Opozita shqiptare, vetëm disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor është më e përçarë se kurrë.
Kjo vihet re me sy të lirë teksa çdo ditë artikulimi i kauzave politike është një kakofoni zërash, bashkimi i të cilave nuk merr asnjëherë trajtën e një zëri të bashkuar dhe përfundimtar që të aspirojë nisjen e pretendimit për të ardhur në pushtetet.
Nënvizuam faktin se opozita në tërësi është e fragmentuar, fragmentim që është futur thellë dhe brenda partive respektive kryesore përbërëse të saj, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Kjo e fundit e ngritur mbi rrënojat e LSI-së që e përfundoi misionin e saj si parti klienteliste. Por që nga shtrati i të cilës sërish i njëjti ‘varietet’ politik do të mbijë, pasi ka të njëjtin drejtues dhe të njëjtin “pronar”, Ilir Meta(j)n dhe familjen e tij biologjike.
Teksa erdhi shtatori i “bekuar” dhe i shumëpritur për vetë opozitën, por dhe për shqiptarët të cilët rëndom e quajnë sezon të ri humori politik, Ilir Meta(j) dhe Sali Berisha kanë nisur “aktin” e ri, por me numra të vjetër humori politik, të sulmeve ndaj kundërshtarit Edi Rama.
Sali Berisha vijon ta cilësojë “armik” Edi Ramën, dhe për çdo veprim që bën, e shoqëron me akuza, që nga “argat” të Vuçiç e deri tek njeriu që ka korruptuar tërë botën, demokratike ose jo, për ta vënë në shërbim të pushtetit të tij.
I vesh me një fjalë fuqi të mbinatyrshme Edi Ramës, duke ia bërë akoma më të lehtë dhe komode fitoren në zgjedhjet e pranverës së ardhshme për pushtetin vendor. Por ndërkohë Berisha i bën dhe një shërbim vetes, duke krijuar që tani alibinë e humbjes së këtyre zgjedhjeve, pasi është i sigurtë se nuk ka bir shqiptari me dy pare mend në kokë që mund të hedhë votën e tij në “gropën” e zezë të një partie që udhëhiqet nga një person i shpallur “non grata” familjarisht nga SHBA, aleati e miku shekullor i shqiptarëve.
Dhe nuk janë akuza dokudo këto të SHBA kundër Berishës, por për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe presion e shantazhim ndaj drejtësisë për të mbrojtur veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij të zhytur në korrupsion dhe përvetësim të parave të shqiptarëve.
Eshtë një alibi e përgatitur me kujdes nga Sali Berisha për të justifikuar humbjen në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, e gërshetuar kjo jo vetëm me akuzat ndaj Ramës se nuk përballohet me votë por rrëzohet vetëm me revolucion, por dhe me akuzat ndaj kundërshtarëve të tij brenda PD, që aktualisht janë grupuar rreth Enkelejd Alibeajt. Kuptohet me pak Lulzim Bashë prapa këtij të fundit. Dhe statuti i PD i miratuar nga vetë Berisha u tregon “derën” kryetarëve humbës, dhe një humbje më 2023 dhe akoma më tepër më 2025 e largon përfundimisht me turp Berishën për herë të dytë nga drejtimi i PD.
Prandaj Berisha e akuzon këtë grupim brenda PD se po bashkëpunon me Edi Ramën për të përjashtuar rivalët nga politika, e këtu e ka fjalën për nismën ligjore të këtij grupimi kundërshtar parlamentar të PD, që kërkon miratimin e një ligji për ‘lustracionin’ që do të nxirrte nga politika të gjithë ata që kanë qënë zyrtarë të lartë të PPSH. Sali Berisha ka qënë një sekretar PPSH gati 20 vite, deri kur u bë kreu i PD edhe zyrtarisht në shkurt 1991 me teserë e Enverit në xhep ka qënë, duke mos lënë zullum pa bërë që në atë kohë kundër elementëve “anti-parti” që pipëronin tek Qendra Universitare Spitalore dhe që shoqëroheshin me burgime dhe internime.
Faktet janë bërë prezente më se një herë, dhe Berisha e di fort mirë se kalimi në Parlament i këtij ligji, do të nxirrte atë “fishek” nga politika. Ndaj ka nisur të bëjë “viktimën” politike të Ramës.
Për hir të së vërtetës Berisha nuk do një PD konkurruese dhe alternativë për të ardhur në pushtet, pasi e di se nuk mund ta arrijë një gjë të tillë kurrë. Do një parti thjeshtë dhe vetëm që ta ketë si mburojë përballë izolimit të fortë të SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE, por në veçanti përballë drejtësisë së re shqiptare e cila herët apo vonë do të marrë “zemër” për ta thirrur për të dhënë llogari për zullumet e shumta në 32 vitet e qëndrimit të tij në politik dhe abuzimit me pushtetin.
Prandaj po mbahet me “thonj” pas PD, duke bërë të gjitha përpjekjet, të gjitha shantazhet, ndaj drejtësisë dhe kundërshtarëve politikë, që gjykata të vendosë t’i japë vulën e partisë, por dhe të ketë dominancën në këtë parti, që ta përdorë lirisht si “pronën” e tij.
Në të njejtën gjatësi vale është dhe ish presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta(j) i cili del dy herë në ditë dhe thotë të njejtat gjëra, “thyen në mes Edi Ramën”, e quan një “kryeministër të mbaruar” që i ka “ditët të numëruara” e deri aty sa ‘do t’i shkulë dhëmbë e dhëmballë’, dhe ndërkohë lëshon akuza prej të çarturi, të cilat nëse do t’i hidhte dikush tjetër, do të ishte bërë në mos objekt i preferuar humori e gazi i botës, maksimumi do të ishte një “vizitor” i preferuar i klinikave spitalore për njerëz të këtij kallëpi që kërkojnë trajtim të kujdesshëm, pasi paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Publikimi i dosjes së Sigurimit të Shtetit, ku Autoriteti i Dosjeve me sa duket është i bindur se emri Ilir Meta(j) figuron si spiun Sigurimi që ka marrë më qafë bashkë-studentët e vet dhe pas viteve ’90 nga keqpërdorimi ka marrë më qafë dhe shqiptarët pasi ka qënë jo vetëm deputet, por dhe zv.kryeministër e Ministër, kryeministër, kryetar Parlamenti e President i Republikës, me sa duket e ka nxjerrë jashtë “binarëve” normalë dhe njerëzorë kreun aktual të Partisë së Lirisë.
Dhe një natë më parë Meta(j) doli me zë dhe figurë duke analizuar copa letrash dhe dokumente të shkruara me makinë shkrimi, nën presionin e vetë-shfajsimit, se ia kanë bërë me hile, duke i manipuluar dosjen e Sigurimit të Shtetit.
Madje duket qartë se në të gjithë artikulimin justifikues dhe publik të Ilir Meta(j)t ka një dozë të theksuar presioni jo vetëm ndaj drejtësisë por dhe “viktimës” së tij Filip Talo, i cili ndonëse në SHBA, aq në presion gjendet sa është detyruar t’i japë një kopje të dosjes së tij prej 140 faqesh, ku sipas Autoritetit të Dosjeve përmbajnë spiunimin e Ilir Meta(j)t ndaj tij, në vitin 1989 për tentativë arratisjeje. Pra dhe në SHBA është i traumatizuar ‘viktima’ Filip Talo, i cili nën efektin e këtij presioni, beson se persekutori i tij i ka të shtrira “tentakulat” deri në vendin që është tempulli i demokracisë së botës. Është bërë me “hije” burri i botës atje, por dhe Ilir Metaj këtu!
Ndërsa vetë Ilir Meta(j) në tentativë për të shmangur daljen nga politika, është një nismë ligjore e PS që nxjerr jashtë saj të gjithë ata që kanë qënë spiunë të Sigurimit të kohës së komunizmit, në vend që të dorëzojë në Autoritetin e Dosjeve kërkesën për zbardhjen e dosjes së tij dhe dhënien fund tmerrit pa fund nga ky proces, këmbëngul se ia kanë manipuluar dosjen, dhe “kap veshin nga pas”, duke dalë ditë pas dite për të shpjeguar se nuk është spiun. Gjithnjë nën paranojën se kontributor në publikimin ne dosjes së tij të Sigurimit është dhe Sali Berisha, mik-armiku i tij, njëherësh dhe njeriu që e ka përdorur pa ndalesë duke i tundur këtë spiunim të rinisë së tij të hershme para syve, për 32 vite me radhë.
Shqiptarët, dhe sikur të kesh të gjithë të drejtën e Zotit e të jesh “kimikisht” i pastër, kur shohin stërmundimin për ta vertetuar një gjë të tillë, por në rrugën e gabuar, nuk ua heq dot bindjen se personi që e bën këtë veprim, në rastin konkret Ilir Meta(j), është i pafajshëm. Pra për shqiptarët, Ilir Meta(j) përpos i korruptuar deri në themel, është dhe një spiun i Sigurimit të Shtetit. Këtë e kanë bindje, kush dyshon të pyesë për këtë këdo të rastësishëm në rrugë, anëtar të PD, të PS apo të pavarur, dhe të njejtën gjë do të të thonë: Eshtë spiun Sigurimi.
Edhe Ilir Meta(j) si Sali Berisha është i bindur se opozita e gjitha bashkë, aq më pak Partia e Lirisë, nuk vjen kurrë në pushtet. Ndaj shkriu me urgjencë LSI, e cila e kishte bërë ‘baltë’ dhe krijonte reaksion sa herë i përmendej emri, jo më të pretendonte për votë, duke krijuar brenda dy orësh Partinë e Lirisë, pa zgjedhje dhe pa pyetur anëtarësinë.
Po me urdhër verbal ngriti strukturat drejtuese, emëroi drejtuesit, duke shkaktuar pakënaqësi dhe tek ajo pjesë e anëtarësisë, strukturave e forumeve drejtuese të ish-LSI, të cilët besonin se mund të kishte një demokraci formale në këtë parti. Ka mbajtur Petrit Vasilin, që me sa duket ai i del dhe i tepron Ilir Metës dhe familjes së tij.
Por ajo që ka rënë në sy tek të dy partitë më të mëdha të opozitës, PD dhe LSI ka qënë mungesa e koordinimit mes krerëve respektivë të tyre, Sali Berisha e Ilir Meta(j). Kreu demokrat i trembet thithjes dhe të atyre pak mbështetësve të PD që i kanë mbetur, nga ana e Partisë së Lirisë, sikurse kishte ndodhur herët e tjera me LSI, dhe që pas shumë mundimesh ish kryetari Lulzim Basha arriti t’i kthente në PD, duke e katandisur partinë e Metës nga 19 deputetë që kishte nga zgjedhjet e vitit 2017, në 4 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Pra e ktheu në “origjinë”, në rezultatin e vitit 2005.
Berisha nuk është i gatshëm as të mbështesë Meta(j)n në dëshirën e tij për të kandiduar në emër të opozitës për kreun e bashkisë së Tiranës, herë duke i përmendur primaret e fiksuara në statutin e PD e herë duke filluar vetë fushatën kundër PS dhe kreut aktual të bashkisë së kryeqytetit. Pavarësisht “autogolit” që bëri një natë më parë teksa vetë Berisha si “arkitekt” i kioskëzimit të Tiranës në vitet 1993-1997, deklaroi se ishte dhunuar arkitektura e kryeqytetit nga qeverisjet vendore të socialiste, Berisha po dërgon mesazhe të “koduara” në drejtim të Metës se kandidimin në bashkinë e Tiranës duhet ta harrojë.
Me sa duket opozita ka probleme lideri por dhe ia kanë me hile njëri tjetrit, ku secili prej tyre, si Berisha ashtu dhe Meta kërkojnë që të jenë “primati” i saj. Çka ka sjellë dhe evitimin e takimeve mes tyre, e përcjellë dhe nga vetë Meta përmes dekkaratës se me Berishën nuk takohen por janë gjithnjë bashkë online. Por dhe Berisha që lëshon ndonjë deklaratë mbështetëse ndaj Metajt, gjithnjë nën këndvështrimin e interesit të tij, për të sulmuar Edi Ramën.
Ndonëse thuhet se janë takuar në selinë e PD para dy tre ditëve, e pranoi dhe vetë Berisha, por pa arritur asnjë rezultat konkret e të ndarë me paranojën e të “futmes” njëri tjetrit më shumë se sa kanë qënë më parë, Berisha dhe Meta u ngjajnë atyre busteve të vëllezërve Frashëri te lulishtja përballë kryeministrisë, të cilët afër janë, ‘shihen’ me njëri tjetrin, por asnjëherë nuk takohen!
Kjo është gjendja e opozitës, e cila me fillimin e sesionit parlamentar dhe aq më tepër dekretimin e zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor nga Presidenti, pritet të rëndohet, më shumë se sa nga përplasja me kundërshtarin politik PS në pushtet, do të rëndohet nga përplasja mes vetes dhe kriza e lidershipit, nga mungesa e besimit ndaj njëri tjetrit e liderëve Berisha e Meta! Duke bërë që vendi të vijojë të mbetet pa alternativë qeverisëse, ndërsa Rama të vijojë qeverisjen pa fund.
Futi dhe nje Rrofte Partia dhe Shoku Edvin se e ke qa fare.
PërgjigjuDUHET te dale nje opozite e re,,parti te reja.me emra te rinj,,,, me pd dhe lsi. dy parti te korruptuara dhe vrasese,te mbushura me spiune te sigurimit,,e sekretare partie,,edi rama rri ne pushtet edhe 100 vjet.....
PërgjigjuPrandaj se vret mendjen edi se e di qe jan kart e djegur. Ketu duhen te gjith te rinj , njerez ndryshe njerez me vizion se deri tani injorant komplet parlamenti.