Askush të mos mendojë se Sali Berisha po shqetësohet për rezultatin e opozitës në zgjedhjet për pushtetin vendor që zhvillohen më 14 maj. Kjo është e sigurtë, pasi e di se nuk fiton dot përballë Edi Ramës.
Kjo shihet qartë tek sjellja politike e tij vetëm 3 muaj para zgjedhjeve, ku jo vetëm ka injoruar të gjithë zërat që vijnë nga baza e PD për bashkimin e partisë dhe daljen me një kandidat të vetëm përballë kandidatëve të PS, por dhe sepse ende nuk ka bërë asnjë përçapje për të hyrë në kontakte me grupin e Alibeajt, të paktën që të evitojnë çështjen e vulës dhe logos së partisë e të bëhen bashkë për t’u regjistruar si partitë e tjera për 14 majin.
Berisha as që e lëviz ‘gishtin’ në këtë drejtim e me sa duket lut Zotin që KQZ të mos regjistrojë asnjë prej grupimeve në PD për 14 majin, në mënyrë që të jetë i justifikuar për bojkotin e radhës të zgjedhjeve vendore nga ana e të gjitha grupimeve të PD.
Eshtë alibi e mirë për Berishën për të justifikuar bojkotin, ku pjesëmarrja në zgjedhjet vendore përpos humbjes nuk sillte asgjë tjetër. Berisha me këtë rast shmang dhe presionin e brendshëm e të jashtëm, që mund ta akuzojnë se po vepron njëlloj si Basha më 2019 kur nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit për pushtetin vendor, megjithëse vendimin ai e mori pas urdhërit nga ‘hija’ e vetë Berishës prapa perdes. Ia lë ‘faturën’ KQZ-së, Alibeajt e kuptohet dhe Edi Ramës.
Këtij qëllimi po i shërben dhe në të gjitha deklaratat publike, tre herë në ditë madje, teksa godet kryeministrin Edi Rama me akuzat se përderisa arrin të ‘blejë’ zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, ai këta votuesit shqiptarë i ka ‘bukë e ‘djathë’, i ‘blen’ kollaj. Ndaj deklaron ditë pas dite se nuk hyn në zgjedhje me Ramën kryeministër, duke bërë thirrje për ta përmbysur.
Ka vënë një bast, gjithnjë vë baste për gjëra të tilla Berisha por që nuk e ka fituar asnjëherë, se më 11 shkurt, protesta e opozitës do ta ‘fshijë’ qeverinë e Ramës. Kërkon masivitet Berisha, për të treguar forcë dhe numra përballë kundërshtarëve politikë por dhe përballë ndërkombëtarëve. Për të krijuar idenë se është ai ‘violinë e parë’ e opozitës, është dhe një forcë politike që ka vota, por që sipas tij, KQZ, Alibeaj dhe Rama e lënë jashtë garës duke mos e regjistruar për shkak të problemeve me vulën. Ose ‘formula’ tjetër e gatshme justifikuese: votat i ‘blen’ Rama.
Por duke parë gjithë linjën politike të Berishës të ndjekur që në momentin kur doli në dritë një hetim i kopsitur dhe që pret gjykimin, ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI amerikane por që nuk përmend as kryeministrin dhe as qeverinë shqiptare, ajo që vëmë re është se akuzat ndaj Ramës shërbejnë thjeshtë si një pikë ‘orientuese’ për Berishën për të ‘kolauduar artilerinë e tij të rëndë’ me goditjen për interesa politike brenda vendit, dhe konsum politik vendor.
“Tabela” e vërtetë e “qitjes” së Sali Berishës me këtë ‘sagë’ të ngritur kundër zyrtarit të FBI dhe kryeministrit të Shqipërisë që paskan “tradhëtuar” të dy kombin amerikan, e ai po përpiqet që të vërë në vend nderin e SHBA të cënuar nga Rama dhe McGonigal, janë vetë institucionet më të larta të qeverisë amerikane e vetë SHBA. Që firmosin sipas tij, pa arsyetim, çfarë t’i vënë para.
Berisha jo pa qëllim, në daljet e tij të shpeshta para publikut ngatërron kohët, ngjarjet, objektin e hetimit në SHBA për këtë çështje, duke i sjellë rrotull dhe për t’u ndalur tek halli i tij personal: Shpallja ‘non grata’ familjarisht nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim e shkatërrim të drejtësisë shqiptare.
Jo pa qëllim Berisha këmbëngul se fillimi i hetimit të lobimit të PD me para ruse në SHBA ka filluar me informacionet e dhëna nga qeveria e Edi Ramës. Ndonëse hetimi kishte filluar, dhe lobuesi Nick Muzin për shkeljet e ligjit amerikan për këtë lobim për PD është dënuar me burg. Pavarësisht se Rama deklaroi me zë dhe figurë se nuk ka dhënë asnjë informacion, pasi nuk kishte dhe nëse do të kishte do t’ia kishte dhënë me të dyja duart FBI, madje dhe pa ia kërkuar por duke e gjetur vetë institucionin ku duheshin dërguar këto informacione.
Bëhej fjalë për gjysmë milioni dollarë të dhëna PD-së nga Rusia për rrëzimin e qeverisë legjitime shqiptare dhe destabilizuar Shqipërinë dhe tërë rajonin. Këtë fakt e ka fiksuar dhe CIA-a amerikane në raportin e saj më të fundit. Ecën me plan Rusia, kishte planifikuar që atëherë pushtimin e Ukrainës, dhe një konflikt në Ballkan i voliste shumë përballë Perëndimit.
Por Berisha sulmon Ramën, duke thënë se ka dhënë jo vetëm dokumente zyrtare për lobimin rus të PD në SHBA, por ka dhënë dhe raporte zyrtare për korrupsionin e qeverisë 8 vjeçare të vetë Berishës, duke ndikuar fort me zyrtarin e lartë të FBI si dhe lobistin Xhorxh Soros që DASH ta shpallë atë familjarisht ‘non grata” në SHBA.
Pra Berisha e sjell dhe e sjell tërë luftën politike për interesin e tij personal dhe aty ku më shumë i ‘dhëmb dhëmbi”, vendimi i DASH që e sanksionoi atë familjarisht. Ndaj gjithë goditjen e tij Berisha e ka përqëndruar ndaj qeverisë amerikane, duke i akuzuar se kanë marrë për bazë informacionet e Ramës, fuqinë e zyrtarit të lartë të FBI dhe lobimin e Sorosit për ta shpallur atë, ish kryeministrin e vendit dhe tani kreun e grupimit më të madh brenda PD, “Rithemelimit”, një person ‘non grata’. E ka deklaruar të premtën dhe këtë të hënë një qëndrim të tillë, është në të gjitha agjencitë e lajmeve. Pra ka akuzuar vetë SHBA-në se e shaplli ‘non grata’ pa fakte dhe për pasojë është përpjekur me qëllim për të shkatërruar PD-në dhe opozitën shqiptare. E Berisha po tërheq ‘zvarrë’ dhe vetë opozitën pas këtij fiksimi.
Pikërisht këtu tenton Berisha, që të krijojë idenë tek shqiptarët, se shpallja e tij ‘non grata’ ka qënë një konspiracion i qeverisë së SHBA, Shqipërisë dhe Sorosit, me qëllimin e vetëm për të goditur atë personalisht, shkatërruar opozitën dhe për të lënë në pushtet Edi Ramën.
Ndaj Berisha bën sikur nuk kupton, teksa akuzon ambasadoren aktuale amerikane në Tiranë Yuri Kim, si pikën e lidhjes në Tiranë dhe zyrtaren amerikane që i ka bërë gjëmën atij dhe ‘paketë’ dhe opozitës shqiptare. Ndonëse për periudhën që bën fjalë Berisha, viti 2017-2018, rezulton se ajo nuk ka lidhje me Yuri Kim, pasi ajo nuk kishte ardhur ende në Shqipëri si ambasadore.
Por Berishës i duhet ‘lidhja’ për interesin e tij personal. Shqiptarët nuk janë budallenj që të mos e kuptojnë se një armik i Trump, si Xhorxh Soros, nuk mund të ndikonte aspak në administratën amerikane të republikanëve për të shpallur Berishën person “non grata”. E themi këtë sepse procedura për shpalljen e Berishës ‘non grata’ dhe kopsitja e dosjes ndaj tij është bërë tërësisht gjatë presidencës së Trump. Sekretari i shtetit Blinken, i administratës së Biden, vetëm sa hodhi firmën në këtë dosje të mbyllur dhe e bëri zyrtare me gjithë motivacionin e sanksionimit.
Këtë e di dhe vetë Berisha, prandaj me qëllim ngatërron kohët, ngatërron faktet, ngjarjet, duke u vërtitur në kohë e hapësirë, vetëm e vetëm që të dalë tek shpallja e tij ‘non grata’ dhe atribuuar këtë vendim, sipas tij të padrejtë dhe asfiksues për opozitën, zyrtarit të lartë të FBI, Edi Ramës kuptohet, Sorosit. Duke përfshirë dhe ambasadoren amerikane Kim, e cila s’kishte ardhur ende në Tiranë në atë kohë. Qëllimi i vetëm i Berishës në tërë këtë histori të sajuar konspirative është që ai të dalë para shqiptarëve me alibinë se ka pasur një komplot ndërkombëtar kundër tij.
Skenarë të tillë të Berishës kundër partnerëve tanë nuk i kanë funksionuar asnjëherë, pasi dhe më 1997 për një komplot të tillë foli në Parlament, një komplot sipas tij mes ‘opozitës komuniste, Athinës e Uashingtonit për të rrëzuar qeverinë e PD nga pushteti”. Kjo teori konspirative nuk funksionoi, Berisha iku nga pushteti me votë në atë kohë, qëndroi 8 vite në opozitë, dhe tani është përmbi 10 vite po në opozitë.
Kështu që Berisha, për hir të së vërtetës, betejën e tij nuk e ka me Ramën, por me SHBA, për interesin e tij personal, pasi e shpalli ‘non grata’. Ramën ka kohë që e ka ‘armik në dizpozicion’ dhe i ka gati deklaratat kundër tij. Madje e çon dhe në “ishullin” misterioz po të dojë, për ta vënë përballë FBI që e pyet dhe i kërkon që të tregojë shokët.
Se ku i çon demokratët inati i Berishës me SHBA për “non gratën” dhe beteja e tij personale me partnerin tonë më të madh, dihet, do vijojnë të qëndrojnë sërish në opozitë. Por se sa do të vazhdojë kjo situatë, është në dorë të demokratëve, të cilët duhet të zgjidhin dilemën: të presin vendimin e të Plotfuqishmit për të shpëtuar, apo të gjejnë një lider të ri përbashkues. Kjo është çështja.