Kur një njeri ndjehet i vetmuar dhe i izoluar nga të katër anët ka dhe paranojat e veta. Aq më tepër kur ky është politikan që ka pas vetes njerëz që e ndjekin dhe kërkojnë shumë prej tij, paranoja bëhet akoma më e madhe, duke bërë që të ndjehet i kërcënuar nga të gjithë.
Dhe kur një njeri i tillë është Sali Berisha, i cili ka qenë për 31 vite në majën e pushtetit të PD, të shtetit shqiptar si President i Republikës dhe ekzekutivit si kryeministër, me një barrë zullumesh e mëkatësh në kurriz, paranoja është kthyer në bashkëudhëtare e përhershme në çdo hap që hedh.
Berishës tashmë i duket sikur është i rrethuar nga të gjitha anët me armiq, të cilët duan t’i bëjnë “gropën” atij dhe familjes biologjike në çdo moment. Ndaj dhe “sensorët” paralajmërues për të punojnë 24 në 24 orë, duke “skanuar” këdo që ka afër, përballë apo në krah.
Me këtë fakt mund të shpjegohet dhe qëndrimi i tij dyshues ndaj gjithkujt që merr “guximin” t’i afrohet qoftë dhe për ta mbështetur apo krijuar aleancë me të, në këto momente të “vetmisë së madhe”, i shpallur “non grata” familjarisht nga SHBA dhe i izoluar nga BE e të djathtët e PPE. Por është dhe një “sindrom” i krijuar gjatë 25 viteve kur Berisha ishte anëtar dhe sekretar i PPSH në kohën e diktaturës, kur për të mbijetuar apo depërtuar në “Bllok”, duhej të bëje sytë katër, por dhe të “sakatoje” ndonjë duke e internuar apo dëbuar jashtë Tirane.
Berisha ndjehet gjithnjë i tradhëtuar ndonëse i ka tradhëtuar të gjithë në PD që në krye të herës për interesin e tij politik dhe personal. Dhe një pjesë e të tradhëtuarve prej tij ose nuk jetojnë më, ose janë zhdukur nga qarkullimi politik, ose janë tërësisht të “tredhur” dhe sillen rrotull rrotull tij me përuljen e “eunukëve” që për shërbimet e kryera, janë në pritje të përfitojnë ndonjë gjë. Qoftë dhe një mandat deputeti, por që ka vlerë në këtë periudhë opozite që s’dihet kur e ka fundin.
Kjo shpjegon dhe sjelljen e Berishës ndaj të gjithë mbështetësve të tij brenda PD, ku për shkak të paranojës, pavarësisht kontributeve e staturave politike të gjithësecilit, ka vendosur dominancën në strukturat e forumet drejtuese të njerëzve të tij më të afërt e më të bindur. Anipse disa janë qesharakë në thelbin e veprimit të tyre politik. Madje kanë shërbyer dhe si burim anektodash dhe meme-sh në tërë këto vite.
Por Berisha nuk ka pasur dëshirë që në sekretariat apo në kryesi e Këshill Kombëtar të ketë njerëzit e duhur për të bashkërenduar udhëheqjen e PD në përballjen elektorale me kundërshtarin politik Edi Rama. Ai ka preferuar të ketë njerëzit e bindur, të cilët nuk i sjellin asnjë problem në parti, në këtë situatë ku ndodhet, i izoluar nga të gjithë e përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA-BE por dhe përballë drejtësisë, ku herët a vonë do të “parakalojë” për të dhënë llogari për zullumet e shumta që ka bërë në këto 31 vite. Kur të bëhet drejtësia drejtësi të kuptohemi.
“Zgjedhja” sekretar i Përgjithshëm i Flamur Nokës, nënkryetarë ish shefin e tij të kabinetit kur ishte kryeministër Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçit, si dhe lënien në dorë të Klevis Balliut të organizimit të PD, duke lënë pas dere që nga Belind Këlliçi e deri te kreu i bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia, janë treguesi më real se Berisha aspiron një PD tërësisht të veten. Paçka se në këtë mënyrë nuk është një alternativë për të ardhur në pushtet.
Por duke qënë që në krye të herës i bindur se sa të jetë ai në krye të PD, kjo parti s’ka asnjë shans për të ardhur në qeverisje, Berisha ka zgjedhur ta dominojë totalisht vetë dhe me njerëzit më të afërt të tij, madje dhe nga treva e tij, këtë parti, të rrudhur fatalisht kryesisht për faj të tij.
Në rrethe të ngushta Berisha thotë se ka vepruar në këtë mënyrë pasi është ‘djegur’ nga njerëzit më të afërt për të cilët ka investuar aq shumë, duke përmendur Lulzim Bashën, njeriun që sipas tij e mori nga hiçi dhe e katapultoi në të gjithë dikasteret kryesore të vendit sa kohë ishte vetë kryeministër por dhe në krye të bashkisë së Tiranës, duke i marrë në tavolinë fitoren Edi Ramës. Dhe në fund të herës i dha dhe drejtimin e PD, jo njëherë por disa herë, për 9 vite me radhë, duke e zgjedhur dhe rizgjedhur kryetar, pas çdo humbje përballë Ramës.
Për Berishën, i vetmi shpërblim që i dha Basha për gjithë këtë investim 16 vjeçar të tij për të, ishte “bësë-prerja”, e realizuar përmes përjashtimit nga grupi parlamentar i PD dhe më pas dhe nga partia, duke e lënë tërësisht të “zhveshur” dhe pa mbrojtje politike përballë SHBA dhe drejtësisë. Por dhe duke e detyruar që në pleqërinë e thellë, kur i kishte mbetur kohë biologjike vetëm që të shkruante kujtimet e tij politike, të marrë rrugët për të futur në dorë dhe zyrtarisht drejtimin e PD dhe dëbuar Bashën nga lidershipi bashkë me mbështetësit e tij.
Për më tepër që Berisha, duke parë se dhe Alibeaj është shprehur kundër tij, bashkë me Bashën i ka paralajmëruar që të mos duken as në protestën e 7 korrikut. Një kërcënim i hapur për Bashën e Alibeajn, dhe një mesazh për “armikun” SHBA se njerëzit që mbështeten prej Uashingtonit nuk kanë vend në PD-në e drejtuar prej tij.
Ndaj Berisha nuk i beson askujt, ndonëse kurrë nuk i ka besuar njeriu. Por paranoja e krijuar, tregon qartë se ai nuk dëshiron që atë që ua ka bërë bashkëpunëtorëve të tij për 31 vite me radhë, ta provojë vetë në kurriz në perëndim të jetës së tij biologjike. Pasi i është krijuar bindja se kjo i rrezikon madje dhe familjen, e cila akuzohet dhe ajo për përfitime marramendëse nga paratë e qytetarëve shqiptarë, duke shfrytëzuar kryefamiljarin-kryeministër dhe kryetar partie.
Dhe paranoja e Berishës nuk është e kufizuar vetëm në marrëdhëniet brenda PD por është akoma më e theksuar në bashkëpunimin e pritshëm me aleatët potencialë, me të cilët mendon që të përballet me Ramën për të marrë një rezultat dinjitoz në zgjedhje të paktën.
Anipse është i sigurtë se nuk fiton asnjëherë me votë. E tha dhe një natë më parë se Ramën nuk e mund dot me votë, duke tentuar ta rrethojë me mister mënyrën se si si do të realizojë premtimin e bërë përballë demokratëve se do të rrëzojë kryeministrin aktual dhe se si do të sjellë PD-në në pushtet pas tre mandateve në opozitë.
Në këtë kontekst ishte dhe deklarata e një nate më parë në raport me aleatin e tij kryesor Ilir Metën, i cili lë presidencën më 24 korrik për të marrë sërish drejtimin e LSI, një pronë familjare të tij. Berisha e tregoi qartë se nuk e mbështet kandidimin e Metës për kryetar bashkie të Tiranës, ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe nga njerëzit afër Presidentit aktual shumë kohë më parë dhe emetuar në publik nga të gjitha mediat.
“Ne kemi një sistem primaresh nga të cilat unë nuk mund të heq dorë. E vendosin primaret. Nuk e kam dëgjuar. Primaret janë primare. Ka marrë fund koha që Sali Berisha mbështet këtë apo atë kandidat. Do të mbështesë atë kandidat që përcaktojnë primaret.
Tjetër është aleanca, tjetër është kandidatura. Unë nuk mund të them që PD nuk do kandidojë në kryeqytet”, deklaroi Berisha një natë më parë. Duke tentuar që të tregohet ashtu siç nuk është, një drejtues partie institucional që i përmbahet vetëm respektimit të statutit të PD, sipas të cilit kandidatët për të drejtuar pushtetin vendor apo për të qënë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dalin vetëm nga primaret.
Pra me votimin e anëtarësisë së PD, për të zgjedhur atë që dëshirojnë ata. Ndonëse për hir të së vërtetës askush nuk e beson se dikush pa dëshirën e Berishës mund të përfitojë votën e demokratëve për të garuar për kryetar bashkie apo për deputet në Tiranë apo kudo në vend.
Në këtë mënyrë, Berisha duke luajtur rolin e një drejtuesi institucional që i bindet “Kushtetutës” së partisë, Statutit, paralajmëroi Ilir Metën që të mos ëndërrojë shumë për të garuar për postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit.
Ndonëse kryeqyteti është “domen” i socialistëve, si në pushtet ashtu dhe në opozitë. E kanë drejtuar thuajse gjatë gjithë kohës në këtë 31 vite dhe s’mund të zhbëhet fakti se janë në krye të preferencës së qytetarëve të Tiranës dhe për një mandat tjetër, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Me sa duket Berisha dhe Meta ende nuk e kanë arritur marrëveshjen për ndarjen e zonave të influencës politike, aq sa kanë fuqinë, ndërkohë që zgjedhjet e reja për pushtetin vendor janë në prag dhe normalisht për opozitën fushata duhej të kishte filluar që tani.
Për këtë arsye Berisha po tenton të demonstrojë “provë force”, në fillim përmes një proteste më 7 korrik, vetëm 17 përpara se Ilir Meta të lërë zyrën e Presidencës, pas paralajmërimit të madh të kohëve më parë se do të marrë në dorë drejtimin e opozitës. Por dhe tani Berisha po demonstron forcën duke e paralajmëruar se në Tiranë do kandidojë për kryebashkiak një nga radhët e PD.
Janë dy lëvizje të Berishës për të treguar se është ai që dikton lëvizjet në radhët e opozitës si drejtues i partisë më të madhe opozitare, por dhe se do të jetë ai njeriu që do të diktojë “pazarin” politik me aleatët. Përfshirë dhe Metën këtu! Madje po e “ndëshkon” dhe për “buzëqeshjet” dhe shtrëngimet e duarve në mënyrë të rastësishme me ambasadoren amerikan Yuri Kim.
Ndaj “prova e forcës” që Berisha tregon para Metës më 7 korrik, është më shumë një reagim ndaj SHBA për të treguar se ka mbështetje dhe vetëm pa Presidentin aktual, si dhe me “non gratan” mbi kurriz. Pavarësisht se SHBA as që e ka fare në referencë, i ka rënë shkurt: bashkë me Berishën kryetar, “non grata” do jetë dhe PD.
Dhe duke iu rikthyer dhe njëherë paranojës, Berisha me sa duket kërkon dhe nga Ilir Meta një provë besnikërie, pasi shumë herë marrëdhënbiet e tyre kanë kaluar nga dashuria në urrejtje dhe anasjelltas. Ndonëse aleanca mes tyre i ka “rrënjet” e thella që nga viti i hershëm 1992, i “ngjizur” në paraburgim me deputetin e ri të PS Meta për ngjarjen e Poliçanit, e forcuar gjatë kohës kur Fatos Nano ishte në burg të cilit i shtoheshin vitet edhe me “bekimin” e ish nënkryetarit të PS të asaj kohe, e deri në vitet e mëpastajme në pushtet apo në opozitë.
Por dhe marrëdhënie të acaruara sa herë që Meta kalonte në aleancë me Ramën, ku Berisha ka artikuluar akuzat nga më të fortat, që nga vjedhja e vagonëve, parave të rrugëve e deri tek akuzat për vrasjen e dy punëtorëve të biznesin e familjes Meta-Kryemadhi në Dajt dhe vrasjen me pagesë të dy deputetëve të asaj kohe.
Për këto akuza të rënda Berisha ka marrë “mbrapsht” akuzat nga më të fortat prej Ilir Metës, si përfshirja e djalit të tij Shkelzen Berishës në tragjedinë e Gërdecit dhe akuza të tjera të rënda, të cilat janë bërë prezente gjithmonë në media.
Këto janë arsyet që Berisha kërkon provë besnikërie nga Ilir Meta se nuk do ta braktisë dhe pas humbjes së paralajmëruar në zgjedhjet për pushtetin vendor më 2023 apo dhe ato parlamentare në vitin 2025 përballë të njëjtit kundërshtar: Edi Ramës.
Ndaj Berisha ka vendosur ta “rrisë” pazarin ndaj Metës. “Kufirin” e parë e vendosi, në Tiranë do të kandidojë një përfaqësues i PD, pasi është partia më e madhe opozitare, duke i prerë shpresën në mes liderit të LSI, aktualisht deri më 24 korrik President. Të shohim çfarë provash të tjera besnikërie do të kërkojë Berisha për Metën.
Janë vetëm 23 ditë për të si President dhe në atë zyrë s’ka asgjë në dorë, Bajram Begaj është gati për të marrë postin e lartë në krye të shtetit. Por fakti është se në Baku, Berisha dhe Meta s’kanë arritur marrëveshje përfundimtare. Tani duhet të presim “kundër-ofertën” e Metës. Kohën para e kemi! Vetëm duhet të jemi të duruar!