Sali Berisha

Berisha sulmon Ramën me ‘armë’ ruse, e bashkon ‘non grata’ me Lavrov?!

8 Qershor 2022, 22:34| Përditesimi: 8 Qershor 2022, 22:44

  • Share

Këtë të mërkurën ishte raudi i radhës i takimit të nismës “Ballkanit të Hapur”, që u mbajt në Ohër, ku mikpritëse ishte qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Këtë radhë përpos liderëve të përhershëm pjesëmarrës në këto takime, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Presidentit të Serbisë Alexandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në fillim kryeministri Zoran Zaiev, e aktualisht pasuesi Dimitar Kovaçevski, ishin dhe kryeministri shqiptar i Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe kryeministri Bosnje Herzegovinës Zoran Tegeltija.

Preludi i të gjitha mesazheve që u dhanë në këtë takim, ishte domosdoshmëria për vazhdimin e kësaj nisme rajonale dhe zgjerimi i radhëve të “Ballkanit të Hapur”, në të mirë të rajonit, sidomos në këtë kohë krize, të shkaktuar për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Duhet të pranojmë se nisma ka dhënë frytet e para duke eleminuar disa nga “vatrat” më të rëndësishme të krizës ekonomike, që nga prodhimet bujqësore e deri tek energjia.

Dhe përfaqësuesit nga Mali i Zi, përkatësisht Abazoviç e përfaqësuesi nga Bosnja, Tegeltija e mbështetën fort iniciativën e “Ballkanit të Hapur” duke garantuar se në të ardhmen e afërt do të jenë anëtarë me të drejta të plota të këtij forumi ballkanik.

Madje kryeministri shqiptar i Malit të Zi i bëri thirrje dhe Albin Kurtit që t’i bashkohej kësaj nisme, teksa nënvizoi se “pres që kryeministrin i Kosovës të vijë dhe të flasim për nisma të përbashkëta”. Duke paralajmëruar se, që në takimin e ardhshëm të radhës të jenë pjesë e kësaj nisme, me të drejta të plota për të përfituar si të gjitha vendet e tjera.

Për më tepër dhe i dërguari i SHBA për Ballkanin Gabriel Escobar, përmes një video-mesazhi foli me nota të forta mbështetëse për këtë iniciativë, duke bërë thirrje që dhe vendet që deri më tani kanë hezituar, duhet t’i bashkohen, për një Ballkan Perëndimor më të fortë e më të gatshëm për integrimin në BE.

“Besojmë se kjo nismë ka sukses dhe duhet të jetë e hapur për të gjithë. Duhet të përfshihen të gjitha shtetet në nivel të njëjtë. Kjo është një iniciativë e shkëlqyer, mahnitëse”, tha mes të tjerave Escobar, duke dhënë një përgjigje shterruese shqip e qartë për të gjithë ata politikanë në Ballkan që e sulmojnë “Ballkanin e Hapur”, e konfirmuar se SHBA e mbështet fort këtë nismë.

Njëherësh dhe përfaqësuesi i BE, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili mbajti fjalën e rastit në këtë forum, ripërsëri mbështetjen e unionit europian për “Ballkanin e Hapur”, duke bërë thirrje dhe për tre vendet e tjera që t’i bashkohen sa më shpejt kësaj nisme.

Pra nevoja e zgjerimit të “Ballkanit të Hapur” tashmë ka marrë dhe mbështetjen  e dy vendeve të tjera skeptike si Bosnje Herzegovina e Mali i Zi, duke paralajmëruar një përfshirje të shpejtë me të drejta të plota si anëtarë të këtij forumi, por dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e fortë të SHBA e BE për këtë nismë, e cila është në favor të vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekjet e tyre për përballimin e krizës së shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë e procesit të integrimit.

Por ajo çfarë po shohim e dëgjojmë nga “sovranistët” dhe “patriotët” këtej dhe andej kufirit, në shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, në Kosovë, vëmë re se për të përligjur qëndrimin e tyre kundër nismës së “Open Balkan”, janë gati të kapen dhe pas “fijes së barit”, apo dhe të përthithin e të marrin si mbështetje qëndrime dhe deklarata të vendeve armike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Madje dhe diversionin e tyre të hapur dhe pa korrekturë për destabilizimin e këtij rajoni.

S’ka kaluar pa marrë vëmendje deklarata e papritur e shefit të diplomacisë ruse Sergei Lavrov, i cili në kulmin e acarimit dhe të dëshpërimit për anulimin e vizitës së paralajmëruar të tij në Serbi për shkak se Maqaedonia e Veriut dhe Mali i Zi i mbyllën hapësirën ajrore, deklaroi diversionin e radhës teksa tha se “Open Balkan” është një projekt serb i cili përkrahet fort nga Rusia por kundërshtohet nga BE por dhe SHBA sipas tij.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit, Ballkani i Hapur. Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Duket qartë që ata që janë Bruksel, por edhe NATO  duan të aplikojnë në Ballkan projektin e Ballkanit të Mbyllur”, deklaroi Lavrov.

Pavarësisht se SHBA e BE e mbështesin këtë nismë që nuk është serbe, por është e tre shteteve themeluese Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut, shefi i diplomacisë ruse nuk ka munguar të hedhë “helmin” politik për të destabilizuar rajonin, si një reagim dëshpërues ndaj 2 prej vendeve, njëra pjesë e nismës dhe tjetra që pritet t’i bashkohet në takimin e radhës, për bllokimin e hapësirës ajrore, duke penguar hyrjen e Lavrov në Serbi. Veprim që ka marrë dhe mbështetjen e fortë të BE dhe të SHBA, si një vlerësim që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i bëjnë vendimit për sanksionet ndaj Rusisë, por dhe vetë ministrit të Jashtëm të saj Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus ka të drejtë në një pikë, që Ballkani është i mbyllur për vetë Lavrovin dhe Rusinë, ndërkohë që për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë është i hapur. Këtë deklaroi dhe Rama teksa reagon ndaj Lavrov por “shigjeton” dhe Berishën teksa nënvizon se “të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën e tij sarkastike e pastaj nga manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të ndasisë dhe urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike, është për të ardhur keq.

Nëse zotëria do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të hapur, Ballkani do ishte i hapur minimalisht për të. Ballkani për të është i mbyllur tërësisht, ndaj s’ka marrë dot leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit që të jemi të qartë”.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, përfaqësuesit më të lartë të Kosovës e “non gratat” në Shqipëri kanë vijuar sulmet ndaj nismës së “Ballkanit të Hapur”, duke u mbështetur fort dhe marrë si të mirëqenë pikërisht qëndrimin e Lavrov, në atë deklaratë diversive të tij.

Që Kosova qëndron në vendimin e saj për të qënë jashtë nismës s’ka asgjë të re. Madje teknikisht nuk ka nevojë të përzihet fare, pasi mbi 90 përqind e shkëmbimeve ekonomike e tregtare Kosova i ka me Serbinë, përpara se të dalë në skenë ideja e “Ballkanit të Hapur”.

“Patriotizmi” shërben vetëm për politikë dhe për të qënë prezentë në rrjetet sociale, ku merr dhe përgëzimet e “patriotëve dixhitalë”, pasi Serbia ka bërë dhe bën çfarë do të dojë në Kosovë, e cila ka nevojën e furnizimeve serbe që nga konfeksionet, gruri, energjia e deri tek bulonat nga tregu serb. Madje dhe koncerteve e shop-ingut. Gjë që e ka arritur me efikasitet të plotë.

Ndërsa “sovranistët” dhe “patriotët” e Tiranës, me në krye Sali Berishën e shpallur “non grata” familjarisht pikërisht nga SHBA që rikonfirmoi dhe sot mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”, kundërshtinë e tyre e kanë për hall personal. Janë gati të kundërshtojnë gjithçka dhe të sulmojnë këdo që është në anën e SHBA dhe ka mbështetjen e SHBA. Për çdo nismë, pa asnjë dallim.

I tillë është rasti i “Ballkanit të Hapur”, dhe i ‘përthithjes’ me padurim e deri në ‘palcë’ i “spicës” së Lavrov se kjo nismë është marrë nga Beogradi, të cilën e mbështet fort Rusia sipas tij.

“Goebelsi i Putinit, Lavrov i del zot Ballkanit të Hapur si projekt rus! Pas ndalimit që i bëri Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, avionit të tij për të fluturuar në hapësirën ajrore të këtyre vendeve për në Beograd, Goebelsi i diktatorit gjakësor Putin ju deklaroi mediave serbe se ai po shkonte në Beograd për projektin e Ballkanit të Hapur.

Të dashur miq, kjo provon se Edi Rama vasal i Aleksander Vuçiç me Ballkanin e Hapur kërkon të vendosë Shqipërinë vendin anëtar të NATO nën hegjemoninë e Serbisë dhe influencën direkte të Rusisë”, deklaroi Berisha një ditë më parë. Pra Berisha e kapi në ajër “asistin” e Lavrov, për të sulmuar kundërshtarin e tij politik Edi Rama.

Askush të mos habitet që Berisha nuk merr për bazë qëndrimet e forta amerikane dhe të BE pro “Ballkanit të Hapur”, por i referohet vetëm qëndrimit të Rusisë ndaj kësaj nisme, të cilën e quan nismë serbe dhe që e mbështet si të tillë. Por që Lavrov e as ambasadori rus në Beograd nuk marrin pjesë në takimet e nismës, sikurse bëjnë përfaqësues të BE dhe SHBA.

Qëndrimet e Berishës janë ato të një njeriu në hall. Ne nuk mund të akuzojmë Berishën si një politikan pro rus, nuk kemi prova për këtë, pavarësisht se disa lëvizje të tij përkojnë shumë, dhe çojnë ujë në të njejtin “rezervuar”. Por nuk hamendësojmë dhe as akuzojmë.

E vërteta është se në këtë rast, Berisha po përdor fort një deklaratë diversioni në tërbim e sipër të shefit të diplomaciosë ruse për “Ballkanin e Hapur”, për të sulmuar kryeministrin e Shqipërisë. Po përdor një deklaratë të të ngjashmit të vet, edhe Lavrov është person “non grata” në SHBA të cilit madje i është bllokuar dhe pasuria përpos humbjes së të drejtës së lëvizjes në SHBA e BE.

Shprehja e vjetër sa bota:”Armiku i armikut tim është miku im” në rastin e sulmit të Berishës kundër Ramës me ‘armë’ ruse që i serviri Lavrov me deklaratën e tij të paradisa ditëve, është shumë e rrezikshme në këtë rast. Pasi Rusia është gati të shpallet vend terrorist dhe një rrezik për botën. Dhe kjo mund të “përvëlojë” më tej dhe Berishën. Pasi për cënim të sigurisë kombëtare të SHBA dhe vendeve të saj aleate sidomos në këtë kohë lufte dhe rreziku të zgjerimit të konfliktit përtej Ukrainës, ka dhe ekstradime. Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen e ekstradimeve me SHBA, çka nuk e pengon startimin e ndonjë udhëtimi‘VIP’, vetëm vajtje.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Na çave trapin: 08/06/2022 22:55

    Akoma merreni me Berishën? Këtij njeriu nuk ja vlen as të ja përmendeshin emrin e jo më të bësh shkrim për të. Defaktorizoheni "non gratan" dhe mos ja përmendni emrin, ky do të jetë kontributi më i madh për vëndin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?