Ishte lajmëruar dy javë më parë se “javën e ardhshme” Sali Berisha do të dëshmojë në SPAK për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Një aferë ku sipas akuzës, dhëndërri i tij Jamarbër Malltezi nga një minimum prone që kishte aty, ishte bërë pronari më i madh të asaj sipërfaqeje truall, ku janë ndërtuar pallate shumëkatëshe, me një vlerë monetare që shkon deri në 150 milionë euro.
Janë paraqitur deri më tani ish ministrat e Mbrojtjes së qeverisjes së PD, që nga Fatmir Mediu e deri tek Gazmend Oketa, ish titullarë të këtij institucioni, të cilët kanë dhënë dëshmi në SPAK.
Ndërkohë që dhe ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të FA, Vladimir Qirjazi, është paraqitur në SPAK për të dhënë deklarimet e tij, pasi është pikërisht ushtaraku i lartë në fjalë ai që nuk dha firmën për privatizimin e kompleksit “Partizani”, çka i kushtoi zhgradimin dhe largimin si ushtarak nga Forcat e Armatosura. Ka dëshmuar dhe ish ministri demokrat i METE Genc Ruli javën e kaluar.
Pa hyrë në detaje se çfarë kanë deklaruar, ajo që mund të themi është se në këtë rast është ruajtur me fanatizëm sekreti i hetimit, përkundër herëve të tjera kur nga prokurorët e SPAK kanë dalë “telenovela” të tëra dëshmish, pendimesh të kriminelëve duke filluar me Dumanin dhe mikun e tij e përfunduar tek dëshmi të tjera, me të cilën mediat e të gjitha niveleve kanë mbështetur “triologjitë” e tyre të rrëfimit në favor të “thithjes” së leximeve. Janë në të drejtën e tyre, pasi media për këtë punë është, të zbardhë atë që është në prapaskenë dhe e pathënë, ndërsa zyrtarët e drejtësisë kanë për detyrë që për një çështje nën hetim ta “shtrëngojnë” fort sekretin.
Por meqënëse pikërisht nga të njejta burime ishte përhapur lajmi, nuk është përgënjeshtruar deri më tani nga institucioni më i lartë i hetimit, se Sali Berisha, bashkë me të dhe dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi, ish ministri i Mbrojtjes Arben Imami si dhe ish shefi i shtabit të përgjithshëm të FA, njëherësh ish deputeti i PD Xhemal Gjunkshi, “javën e ardhshme do të dëshmonin në SPAK me aferën e Kompleksit Partizani”, të gjithë kanë pritur me kërshëri vajtjen e kreut të PD para drejtësisë.
E pritën shqiptarët një javë rresht, dhe Berisha vetë deklaroi se do të shkonte sa herë të thirrej në SPAK për të dëshmuar jo vetëm për privatizimin e kompleksit “Partizani” por dhe për çështje të tjera po ta lypë nevoja, deri më tani s’kemi asnjë të dhënë që ish kryeministri, njeriu që e miratoi këtë privatizim, të ketë qënë në Prokurorinë e Posaçme.
Askush nuk mund ta akuzojë Berishën se s’ka informacion për gjithçka që ndodh në këtë vend, i ka akoma të emëruarit e tij në sistemin e drejtësisë apo në institucionet e tjera, i thonë 32 vite në politikë e 13 vite në pushtet, dhe i ka kudo njerëzit e tij. Madje kamikazë.
Duket se ka qënë i mirë-informuar se ka një kërkesë për thirrjen e tij në SPAK për të dhënë dëshminë e tij për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, por që çuditërisht fletëthirrja ende nuk e ka kaluar pragun e institucionit për të shkuar tek zyrat e tij në selinë e PD buzë Lanës. Ose në adresën e shtëpisë së tij në qendër të Tiranës, që ndodhet dhe afër lokaleve të preferuara dhe të disa anëtarëve të sistemit të drejtësisë, madje të niveleve të larta.
Për habinë e të gjithëve ka hyrë java e dytë e “premtimit” për thirrjen e Berishës në SPAK, dhe deri më tani ende nuk kemi dëgjuar për vajtjen e kreut të PD në këtë institucion për të dhënë dëshminë e tij. Pasi u paraqit dhe si një sukses i madh i drejtësisë, e cila do të merrte në pyetje për herë të parë Sali Berishën, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me drejtësinë shqiptare. Të cilën e ka injoruar për gati 32 vite me radhë, pavarësisht nga akuzat për të cilat është kallzuar në organet e hetimit, deri dhe për krime kundër njerëzimit.
Por me sa duket “hija e rëndë” e Berishës vijon të “sygjestionojë” anëtarët e Prokurorisë së Posaçme, duke u kthyer sërish në një “mollë e ndaluar” për sistemin e drejtësisë së re, që nuk guxon dhe tani që ka një mbështetje totale nga shqiptarët, institucionet shqiptare, politika të paktën publikisht, dhe mbi të gjitha nga partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA që ka investuar gjithçka për Reformën në Derjtësi.
Pavarësisht se u zotuan para dy javësh se do ta thërrasin Berishën, ish kryeministri demokrat tregoi publikisht se ishte ‘i përgatitur’ moralisht dhe shpirtërisht për të shkuar dhe dëshmuar në SPAK, ende nuk kemi asnjë sinjal se atij i ka shkuar fletëthirrja.
Deri këtu ka shkuar puna. Nuk guxohet as të hartohet dy gish letër si fletëthirrje për Berishën që të dëshmojë në SPAK, duke na rikthyer në kohën e famshme të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili deklaronte çdo vit se në shtator priten zhvillime, hapje dosjesh të mëdha dhe se do bëhej “nami. Pra në shtator “avazi” dhe asgjë nuk ndodhte, askush nuk thirrej.
Si për koincidencë dhe lajmi nga SPAK për thirrjen e Berishës “javën e ardhshme” për të dhënë dëshmi për privatizimin e kompleksit “Partizani” doli në media më 21 shtator, duke e kthyer këtë skemë të “hapjes së dosjeve të mëdha” në këtë muaj, një situatë të rrejshme e deri qesharake, dhe aspak frymëzuese për shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Të cilët kanë dhënë mbështetje pa ekuivok ndaj drejtësisë së re për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend.
Jo se nuk punon SPAK, ngadalë por po punon, të kuptohemi. Duke treguar qartë se shqiptarët dhe partnerët, me gjithë ecjen e ngadaltë të Prokurorisë së Posaçme në hetimin e dosjeve të mëdha, vijojnë ta mbështesin si një shpresë për ngjitjen lart deri tek “peshqit e mëdhenj” të hetimit të korrupsionit dhe të krimit në Shqipëri. Besojmë të gjithë tek kjo drejtësi, dhe mbi të gjitha është shumë më e mirë se drejtësia e vjetër.
Por ama kur vjen puna për të thirrur Berishën, rrethin e tij të ngushtë familjar dhe politik të lidhur me një çështje të caktuar, siç është rasti i aferës së privatizimit të kompleksit “Partizani” SPAK-ut fillon dhe i “ikën” goja. Nuk i zë as emrin në gojë. Aq më tepër që kjo çështje ka mbërritur në pikën më nevralgjike, thirrjen e atyre që kanë firmosur këtë privatizim, apo kanë përfituar nga kjo aferë. Këtu, gjithçka ngec.
Me sa duket vijon të shihet me frikë Berisha dhe nga drejtësia e re, anipse është shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe dhe izoluar totalisht nga vendet anëtare të BE, për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Ku dhe pa aferën e kompleksit “Partizani”, thjeshtë me motivacionin e SHBA që e shpalli të padëshirueshëm për korrupsion të theksuar, SPAK duhej të kishte thirrur Berishën. Për të qënë në rregull dhe me ata që të mbështesin sëpaku, Uashingtonin dhe Brukselin zyrtar. Pa frikë, pasi sa të jetë Berisha në krye të PD, opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Dhe s’ka çfarë i bën drejtësisë më.
Ndërsa për sa i përket kryeministrit Edi Rama, ai e ka treguar që në krye të herës se nuk futet në punët e drejtësisë, nuk merr në mbrojtje politike asnjë të akuzuar nga drejtësia, sado zyrtar i lartë dhe i besueshëm të ketë qënë për të. Dhe për këtë ka prova, ka emra dhe sjellje, që Rama rri larg drejtësisë. Dhe mirë ka bërë, pasi kështu merr kuptim bërja drejtësi si dhe të qenit të barabartë të gjithë para ligjit. Eshtëe një standard që e ka futur për herë të parë Edi Rama!
Ajo që mund të themi është se ndajmë të njejtin qëndrim se Sali Berisha është një shantazhues “stabël” i drejtësisë, ka përdorur një fjalor të ashpër sa herë që mendonte se mund ta thërrasin për të dëshmuar për ndonjë kallzim penal ndaj tij, familjes apo bashkëpunëtorëve. E ka bërë këtë gjithnjë, madje ashpërsisht.
Por drejtësia e re ndaj u ngrit, për t’i bërë ballë shantazhit të Berishës dhe politikanëve të tjerë, të cilët guxojnë dhe drejtojnë gishtin me pa të drejtë ndaj drejtësisë së re, pra prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë për detyrë të bëjnë drejtësi. Ndaj janë të mbrojtur, të pavarur dhe paguhen goxha. Me të gjitha standardet e trajtimit.
Por kur bëhet fjalë për Berishën, dhe drejtësia e re stepet dhe me sa duket do të vazhdojë sërish në këtë linjë. Ajo që po përpiqemi të themi është se Berisha mund të shkojë të dëshmojë para SPAK ndoshta nga viti i ardhshëm, duke e shtyrë dhe për pak kohë kopsitjen e dosjes së aferës së privatizimit të kompleksit “Partizani”. Pikërisht sepse Berisha është në qendër të kësaj afere.
Janë dhe çështje të tjera në “axhendën” e deklaruar të SPAK, duke filluar me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve, biznes i Shkelzen Berishës, gjetën vdekjen 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Vetë kreu në largim i SPAK Arben Kraja deklaroi se hetimi do të shkojë përtej ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Dhe përtej Mediut, ka qënë eprori i tij, ish kryeministri Sali Berisha. Dhe për këtë thuhet se SPAK do ta thërrasë Berishën. pa përjashtuar dëshminë për vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 përballë kryeministrisë nga Garda. E ka marrë vetë përsipër Berisha këtë vrasje, teksa ka thënë publikisht, jo vetëm një herë, se mund të vriste dhe Edi Ramën me 5 snajperë nëse bënte një hap para apo mund të vriste 4 mijë protestues nëse kalonin gardhin e kryeministrisë.
Ka dhe aferën e CEZ-DIA në lojë, dhe këtu për t’u thirrur Berisha. Pra ka disa dosje, ku gjasat janë që për këtë vit, thjeshtë do lajmërohet vajtja e ish kryeministrit në SPAK, pa u realizuar asnjëherë. Megjithëse nuk mund të thuhet kurrë “kurrë”. Të paktën ne që besojmë tek SPAK.
Në të njejtën gjatësi vale është dhe hetimi i kallzimeve penale për ish presidentin, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë Ilir Meta. I cili ka deri më tani 5 kallzime në SPAK. Që nga lobimi me para që nuk u dihet burimi në SHBA e deri tek shpenzimet për operacionet plastike dhe rregullim të organeve të tretjes familjarisht. Pa llogaritur akuza të tjera. Bëhet fjalë për para të madhe!
Deri më tani ka lajmërime për letër-porosi në gjysmën e shteteve të botës, por ndonjë përgjigjie ende nuk ka. Ndonëse atje funksionojnë institucionet më mirë se te ne. Aq më tepër që dokumentet për këto akuza janë zbardhur të plota nga media. As Meta nuk është thirrur. Me sa duket, dhe ai është një “mollë e ndaluar”, megjithëse për hir të së vërtetës ish presidenti sa herë e kanë thirrur është paraqitur para drejtësisë. Sëpaku para asaj të vjetrës.
Ka shkuar atëherë kur e kishte të garantuar “fitoren” përballë drejtësisë, apo kur ishte në darkën me verë të kuqe dhe mëny të përgatitur nga dora e familjes së tij në shtëpinë q ëka në “Bllok”, ku i “papërsëritshmi” që e bënte të “dridhej” drejtësinë, Sali Berisha ishte i ftuar një natë para se të jepej vendimi për Metën për përgjimin e Dritan Priftit.
Megjithatë ne që e besojmë tek drejtësia e re, jemi në pritje të thirrjes së Berishës dhe Metës në SPAK për të dëshmuar në lidhje me akuzat e formatura në drejtim të tyre. Të paktën të shohim si ndjehen kur dalin nga dera e SPAK, çfarë do të thonë dhe si do ta presin shqiptarët. Eshtë “ndjesi” e re kjo dhe një kërkesë minimaliste nga shqiptarët. Ne që besojmë te drejtësia e presim këtë zhvillim.
Ata që nuk besojnë tek drejtësia e re, ka kohë që e kanë mbyllur këtë ‘kasavet’, janë të bindur se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend do të vijojë gjatë. Nuk janë shumicë ky kontigjent njerëzish, por numri i tyre po shtohet. Madje me shpejtësi. Në varësi të mungesës së guximit të drejtësisë së re. Të presim!