Berisha: Topi rekord shkeljesh
Shkëlzeni? Sulm nga mafia

17 Prill 2012, 17:39| Përditesimi:

  • Share
TIRANË – Kryeministri Sali Berisha sulmon sërish presidentin Topi, duke e akuzuar atë se po dhunon Kushtetutën. Por, pavarësisht pakënaqësisë ndaj sjelljes politike të kreut të shtetit, Berisha tha se presidenti Topi nuk do të preket deri në fund të mandatit të tij.

 “Ai po e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord të dhunimit dhe fyerjes së Kushtetutës. Akti i një zotërie që në konceptin më primitiv dhe rudimentar e të prapambetur konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit”, u shpreh Berisha. Sipas tij, për këto arsye Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj, pikërisht për këto arsye të njëjtin fat pësoi edhe Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese i kërkon atij të kooperojë me parlamentin, por ai është i vendosur për interesa që ai i di vetë, të shfrytëzojë të vetmin moment që i ka mbetur të shkelë mbi Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 176 thotë se KLD përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës të zgjedhur nga trupa gjykuese e vendit, pjesa tjetër nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë. Në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës nuk mund të zgjedhë nënkryetari. Kushtetuta nënkryetarin e ka përcaktuar të zgjidhet nga parlamenti. Nënkryetari nuk mund të jetë ministër, se Kushtetua se lejon, as kryetari i Gjykatës së Lartë. Pra për të gjithë ata që nuk janë analfabetë të Kushtetutës, nuk mund të përmbyset përcaktimi i Kushtetutës”, komentoi ai më tej.

"Për të gjithë ata që nuk bëhen analfabetë të Kushtetutës për qëllime të paqarta, është caktuar se zv.kryetari zgjidhet nga Parlamenti. Po këtë e përcakton edhe vendimi i GJ i vitit 2006", tha kryeministri.

"VISHA, KANDIDATI I TOPIT"
Berisha tha më tej se Ardian Visha ishte kandidati i mbështetur nga presidenti Topi.
"Për qëllime të errëta kërkon të përmbysë Kushtetutën. Pasi humbi dhe Vishon e tij, kërkon të shkelë mbi çdo ligj. Mazhoranca do të respektojë institucionin e Presidentit. Zoti Topi do ta mbyllë ditë më ditë mandatin e tij", tha Berisha.

"NDRYSHIMET NË QEVERI?  MINISTRAT NUK JANE KUAJ"
Kryeministri Berisha i pyetur për ndryshime të mundshme në qeveri i ka mohuar ato.
“Qeveria ime nuk është stallë hipodromi dhe kabinetet nuk janë kuaj. Nëse i përgjigjesh përgjegjësi dhe mandatit atëherë je i sigurtë dhe nuk të përcakton pasioni për koka turku apo dufet e të tjerëve. Qeveria kaloi testing më të shkëlqyer më 8 maj 2011”, tha Berisha.

AKUZAT PËR INTEKONJEKSIONIN TIRANË - KOSOVË
Kryeministri komentoi akuzat ndaj tij për lidhje me mafien serbe.
“Djali im i ka dhënë sot përgjigje të qartë. Kjo ishte një klithmë e rradhës e mafies së dëshpëruar, sepse ajo s’ka as atdhe dhe as fytyrë. Mafia ka fytyrën e krimit dhe trofenë që placket. Në rastin konkret janë përgjigjur sot edhe OST dhe ERE. Ofertat që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST, mendon se duhet të fitojë. Ministria e financave nuk pranon një borxh prej 10 milion dollarë më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër. Unë di që ka patur një ankesë në Këshillin e Ministrave. Ai ka bërë kontrollin dhe ka marrë vendimin që ia ka përcjellë autoritetit kontraktues. Firmës boshnjake i është thënë: Për arsye se vendi yt nuk ka njohur Kosovën nuk mund të marrësh pjesë në tender”, tha kryeministri.

Kryeministri tha se qeveria nuk është autoritet kontraktues pasi është i përjashtuar nga ligjet e reja. “Natyrisht qeveria, ministrat, janë gardianë të interesit publik. Iniciator kryesor i linjës Tiranë-Prishtinë është Sali Berisha. Kërkova unë para pesë vitesh financimin e kësaj linje. Kanë bërë studimin, kam qëndru prapa, dëshirat i kam të mëdhaja por ligjet janë ligje. OST konstaton se diferenca është rreth 30%. Këto vërtet janë para, kredi e Bankës gjermane për Zhvillim por është borxh ama. Garancinë sovrane të tij e ka Ministria e Financave”, theksoi Berisha

"RAMA HUMBES I PERJETSHEM"
Në vijim të fjalës së tij para gazetarëve Kryeminsitri Sali Berisha tha se rezultatet e fundit tregojnë se kryesocialistin Edi Rama e votojnë 40% e socialistëve por shtoi se Sali Berishën e votojnë 90% e demokratëve”.
“Ajo që është më e tmerrshmja është se 85% e socialistëve votojnë Lulzim Bashën dhe kjo sipas exit-pole të bërë për pozitën e liderit, duket se kjo vjen pasi Edi Rama nuk merret me qytetarët në udhëheqjen e tij, ndërsa mua më intereson qytetari e pastaj vota”, u shpreh Berisha.
Në këtë linjë ai tha se me zgjedhjet e kaluara maxhoranca kaloi një test të shkëlqyer.


PRESIDENTI I RI, NJË EMËR NGA PD
“Presidenti do të jetë një ndër personalitetet e shquara të Partisë Demokratike. Tani po bëhen diskutime, kandidati për President, jo të jetë pa parti, jo të jetë as i majtë e as i djathtë. Kjo teori i përmbys në zgjedhje. Ai që e reklamoi për dy vite rresht nuk e përdor më këtë teori”, tha kryeministri lidhur me pauesin e Bamir Topit.

VIZITA NË AFGANISTAN
"Po të mos ishte festa e Pashkës do kisha qëndruar edhe të djelën në Afganistan, pavarësisht trazirave në Kabul. Jam kthyer vetëm për festën", tha Berisha.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?