke mos ia falur korrupsionin madhor, minimin e demokracisë, shantazhimin e drejtësisë e mbi të gjitha ‘flirtimin’ me Serbinë, Rusinë, Iranin të shprehur dhe përmes financimit prej gjysmë milioni dollarë të PD për rrëzimin e qeverisë së Ramës më 2017 dhe destabilizimin e Shqipërisë dhe rajonit të trazuar të Ballkanit, e shpallën familjarisht ‘non grata’ në SHBA. Pa asnjë të drejtë apelimi. Për tërë jetën e jetëve, si familje nuk shkelin më në SHBA.
Këtu fillon fillimi i fundit të PD. Basha, i gjendur nën presion nga SHBA sikurse e deklaroi publikisht vetë ai, përjashton Berishën nga grupi parlamentar i PD dhe më pas nga vetë partia. Fillon cikli i përjashtimeve reciproke, kuvendeve paralele që prodhuan forume dhe struktura paralele dhe PD ndahet në dy pjesë, në PD zyrtare të udhëhequr nga Basha dhe “Rithemelimi” i udhëhequr nga Berisha. Vula e sigla e PD, pas një zotërimi të shkurtër nga Berisha si “dhuratë’ nga gjyqtari Zhuri, me vendim të Apelit i shkon përfundimisht PD-së zyrtare. “Rithemelimi” i Berishës është “në të zezë”, s’ka asnjë akt juridik ku të mbështetet për t’u quajtur parti.
Basha, pas përjashtimit të Berishës dhe humbjes së PD zyrtare në zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit 2022, jep dorëheqjen nga posti i kryetarit. Me argumentin që të bëjë një hap pas, në favor të bashkimit të PD, duke kërkuar një gjë të tillë dhe nga Berisha. Komandohet Alibeaj në krye të PD zyrtare, i cili pas rezultatit katastrofik të PD dhe opozitës më 14 maj, edhe ai dorëhiqet.
Berisha e fut “Rithemelimin” nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, duke arritur të marrë vetëm 7 bashki, nga 61 qe janë në gjithë vendin. Humbje totale. Por Berisha sërish nuk lëviz nga drejtimi i grupimit më të madh të PD, “Rithemelimi”. Për më tepër ai kërkon bashkimin e PD, marrjen e vulës dhe logos zyrtare, si dhe të gjithë deputetëve e elektoratit të partisë zyrtare, nën hyqmin e vet. Por pa Bashën dhe Alibeajn brenda, ata janë të “mallkuarit” e tij dhe për këtë Berisha deklaron se nuk ka kthim pas.
Ndërsa për humbjen rrënuese të zgjedhjeve vendore më 14 maj, Berisha e ka justifikimin gati, i ka faj populli që nuk e kuptoi dhe e braktisi, madje dhe në Tropojë e Shkodër, gazetarët që nuk denoncuan, ndërkombëtarët që mbështetën Ramën, dhe armiku në dizpozicion Edi Rama. Madje deklaron se i ka vjedhur gjysmë milioni vota, dyfishin e votave që mori bashkë me Metën. Pra, Berisha thotë se ka fituar, por ia morën votat. Njësoj si 8 vite me radhë Basha.
Pra, situata në PD është e tillë: partia zyrtare nuk ka kryetar, dhe në këtë fushatë për zgjedhjen e liderit të ri, kemi një rikthim të ish kryetarit Lulzim Basha. I cili po bën takime në të gjithë vendin, duke kërkuar besim dhe mbështetje për të bashkuar dhe ringritur sipas tij, PD e opozitën. S’mungojnë sulmet ndaj Berishës, duke e cilësuar atë të shkuarën e PD dhe se me të në kupolë, PD s’ka të ardhme, pasi shkon kundër SHBA, Britanisë dhe BE. Pra s’ka vokacion perëndimor, mbi bazën e të cilit u themelua në dhjetor 1990. Ka të drejtë këtu, pasi Berisha është një anti-amerikan i thekur. Për hallin e tij kuptohet. Eshtë ‘non grata’ nga SHBA e tërë bota demokratike dhe përballë drejtësisë për zullumet që ka kryer në 32 vite. Pra PD s’vjen në pushtet asnjëherë me Berishën në krye të saj.
Problemi qëndron dhe tek Basha, i cili po vetëofrohet si alternativë për të drejtuar PD, të cilën ka drejtuar për 8 vite me radhë, duke shënuar zero fitore në përballjet elektorale me kundërshtarin politik. Gjithnjë parti e dytë, pas PS dhe Edi Ramës. Pra as Basha nuk ka shanse për të bashkuar PD. Si Berisha, ashtu dhe Basha janë problemi në PD, megjithëse këmbëngulin në përplasje me njëri tjetrin, se janë mundësia e vetme për për zgjidhje dhe për ta bërë këtë parti alternativë pushteti.
E dinë dhe vetë se s’kanë asnjë mundësi rikuperimi të kësaj partie e cila po shkon poshtë e më poshtë dhe është në mbyllje të misionit të vet. E dinë dhe e thonë të gjithë me zë të lartë. Madje dhe ata që janë afër Berishës e Bashës. Nuk shohin asnjë mundësi ringritjeje të saj. Pasi askush nuk beson më tek këta dy liderë që ikin e kthehen në krye të PD, sikur kjo parti të jetë ‘vakëf’.
Një alternativë e re, një lider i ri përtej Berishës e Bashës, e pranojnë të gjithë, është mundësia e vetme për bashkimin e ringritjen e PD. Eshtë e bukur ta thuash, po ku ta gjesh këtë personalitet. PD është shterrur ndër vite, për shkak të përjashtimeve dhe largimeve, shkaktarët e të cilave janë pikërisht Berisha dhe Basha, të dy ata që po luftojnë për postin e lidershipit në këtë parti.
Pra jo vetëm që nuk gjendet, por as nuk lejohet të gjendet dhe të ngrejë kokën ndonjë personalitet që mund të marrë në dorë partinë dhe opozitën. Sepse Berisha e do grupimin më të madh në PD për hallin e vet personal, ndërsa Basha e ka kthyer në biznes PD-në. Dhe për më tepër që Basha nuk di të bëjë asgjë tjetër, ndaj merret me partinë. Për të qënë brenda politikës, të themi.
Dhe sa kohë që do të vijojë kjo situatë, zgjedhjet parlamentare të 2025 janë në prag dhe duhej të kishin filluar përgatitjet për opozitën, PD do të shkojë poshtë e më poshtë, dhe do humbë sërish mbështetje rrugës. 250 mijë mbështetës i humbi më 14 maj, kushedi sa do humbë në të ardhmen.
Dhe ata që po ngulin ‘gozhdët’ e fundit në ‘arkivolin’ e PD janë Berisha dhe Basha, pikërisht ata që po kërkojnë besimin për të rimarrë e rimarrë sërish lidershipin e kësaj partie. Njëri ‘non grata’ nga SHBA, Britania dhe tërë bota demokratike, tjetri i provuar si humbës serial dhe një dembel e parazit funksional. Humbja më e madhe është e demokratëve por dhe shqiptarëve, që praktikisht janë pa opozitë. Kjo është tronditëse, pasi po shuhet partia e parë opozitare në vend.
PD-ja e mbaroi misionin e saj(Shkaterimin e shtetit Shqiptar).Ajo u formua jo si shprese e shqiptareve por,si mbrojtese e interesave te kupoles te PP-s dhe sigurimit te shtetit.Shqiptaret pane vetem fasaden e jashteme e jo thelbin e saj.Sot ka adhur koha te ngrihet nje force e vertete opozitare,duke larguar nga skena politike Berishen,Bashe(deshtakun prodhim i nkubatorit Berishe)Meten,Mediun,e gjithe sojin e sorollopin e tyre.Te gjitha "bashkimet" e tjera jane ngritje e godines me themele ne balte.Shqiperia e populli shqiptar kerkojne nje opozite alternative per ndryshim e jo garniture te pushtetit te sotem.
PërgjigjuBRAVO...ME KENI LEXUAR MENDIMIN
Mirmengjesi. Doja te thoja te njenjten gje qe te degjonte DIKUSH,por sa u kenaqa kur kuptova nga kome ti se e verteta e ketij grupimi,si hienat qe pastrojne karkasat e kafsheve kur ngordhin,pastruan e hengren gjithe TULEN e shqipetareve,ate qe ne 40 vjet komunizem e vune me gjak e sakrifica,po ata,AKOMA,kane fetyre te thone se e vrane komunizmin. JO komunizmi vdiq nga pleqeria dhe ata HENGREN SHQIPERINE DHE SHQIPETARET SI ASNJEHERE NE HISTORINE E TYRE. POPULLI DUHET TE REAGOJE NJE DITE NDAJ TYRE,NUK JANE POLITIKANE,JANE KOPE PARAZITESH TE TE GJITHA FORMAVE,TASHME TE DALE ASHIQARE.