Arben Ahmetaj

Berisha i frikësuar për veten, pasi Ahmetajn e do të ‘pjekur’

4 Gusht 2023, 21:24| Përditesimi: 5 Gusht 2023, 09:07

  • Share

Ka dy ditë që Sali Berisha po bën si i shqetësuar para mediave për ish.zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke deklaruar se jeta e tij dhe e familjes qënka në rrezik.

Madje Berisha i bën thirrje dhe organeve të sigurisë por dhe SPAK që të nxjerrin urdhër mbrojtjeje dhe të marrin në mbrojtje Ahmetajn, ish gruan, bashkëjetuesen dhe fëmijët e ish zv.kryeministrit.

Megjithëse e di si dreqi se Ahmetaj është jashtë vendit, nuk dihet vendndodhja e tij, dhe organet e sigurisë dhe sikur të marrin për bazë apelin e ish kryeministrit dhe të kreut të “Rithemelimit” nuk kanë se ku ta gjejnë ish.zv.kryeministrin.

Por Berisha me sa duket ditën e dytë e ‘plotësoi’ tamam kërkesën e tij ndaj SPAK dhe organeve të sigurisë, teksa i bëri thirrje Arben Ahmetajt, që nëse kërkon të jetë i sigurtë për jetën e tij, t’i telefonojë vetë atij. Pra të pazëvendësueshmit Sali Berisha, pranë të cilit jeta është fatalisht e sigurtë.

Dikush mund ta marrë si diversion për të treguar se Berisha komunikon me Ahmetajn, anipse kur ishte ministër dhe zv.kryeministër në qeverinë e Ramës, ky i fundit është përballur me akuzat dhe kërcënimet më të forta nga ana e ish kryeministrit demokrat dhe mbështetësve të tij.

Por Berisha nuk pyet për këtë ndryshim ‘kursi’. Eshtë i bindur se shqiptarët nuk kanë kujtesë apo maksimumi e kanë kujtesën e shkurtër. Dhe kjo bindje, pra cilësimi i shqiptarëve budallenj dhe pa kujtesë, e ka lënë PD-në apo PD-të dhe aleatët e saj të vjetër dhe të rinj mbi 10 vite në opozitë dhe me shumë gjasa dhe po kaq vite do t’i lërë jashtë pushtetit në vijim.

Nevojat e momentit e shtyjnë Berishën që të bëjë këto deklarata në drejtim të Ahmetajt, gjithnjë duke i veshur me tisin e ‘artë’ të ‘qytetarit dixhital’, i cili sipas kreut të Rithemelimit paska komunikuar me ish zyrtarin e lartë të PS në kërkim, dhe ia paska përcjellë atij shqetësimin se po i kërcënohet familja. Dhe Berisha po i ofron mbrojtje. Se nga kush hajde merre vesh, pavarësisht emrave të përveçëm që po përdor Berisha se kërcënokan jetën e Ahmetajt dhe të familjes së tij.

Por Berisha nuk bën asgjë pa qëllim. Kush ka ndjekur trajektoren 33 vjeçare politike të Berishës e di fort mirë se ai në krye të herës dhe kur flet nuk të sheh në sy. Sheh diku tjetër dhe larg qoftë kur e ka syrin e majtë si të ngrirë, ka shumë ligësi në trupin e tij, ligësi që shpërshfaqet në forma të ndryshme, por në shumicën e rasteve ka shpërthyer në lumenj gjaku.

Nuk e akuzon akush Berishën se ka vrarë njeri me dorën e tij. Kjo epokë ka marrë fund që me shpikjen e armës së zjarrit dhe ‘arkivimin’ e shpatës, kohë e cila parashihte që komandanti, udhëheqësi e deri tek mbvreti apo perandori viheshin në krye të ushtrisë me shpatë në dorë. Pasi mori fund kjo epokë, ishin të tjerët që zbatonin urdhërat. Udhëheqësi rrinte në prapavijë.

Dhe që të kthehemi tek qëllimi i deklaratave të Berishës, ata që e kanë ndjekur me vëmendjen sjelljen politike të ish kryeministrit demokrat gjatë karrierës së tij të dytë politike pas vitit 1990, e dinë se kur godet në një drejtim në ligjërimin e tij politik, duhet të shohësh në drejtimin tjetër, pasi s’ka lidhje fare qëllimi i tij me atë që thotë në mënyrë publike.

Politikanët në përgjithësi flasin me kode, por Berisha e ka shumë të theksuar postulatin ‘tjetër mendon, tjetër thotë dhe tjetër bën’. Mjafton që të kesh qënë disa herë në konferencat për shtyp të tij dhe po t’i bësh tre pyetje, përgjigjen e fillon nga e treta, merret me të dytën pa iu përgjigjur, ndërsa për pyetjen e parë të përgjigjet tjetër për tjetër. E ka trend këtë, nuk e ka ndryshuar për të paktën për 30 vite.

I përmendëm këto raste dhe këto zakone të Berishës për të thënë se ai nuk pyet fare nëse është i rrezikuar Ahmetaj apo familja e tij, ndonëse rezulton të jetë një shpikje e vetë ish kryeministrit demokrat një shqetësim i tillë, për të ngritur një ‘kauzë’. Aq më tepër kur u referohet njerëzve që janë në burgje e që paskan hesape me Ahmetajn.

E di fort mirë Berisha se shqiptarët, kriminelë ose jo, reagojnë vetëm kur iu fut dorën në xhep, siç bëri ai me firmat mashtruese piramidale në qeverisjen e parë të PD. Reagojnë dhe po i pe shtrembër, dhe mbi të gjitha po u pate cënuar familjet e tyre, me pikë kulmore marrjen e jetës së ndonjë familjari.

Për këtë reagojnë shqiptarët sëpaku deri më tani, dhe me sa dimë Ahmetaj nuk ka bërë asgjë të këtij lloji që të ndjehet i rrezikuar familjarisht. Sa për korrupsionin, apo gjëra të tjera që përmend Berisha, shqiptarët, kriminelë ose jo, e kanë treguar me vepra se nuk janë reagues. S’ka asnjë protestë qënësore për gjëra të tillë, dhe nëse ka pasur, gjithnjë kanë pasur udhëheqje politike. Janë thirrur nga partitë, janë transportuar me autobusë dhe me gjëra të tjera të këtij lloji për t’i nxjerrë në shesh dhe për të protestuar. Kush më shumë e kush më pak.

E themi këtë sepse shqiptarët ende vijojnë ta quajnë marrin e shtetit ‘mall të shtetit’ e jo të tyre, ka qënë një ideologji e mbruajtur që nga koha e diktaturës, kur prona ishte e të gjithëve, pra e përbashkët, por e askujt. Vijojmë me këtë trend për paratë e shtetit dhe tani. Ndërsa ata që kanë para, të jemi të qartë të gjithë, se askush nuk rrezikon jetën apo burgun, për të humbur dhe ato para dhe të mira materiale që ka vënë, sidomos ato që ka vënë pa djersë. Këtu futen si ata që kanë abuzuar me paratë e shtetit duke qënë me poste shtetërore, ai ata që janë marrë me biznes por që e kanë ‘ngjyer’ dhe tek paratë publike, dhe si ata kriminelë që janë marrë me trafiqe nga më të ndryshmet. Jeta është e shkurtër dhe këtë shqiptari e di fort mirë. Ndaj nuk rrezikojnë.

Ndërsa, kur dikush i ka marrë jetën e dikujt, qoftë me forcën e shtetit qoftë dhe me forcën e lekut, ka pasur reagime, sado vonë ka shkuar. Qoftë dhe me deklarata të forta. Aq më tepër në kushtet kur kemi një drejtësi të brishtë dhe ata shohin se si autorët që u morën jetën direkt apo indirekt më të dashurve të tyre, shëtisin të lirë, gezojnë paratë e vëna pa mund. Madje guxojnë dhe të shesin moral.

Dhe këtu ‘del’ dhe ‘emri’ i Berishës i cili ‘shqetësohet’ për jetën në rrezik të Ahmetajt e familjes së tij. Për hir të së vërtetës Berisha nuk shqetësohet aspak për ish zv.kryeministrin dhe familjen e tij, apo se po u rrezikohet jeta atyre. Për të gjitha arsyet që përmendëm. Madje Ahmetajn e do viktimë, apo sikurse e përdorin rëndom shqiptarët si shprehje, e do të madje ‘pjekur’. Pasi kështu i shërben hallit të tij politik dhe personal. Por e di dhe vetë si dreqi se nuk ka asnjë indikacion të tillë kundër Ahmetajt dhe familjes së tij. Pra nuk ka asnjë kërcënim.

Berisha shqetësohet për veten e për familjen e tij biologjike e për ata me të cilët ka kryer zullume gjatë karrierës së tij politike, në pushtet ose jo. Berisha në ndryshim nga politikanët e tjerë, të paktën nga akuzat që kemi parë deri më tani dhe që janë nën hetim nga SPAK dhe drejtësia e re, ka kryer korrupsion të përgjakshëm. Janë shënuar viktima nga korrupsioni i Berishës, duke filluar nga mashtrimi i madh me Piramidat, shumë kryen vetëvrasje nga humbjet e shtëpive e të kursimeve të tyre, vijuar me vitin tragjik 1997 ku nga rënja e shtetit po për shkak të Piramidave, u hapën depot dhe u shënua një bilanc i përgjakshëm me mbi 3 mijë të vrarë po atë vit.

Për të vijuar me zhdukjen e djemve të Tropojës, ku Haklajt akuzojnë Berishën se urdhëroi ekzekutimin dhe shuarjen e djemve të tyre. Janë marrë jetë, për të cilat me ose pa të drejtë akuzohet Berisha si urdhërdhënës, dhe këto akuza nuk janë muhabete tavolinash por janë të depozituara dhe tek drejtësia e re nga familjet e viktimave. Janë padi penale këto.

Në qeverisjen e dytë Berisha ka mbi kurriz 26 viktimat e shpërthimit të punishtes së ‘vdekjes’ në Gërdec, një korrupsion i pastër shtetëror për të cilin akuzohet se e kryesonte djali i tij Shkelzen Berisha. Janë dhe mbi 300 të plagosur në atë ditë, një pjesë e të cilëve kanë mbetur të sakatuar për tërë jetën. Askush nuk e harron njeriun që i bëri gjëmën familjeve respektive, duke i tharë zemrën, nënës, babait, motrës, vëllait, bashkëshortes apo fëmijëve që rriten pa prindin. Por duke u bërë karshillëk, deri në ngritje biznesi boronicash pikërisht vë vendin e krimit.

Për të vazhduar më pas me 21 janarin e vitit 2011, ku Garda e Republikës, akuzohet Berisha si urdhërdhënës, qëlloi mbi turmën e demonstruesve përballë kryeministrisë, duke vrarë katër njerëz të pafajshëm. Kanë familjarë prapa ato njerëz që u ekzekutuan nga arma e shtetit dhe me urdhër të shtetit, dhe nuk besoj se harrojnë. I gjithë ky konitigjent njerëzish që kanë humbur të afërmit e tyre presin drejtësi nga drejtësia e re dhe shteti. Dikush mund të thotë jo pafundësisht, por unë si një njeri që besoj drejtësia e re, besoj se për ta do bëhet drejtësi, sado vonë të shkojë.

Teksa përmendëm korrupsionin e Berishës, një korrupsion i përgjakshëm ky gjatë tërë jetës së tij politike, s’përmendëm në asnjë rast korrupsionin madhor por që nuk ka shkaktuar asnjë viktime, që nga Rruga e Kombit, gjobat që familja e Berishës u ka vënë bizneseve sipas akuzave dhe të një biznesmeni pakistanez, apo aferën e CEZ-DIA, privatizimin e ish kompleksit “Partizani” për të cilën akuzohet dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi, e deri tek zullumet e tjera të këtij lloji. Janë dosje që mund të çojnë në burg Berishët për këto afera, por nuk përbëjnë asnjë kërcënim për jetën e tyre. Flasim kështu me këtë ‘sombolikë’ nëse operojmë në gjykim ‘mot a mot’ me mendjen diabolike të Berishës.

Nëse do të vepronim sipas standardit të Berishës që ‘shqetësohet’ seriozisht për jetën e Ahmetajt dhe të familjes së tij, pyetja që mund t’i bëjë çdokush vetes është: Po Berisha vetë, me gjithë ato mëkate që ka mbi kurriz, sidomos për 4 rastet që përmendëm janë zullume që kanë kushtuar jetë njerëzish, mos ndjehet vetë i rrezikuar nëse ai apo ndonjë nga familjarët shkon në burg? Gjithnjë po të mendojmë siç mendon Berisha themi në këtë rast.

Duke u nisur nga kjo linjë politike që ka ndjekur deri më tani, halleve që ka mbi kurriz për vete dhe familjen e tij, ajo që mund të themi është se Berisha as që e mendon hallin e rrezikut për Ahmetajn, pasi po flet në mënyrë të qartë se është frikësuar për veten e tij. Ka bërë aq shumë zullume, ka marrë aq jetë njerëzisht për shkak të korrupsionit të tij të përgjakshëm, sa tashmë ndjehet shumë i frikësuar. Ndaj përmend Ahmetajn dhe bën si i shqetësuar për të. Ndoshta po lëshon sinjale ndaj SPAK që të mos merren me të dhe familjarët e tij, pasi në rast se prangosen dhe shkojnë në burg, ka fiksimin se mund t’ju rrezikohet jeta në qeli.

Prandaj themi se Berisha e ka për vete tërë shqetësimin, pasi mendja e tij kështu ka funksionuar dhe funksionon dhe tani. Ka frikë se mos dikush hakmerret ndaj Berishëve nëse ndonjëri prej tyre do të hyjë në burg, për jetët që ka humbur nga shkaku i Sali Berishës. Sepse e ka hakmarrjen ndaj kundërshtarit vetë në gen, dhe kujton se dhe të tjerët mendojnë dhe veprojnë si ai. Ndaj shpik teorira të tilla me kujdese ndaj Ahmetajt dhe kundërshtarëve të tjerë politikë.

Megjithëse shumica e dinë, e mira e punës është që dikush ta qetësojë, t’i thotë Berishës se epoka që ka funksionuar në kohën e tij, ka ikur me kohë dhe vakt. Nuk e kërcënon njeri me jetë as atë as familjen e tij. Madje nëse do të dënohet, jemi të sigurtë se do t’i krijojnë kushtet më komode për të vuajtur dënimin, si dhe sigurinë e plotë të jetës deri në fund në burg. Dikush t’i thotë se as ‘piruetat’ e tij nuk funksionojnë, pasi nuk i beson askush më.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dalu: 05/08/2023 06:40

    Arben ahmetaj eshte nje hajdut ordiner we kerkon ti shpetoje drejtesise. Po te ishte i ndershem dote kishte kerkuar azil ne europe dhe ta sqaronte problemin qe ka.

    Përgjigju
  • Sabit: 05/08/2023 00:34

    Bobobo versioni nr.3 i Meros.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?