Sali Berisha

Berisha një jetë kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, sot minuesi i fundit i drejtësisë!

14 Nëntor 2023, 16:02| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 16:04

  • Share

Për të kuptuar hallin e sotëm të Sali Berishës, mjafton të shohësh marrëdhënien e tij 32-vjeçare me sistemin e drejtësisë. Për të njohur një lider se sa demokrat është, mjafton të analizosh këtë raport. Sigurisht ka edhe tregues të tjerë, siç janë sjellja e tij me mediat, me shoqërinë civile, me opozitën, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira etj.

Drejtësia është çelësi për të kuptuar të tërën, është thelbi për të analizuar detajet, është pushteti më vete dhe mbi palët, që rrezikon çdo individ dhe çdo politikan të korruptuar, nëse do të funksionojë siç duhet.

Për të sqaruar me saktë situatën, gjendjen, momentin, shkaqet dhe arsyet e shpalljes së Sali Berishës “Non grata”, gjithçka ka bërë dhe vepruar pas këtij momenti, mjafton të merret në analizë vetëm ky raport me drejtësinë dhe faktet flasin më shumë se fjalët, qetësia më shumë se sa zhurma, arsyeja më shumë se sa emocioni.

Përplasja e tij e parë me Zef Brozin, si kryetar i Gjykatës së Kasacionit (sot Gj. E Lartë) është zanafilla e historisë së gjatë të përplasjeve, sulmeve, deri te shpallja “Non grata” si shantazhues i sistemit të drejtësisë.

Shqipëria vinte nga një traditë e mangët juridike dhe nga një sistem diktatorial, ndaj Presidenti Berisha nuk mund të imagjinonte dhe të kuptonte një drejtësi jashtë ndikimit dhe presionit të tij.

Pavarësisht ndërhyrjeve të amerikanëve, edhe atëherë, njëjtë si sot, u shndërrua në sovranist.

Pas këtij momenti, historia dihet: erdhën zgjedhjet e ’96-tës, më pas rënia e shtetit në ’97-tën.

Asnjë lider në historinë 111-vjeçare të shtetformimit nuk ka sulmuar me aq forcë, aq në mënyrë rrugaçërore dhe të pandershme një Prokurore të Përgjithshme.

E ka bërë Sali Berisha me Ina Ramën, duke kulmuar te epiteti i tij ‘lavire bulevardi’.

Pavarësisht emrit dhe personit, aq më shumë një femre, që nuk i përmbahet asnjë kodit, zakoni, morali, të drejtë kanunore, sulmi ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, në thelb, është sulm ndaj vetë Republikës.

Jo vetëm e ka sulmuar, por e ka përsëritur vazhdimisht një gjë të tillë, duke u krenuar publikisht që ka ndalur ekzekutimin e urdhrave të arrestit të lëshuar prej saj.

A nuk mjafton kaq?!

Apo shantazhi i hapur ndaj Gjykatës së Lartë kur i shkoi për vizitë në shtëpi një natë para shpalljes së vendimit ndaj Ilir Metës, a nuk do të mjaftonte për ta dizenjuar si rrezik potencial ndaj sistemit të pavarur të drejtësisë?

Kur tre magjistratë të Gjykatës së Apelit në Tiranë morën vendim për Vulën e PD-së, Sali Berisha, në dallim nga ç’kishte bërë me gjyqtarin e “Plepave’’, Zhukri, nxitoi t’i sulmonte ata si ‘ekzekuteues të një procesi të pashembullt kundër pluralizmit, të cilët lexuan një vendim të përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës’.

E lexuar në këtë mënyrë, kjo duket deklarata më ‘miqësore’ e Berishës ndaj një trupe magjistratësh, por paradoksi është logjika pa logjikë juridike që pranon si vendim të drejtë, të rregullt dhe të vetëm të ekzekutueshëm, të një gjyqtari të Shkallës së Parë, ndërkohë që anatemon një trupë prej tre magjistratësh të Gjykatës së Apelit.

Por ky sulm duket një ‘pekule’ e vërtetë, nëse do të shohim deklaratat e vazhdueshme ndaj dy prokurorëve të çështjes ‘Partizani’, A. Kraja dhe E. Minollai, të cilët vazhdimisht janë akuzuar dhe linçuar publikisht prej tij, i pari si ish-prokuror i Enver Hoxhës, lolo i Edi Ramës, dhe ndaj së dytës, madje, ka shkuar deri në aludime për raporte martesore të jashtëligjshme.

Nëse për çdokënd tjetër një gjë e tillë, do të përbënte një turp publik dhe do të vetëpërmbahej disi, edhe nëse do ishte e vërtetë, kjo gjuhë nuk përbën kurrfarë ‘problemi’ për Berishën.

Për të mos folur për akuzat e tij ndaj SPAK-ut si ‘grup i strukturuar kriminal’ etj.

Asnjë politikanë në 33 vite nuk ka guxuar të sulmojë kaq egërsisht ata që po e hetojnë familjarisht për korrupsion aktiv dhe pasiv.

E ka bërë dhe po vijon ta bëjë, faqe gjithë botës, Sali Berisha, ndonëse gjithçka që do duhej të thoshte gjatë kësaj periudhe, do t’i përdorej kundër tij në gjykatë.

Për të ardhur tek gjyqtarja e GJKK-së, I. Gjoka, e cila ka procesin e aferës “Partizani” në dorë.

Berisha nuk është mjaftuar vetëm me prokurorët që po e hetojnë, por ka sulmuar po me të njëjtën egërsi, edhe gjykatësen, e cila presupozohet të jetë aty për të mbajtur drejtësi midis akuzave të SPAK-ut dhe mbrojtjes së të akuzuarve.

Sali Berisha është politikan me bilanc negativ në raport me sistemin e drejtësisë. Vetëm sulmet e tij ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve do të mjaftonin si çështje penale ndaj tij në gjykatë dhe për të kuptuar sjelljen e tij prej vetëfajtori.

Asnjë politkan tjetër, i djathtë apo i majtë, i djeshëm apo i sotëm, nuk e ka sulmuar kaq egërsisht, kaq paturpësisht dhe me kaq ‘guxim’ sistemin e drejtësisë.

Kjo është një kambanë alarmi, jo për ta ndjekur nga prapa, është tregues i vetëfajësisë, jo për t’iu bërë gardh dhe për ta mbrojtur, është turp shoqëror dhe politik që kur ta shkruajë historinë, do ta përmendi dhe do ta rendisë në listën e politikanëve autoritarë dhe problematik në raportet e tyre me shtetin e së drejtës.

Çfarë halli ka ky njeri që ka një jetë të tërë politke që vetëm sulmon prokurorët dhe gjyqtarët?!

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?