Berisha dhe Alibeaj

Berisha i trembet Metës, ia ‘dredh’ për këshilltarët dhe i ‘shkel’ syrin Alibeajt

8 Janar 2023, 10:29| Përditesimi: 8 Janar 2023, 10:31

  • Share

Sali Berisha është me grip, i shtrirë në krevatin e shtëpisë së tij. Me temperaturë të lartë. Kështu të paktën u tha nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilët lajmëruan se nuk do të dalë në konferencën javore për mediat për të bërë rutinën ditore, sulmet ndaj Ramës dhe qeverisë së tij.

Nuk u sqarua, askush nuk pyeti në fakt, nëse Berisha është ‘karantinuar’ nga gripi në shtëpinë që ka në rrugën “Mustafa Matohiti” në kryeqytet apo në vilën e tij në Gjirin e Lalzit.

Këtë nuk ia tha as Ilir Metës të cilin e ka komshi në Gjirin Lalzit me vilat ngjitur, dhe vetëm një thirrje në “zakonin e babës” madje dhe pa dorën në vesh, mund ta lajmëronte se: ‘jam i sëmurë”.

Ilir Meta është “i gjendshëm” në të tilla raste, sidomos kur është në hall, dhe do t’i bënte ndonjë vizitë, me ndonjë kavanoz komposto, apo me ndonjë lugë mjaltë, për ta shpëtuar sikurse thonin nënat apo gjyshet tona ‘sulfatet”.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Berisha thjeshtë dhe vetëm përmes bashkëpunëtorëve anuloi të gjitha daljet publike, madje dhe një takim të kërkuar nga kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në selinë e demokratëve buzë Lanës, për të qartë hallet e opozitës. Pasi më 14 maj janë zgjedhjet vendore.

E takoi numri dy i “Rithemelimit” Flamur Noka, e para herë për të në këtë format takimesh të rëndësishme si “mëkëmbës” i Doktorit.

Ndonëse Berisha la të gjitha takimet për shkak të gripit, ashtu me temperaturë të lartë nuk rreshti së postuari denoncime kundër Edi Ramës dhe qeverisë, sidomos për atë ai që e quan vonesë të hedhjes së pagave të mësuesve në bankë. Pavarësisht se në momenin e deklaratës së Berishës ishte data 6 janar, dhe kishin arritur mesazhet e para për administratën se banka i kishte kaluar pagat. Ndoshta dhe mësuesve. Ku i dihet.

Por sëmundja e Berishës pikërisht në këto momente, refuzimi i daljeve publike e para mediave dhe sidomos refuzimi i takimit me aleatin e tij Ilir Meta, e “kryqëzuar’ dhe më faktin se nuk i ka shkëputur mesazhet në rrjetet sociale, na bën të dyshojmë se pas këtij gripi luhet një gjë akoma më e madhe. E thënë me pak fjalë, opozita nuk i ka punët mirë edhe mes aleatësh.

Ilir Meta, që shërbeu si ‘komerdare’ shpëtimi në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar më 6 mars të vitit të kaluar, në perceptimin e Sali Berishës, një ‘skile’ e vjetër e politikës, është një barrë shumë e rëndë, është një “gjyle” në këmbët e “Rithemelimit”. Për shumë arsye.

Në krye të herës, pavarësisht ndërrimit të emrit nga LSI në PL, Partia e Ilir Metës është tkurrur në mënyrë të frikshme. Në të gjitha sondazhet serioze të zhvilluara në këto muajt e fundit, nuk kap asnjëherë vlerat dyshifrore. Ndërsa Meta vetë mbetet politikani më i urryer në vend.

Nuk ka as shifrat në përkrahje të Enkelejd Alibeajt, kreut të PD zyrtare. Madje nuk arrin në përkrahje as vlerat e Lulzim Bashës, ish kreut të PD që u dëbua nga drejtimi i forcës më të madhe opozitare nga Berisha. Me ndihmën dhe të vetë Ilir Metës.

Akuzat ndaj tij janë të njohura tashmë, ‘parafabrikate’ që përdoren nga të gjithë kundërshtarët e tij, si ‘i paaftë, besëprerë, i shitur, tradhëtar, peng i Ramës dhe njeriu që u pasurua në opozitë”. Shumë nga këto cilësi i zotëron më së miri Basha, por ama ndonëse është zhukur nga politika aktive, ai ia del që të ketë mbështetje më të madhe se Meta. Të paktën është më pak i urryer se ai.

Meta jo vetëm që nuk mbështetet nga ana e elektoratit shqiptar, i ka dhënë gjithçka politika këtij njeriu, që nga kryetar partie, ministër, kryeministër, kryetar parlamenti e deri President i vendit dhe nuk kuptohet çfarë kërkon më pas 32 viteve në ‘kupolën’ e politikës, por e ka braktisur dhe vetë baza e partisë që drejtonte e drejton. Pikërisht ata që i siguronin votat me të gjitha mënyrat!

Durrësi, Elbasani, Berati, Gjirokastra, Dibra e deri te Lezha e Fieri që garantonin vota për partinë e Metës, nuk e kanë më këtë rol. Liderët vendorë, që nga Tavo e deri tek Naço nuk janë më në krahun e Metës. Një pjesë kaluan në PS, partinë nga e cila kanë kanë dalë, një pjesë janë tërhequr në jetën dhe bizneset e tyre private. Dhe bashkë me ta kanë ikur dhe votat thuajse personale që kishin, por që shkonin në “hambarin” e partisë së Metës. Kanë kur bashkë me ta dhe financimet e vazhdueshme që hidhnin për të mbajtur në këmbë këtë parti klientelishte.

Dhe goditja më e madhe Metës i erdhi nga Shkodra. Deputeti në dy legjislatura, njëherësh dhe drejtuesi rajonal për kryeqendrën e Veriut, Agron Çela e braktisi. Dhe jo për të kaluar në jetën e tij private apo për t’u shërbyer vetëm bizneseve që zotëron, por kaloi në krahun e PS. Duke e fuqizuar rëndë në Shkodër, pasi bashkë me të kaluan si “paketë” dhe mbështetësit e tij. Të cilët janë përcaktues në zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë së Shkodrës më 14 maj dhe vazhdimësinë e dominimit të opozitës në këtë bashki.

Pra Meta është rrënuar politikisht, sa për shkak të zullumeve të tij, është në SPAK i kallzuar për disa çështje penale, sa për shkak të konsumimit politik me 32 vite të tilla në kurriz, sa dhe nga përdorimi që u ka bërë përmes partisë së tij familjare, donatorëve lokalë në financa dhe në vota. E kanë braktisur të gjithë, ndërkohë që të rinjtë e afruar në PL, pavarësisht moshës, nuk e mbushin as në masën 1 përqind boshllëkun e lënë nga drejtuesit e fortë lokalë të partisë së Metës.

Në shumicë fuqizuan partinë në qeverisje. Ndërsa në PL ka mbetur vetëm pjesa më klienteliste e partisë, ata që s’kanë asgjë që të japin, por që presin me “lugë në brez” për të përfituar nga Meta, i cili as me takimet që zhvillon me gjimnazistë nuk po e kompenson dot. Fundja nga ata që kemi parë në takime, përmes videove apo fotove, janë të vegjël dhe s’votojnë më 14 maj.

Dhe Berisha, i gjendur nën goditjen e SHBA e Britanisë që e shpallën ‘non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë, shtuar dhe me lidhjet me grupet kriminale, i gjendur përballë konsumimit politik për 32 vite në qeverisje ose në opozitë me rol si në qeverisje, por dhe përballë konsumimit fizik, është 80 vjeç sot ai, një pensionist e shkuar pensionistit, po kërkon të mbajë fort me të gjitha mënyrat elektoratin e mbetur të PD. Atë më të vendosurin. Për ta ruajtur nga tundimi i partisë së Metës, e cila si parti klienteliste luan fort me premtimet për punësime në administratë.

Pra Berisha është në një hall tjetër të madh. Mirë që nuk ka vulë, dhe po të detyrohet të dalë bashkë me partinë e Metës në koalicion rrënohet tërësisht, por është dhe përballë rezultateve të pritshme elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Të cilat e çojnë direkt në ‘nominim’ përballë strukturave sipas statutit, për postin e kryetarit. Dhe situata tek “Rithemelimi” është dramë.

Deri më tani Berisha ka deklaruar se do të ketë të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie në emër të aleancës opozitare, ndërsa Meta, i mbështetur dhe nga vetë lideri i “Rithemelimit”, ua ka vënë “syrin” këshillave bashkiake. Pra nuk pretendon për kryetar bashkie, ka vetëm Lefter Maliqin në Kuçovë, por ai bëhet me këdo, si t’i thuash, por kërkon vetëm këshillat bashkiake. Dhe Meta këtë skemë e përsërit sa herë del në media, apo sa herë i drejtohen gazetarët për këtë fakt.

Me sa duket, duke parë rënien ‘pikiatë’ të kuotave politike të Metës dhe partisë që drejton, dhe Berisha i gjendur në hall dhe në kulmin e krizës në PD dhe izolimit ndërkombëtar, është ftilluar dhe ka nisur të bëjë disa llogari të thjeshta. Duke konkluduar që në krye të herës se dhe vetë grupimi i PD që drejton ka rënie drastike të mbështetjes politike. E thonë sondazhet më të fundit. Por duke qënë grupimi më i madh opozitar, Berisha e di se këto elementë mund të ‘amortizohen’ hap pas hapi, guke ruajtur sëpaku kuotat optimale e që kanë qënë trend gjatë gjithë viteve. Qoftë dhe në pikën minimale.

Në krye të herës Berisha është i bindur se përpos bashkisë së Shkodrës ku ka pretendime më të mëdha, dhe atje rrezikohet pas largimit të Agron Çelës drejt PS, si dhe dy tre bashkive të tjera të vogla, më 14 maj nuk fiton asnjë prej njësive vendore. Pra “Rithemelimi” rrezikon të dalë me një rezultat shokues në zgjedhjet për kryetetar bashkie në gjithë vendin. Pavarësisht aleancës me PL.

Duke i shtuar kësaj dhe faktin se këshillat bashkiake ia ka lënë Metës, janë elementët më bazikë për të arritur pazare dhe me kundërshtarin më të madh politik për projekte të ndryshme e deri në punësime në pushtetin vendor, Berisha në fund të herës del ‘zbuluar’ pa bashki dhe pa këshilltarë bashkiakë.

Ndaj ai ka frikë nga Meta, theksojmë ka ‘stomak’ të madh politik kreu i PL, dhe Berisha po i shmanget takimit me të. Me sa duket po ia ‘dredh’ për këshilltarët bashkiakë. Eshtë dhe baza e “Rithemelimit” kundër kësaj skeme aleance të Berishës me Metën, pasi llogaritë atje në bazë bëhen për interesa lokale dhe jo në formatin kombëtar. Janë interesa që zgjidhen mes njëri tjetrit ato, dhe nëse Meta dominon këshillat bashkiake me votat e mbështetësve të Berishës, atëherë dëmi për demokratët e bazës është dyfish: Mbeten pa kryetar bashkie, që fitohen me shumë gjasa nga socialistët dhe pa këshilltarë bashkiakë, që sipas marrëveshjes, i ‘dhurohen’ PL së Metës.

Ndaj nuk po dakordësohet baza me këtë skemë dhe me sa duket kanë nisur të bindin dhe Berishën që në fund të herës do të jetë “Rithemelimi” ai që do të humbë. Ndërsa Berisha vetë sipas statutit nuk e shmang votëbesimin si kryetar në strukturat e grupit të PD që ai drejton, pas kësaj humbje dyfishe më 14 maj. Ndaj po e mban larg Metën, sa shmang dhe takimin e planifikuar me të dhe i nxjerr në vend të tij Flamur Nokën.

Ndërkohë që përllogaritja e Berishës, parë dhe nga sondazhet e fundit, po e orienton gjithnjë e më shumë në drejtim të PD zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj e pas tij Lulim Basha. Ka më shumë leverdi elektorale me këtë grupim, qoftë dhe me gjithë lëshimet që mund t’i bëjë. Ka më shumë vota Alibeaj se Meta dhe për më tepër përçohet dhe fryma e bashkimit të PD në prag të zgjedhjeve. I bënë këto llogari Berisha, madje dhe Alibeaj.

Kjo ka sjellë dhe stopimin e nxjerrjes së kandidaturave nga ana e PD zyrtare të drejtuar nga Alibeaj në qytetet e mëdha. Duke filluar nga Tirana. Dhe vazhduar me qytete të tjera, deri dhe bastioni i PD, Shkodra. Kërcënohet, vendosen afate, shkëmbehen akuza të ndërsjella, por gjithçka është në kuadrin e presionit të dyanshëm për të përfituar sa më shumë mbështetje në radhët e demokratëve.

Janë koshientë të dyja palët se me dy kandidatura të PD, humbja është e sigurtë thuajse në 61 bashkitë e vendit që hyjnë në zgjedhje më 14 majt të këtij viti. Ndaj ka njëfarë ‘shkelje syri’ nga Berisha në drejtim të Alibeajt, anipse ky i fundit bën sikur refuzon. Madje dhe drekat e përbashkëta, por ama Gazment Bardhi merr pjesë, janë sinjale afrimi, që në fund të herës dhe nëse nuk vendoset fati i vulës dhe logos së PD deri më 14 maj, mund të bëhet njëfarë koalicioni i pashpallur mes tyre: Ndajnë zonat e kandidimit.

Nuk bashkohen, për bëjnë aleancë të heshtur. Ndërsa regjistrimin në zgjedhje Berisha e ka të zgjidhur. Bën një koalicion në fund të herës me PR e Mediut, PDK e Ndokës dhe ndonjë parti tjetër, i vë sërish emrin “Shtëpia e Lirisë”, gjithnjë nëse Meta tërbohet nëse ia ‘dredh’ aleati i tij në krye të “Rithemelimit”, dhe bën regjistrimin në KQZ për zgjedhje. Pa pasur nevojën e Metës, dhe pa ia paguar “haraçin” e futjes nën çatinë e tij.

Berisha dhe pa këto halle nuk symon pushtet, por ama po mundohet të shpëtojë çfarë mund të shpëtojë, për të mos dalë sëpaku i përgjysmuar nga beteja elektorale e 14 majit. Hall është dhe ky!

Megjithëse gjithçka mund të ndodhë. Të presim se si do të veprojë Berisha kur të ngrihet nga krevati, ku e ka ‘gozhduar’ gripi. I cilit variant qoftë.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • karadakliu: 08/01/2023 12:46

    Te dy,Berisha dhe Meta,jane punojne e veprojne me lakadredha,mashtrime e gnjeshtra,Madje kete e bejne edhe ndaj njeri-tjetrit,Te dy jane per te djegur Shqiperine vetem dhe konfliktuar shqiptaret deri ne kaos,lufte qytetare, qe ata te jene mire me gjahun qe kane vjelur deri tash.te dy ne praktikteken e deritashme,jane deshmuar per keto veprime ndaj shqiptareve dhe Shqiperise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?