Tashmë që nisma ligjore e mazhorancës për të lënë jashtë politikës të gjithë ata politikanë të cilët rezultojnë të kenë qënë spiunë të Sigurimit të Shtetit dhe që janë shpallur “non grata” nga SHBA e Britania e Madhe ka marrë rrugën drejt Parlamentit për miratim, situata në kampin e opozitës është tejet e vështirë.
Duke shtuar këtu dhe nismën ligjore të grupit të deputetëve të PD që përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj, për dokumunistizimin e politikës shqiptare, nismë e cila është e garantuar që votohet dhe nga socialistët në pushtet, duke i dhënë formën ligjore, situata bëhet “dubël” e rëndë te dy partitë më të mëdha të opozitës, demokratët dhe Partia e Lirisë.
Pasi këto dy nisma ligjore godasin në mënyrë të drejtëpërdrejtë krerët e dy partive, përkatësisht Sali Berisha dhe Ilir Meta. I pari “non grata” dhe ish zyrtar i lartë i PPSH dhe i dyti sëpaku deri më tani, i konfirmuar si ish spiun i Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste. Pra ligji ose nuk i lejon të kandidojnë për deputetë Berishën e Metën, ose nëse kanë mandatin e deputetit do të duhet ta dorëzojnë në mënyrë urgjente atë.
Në një vend normal me demokraci normale e funksionale, kostoja që mund të vinte nga penaliteti politik i liderit të një partie, do të ishte e vogël, pasi një subjekt politik funksionon përmes institucioneve dhe do të zëvendësohej menjëherë duke vijuar aktivitetin normal partiak.
Por në Shqipëri partia është kryetari, i cili e konsideron dhe e përdor atë si pronë të tij dhe sikur e ka marrë me ‘tapi’, anipse mund të shkëputet disa vite nga drejtimi. Apo mund të jetë dhe parti familjare, dhe drejtimi i saj është një “qark i mbyllur” brenda familjes.
Kështu ka ndodhur dhe me PD dhe me ish-LSI, tani Partia e Lirisë. PD konsiderohet parti e Sali Berishës, ‘pronë’ e tij, aq sa pas gati 9 vitesh në pension politik, në prapaskenë, në një moment të caktuar, pas shpalljes “non grata” familjarisht nga SHBA, ia doli që të dëbojë Lulzim Bashën nga drejtimi zyrtar dhe të merrte vetë kreun e PD.
Pavarësisht se aleatët tanë të mëdhenj deklaruan dhe realizuan “karantinimin” e Berishës dhe të PD nëse do udhëhiqej nga ai, kreu demokrat vijon dhe sot e kësaj dite ta ketë drejtimin real të PD, qoftë dhe me koston e një çështjeje në gjykatë me Alibeajn apo izolimin e thellë ndërkombëtar, sa askush nuk e ka njohur si kryetar partie. Madje nuk i japin as dorën fizikisht.
Sali Berisha duke shfrytëzuar në maksimum ‘aliazhin’ kryetar-parti, ia arriti që hallin e tij personal, pra “non gratan” nga SHBA dhe Britania, ta kthente në një hall të PD dhe për pasojë ta përdorë partinë si mburojë për mbrojtjen nga presioni i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Por dhe ndaj drejtësisë shqiptare, e cila njëherë do të forcohet dhe marrë guximin në fillim për t’i artikuluar emrin Berishës, dhe pasi ta kenë përsëritur me vete disa kohë të “trimërohen” dhe të zbatojnë ligjin dhe funksionin për të cilin janë ngritur, për ta marrë nën hetim për dosjet e rënda që ka në ngarkim, gjatë 32 viteve në pushtet dhe opozitë.
Dhe këto dosje s’janë pak, duke filluar që nga kontrabanda e naftës me Milosheviçin në kulmin e embargos së vendosur nga OKB duke e thyer atë, firmat mashtruese piramidale, shkatërrimin e shtetit nga themelet në mars 1997 që për pak na çoi në luftë civile. Por dhe grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit 1998 apo tentativën e pushtimit të komisariateve dhe përpjekjen e dytë për grusht shteti në vitin 2000, aferën 230 milionë euroshe të “Rrugës së Kombit”, shpërthimin e biznesit të djalit të tij në Gërdec, ku humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës me 21 janar 2011 përballë kryeministrisë nga Garda e Republikës, shitjen e “detit” Greqisë, aferën 500 milionë euro të CEZ-Dia dhe një sërë dosjesh të tjera të rënda korrupsioni dhe krimi.
Në të njejtin hall është dhe Ilir Meta, i cili sapo doli nga Presidenca, ku dha shembullin më të mirë se si nuk mund të jetë një kryetar shteti me shkeljet kushtetuese që realizoi në 5 vite, shkriu për një orë LSI-në, duke tentuar të mbyllë tërë “mëkatet” e gjithë viteve me këtë zhdukje nga skena politike të këtij subjekti politik klientelist, dhe krijuar Partinë e Lirisë, nën drejtimin e tij.
Për një orë u bë kjo punë, duke treguar qartë se kjo parti është tërësisht pronë e tij, është një parti familjare, e treguar edhe më parë me LSI, kur kalonte herë në drejtimin e bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe herë në dorën e tij.
Edhe Ilir Meta, i dalë nga “binarët” normale politikë dhe njerëzorë, sidomos pas daljes nga Autoriteti i Dosjeve i emrit të tij si ish spiun i Sigurimit të Shtetit, nuk ka asnjë dyshim se Partinë e Lirisë e ka tërësisht të tijën, bën çfarë të dojë me të, artikulon akuza nga më të ndryshmet sipas shijeve dhe humorit të tij, emëron dhe shkarkon kë të dojë. Pra një “aliazh” kryetar-Parti.
Meta e përdor PL për t’u mbrojtur nga presioni ndërkombëtar, madje duke guxuar dhe të sulmojë SHBA e BE sikurse bën Berisha, duke artikuluar teza revolucionare që nga stepat e Lindjes e deri tek regjimet e Amerikës Latine apo Afrikës, kundër ndikimit amerikan. Vetëm e vetëm për hallin e tij, duke bërë kauzë të Partisë së Lirisë hallin e tij personal, dhe përdorur si mburojë për të mbrojtur veten dhe familjen përballë partnerëve por dhe përballë drejtësisë shqiptare.
Dhe Ilir Meta ka shumë akuza mbi kurriz që herët apo vonë do të hetohen nga drejtësia. Duke filluar nga koha e “rinisë” së tij politike dhe biologjike, kur drejtonte qeverinë, me abuzime nga më të rëndat me pushtetin e deri te akuza për vjedhjen e floririt në Krrabë.
I referohemi deklaratave të Berishës për këtë akuzë, ndërkohë që sinjalet nga bankat e Londrës, në mënyrë indirekte kanë konfirmuar akuzat e aleatit të tij të sotëm demokrat, se floriri e paratë e abuzimit me arkën e shtetit janë depozituar në këto banka dhe “parajsat fiskale” të vendeve të Komonuellthit. Shtuar këtu dhe akuzat për lobim me para të pajustifikuara apo operacione plastike dhe ngushtim stomaku që arrijnë në vlera marramendëse deri në gjysmë milioni euro. Të dy bashkë me Monikën kuptohet, janë “meremetuar” estetikisht dhe fizikisht.
Për të vijuar me aferën e CEZ-DIA bashkë me Berishën, kapjen me “bllok” në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro, fakte të dala nga video-përgjimi i ish ministrit të ndjerë të LSI Dritan Prifti. Apo akuza të tjera të hedhura nga Berisha dhe deputetë të tjerë të PD për vrasje me pagesë e vrasje politike, për pastrim parash, trafik fëmijësh dhe femrash e deri tek akuza të tjera më të rënda, që në një vend me drejtësi normale duheshin hetuar me kohë dhe me vakt.
Pra opozita e drejtuar nga liderët Berisha dhe Meta ndodhën përballë goditjes së fortë politike, atë të përjashtimit nga politika përmes ligjit kundër ish spiunëve të Sigurimit të Shtetit, ish zyrtarëve të lartë të lartë të PPSH e shpalljes “non grata” dhe goditjes ligjore për zullumet e shumta të kryera gjatë ushtrimit të pushtetit, të kopsitura në dosjet e rënda të cilat ne i cituam.
Synimi i Berishës dhe Metës, për këtë po përpiqen me të gjitha mënyrat duke dalë madje dhe dy herë në ditë para mediave dhe lëshuar deri akuza nga më fantazistet, është që të jenë të goditur politikisht, qoftë dhe përmes ligjeve që i lënë jashtë sallës së parlamentit apo ngjitjes në poste kryeministrore dhe ministrore.
E kanë kollaj të justifikohen para militantëve dhe mbështetësve të tyre, duke e përdorur goditjen politike si një alibi për humbjen e garantuar në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm apo ato parlamentare në vitin 2025.
Fundja Berisha dhe Meta parti me format të vogël duan jo për të pretenduar ardhjen në pushtet por vetëm e vetëm që t’i mbrojnë nga më e rënda, futja në burg jo për hesape politike por për abuzim me pushtetin, apo e thënë në gjuhën më të thjeshtë popullore, për vjedhjen monstruoze të parave të shqiptarëve. Janë akuzuar ndërkombëtarisht për këtë, Berisha u shpall “non grata” për korrupsion të lartë. Ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Luan Hoxha është “zbërthyer” me sa duket në SHBA ku është në azil politik nga kërcënimi i Shkëlzenit, dhe ka folur për skandalin e punishtes së demontimin të municioneve në Gërdec apo dhe trafikun e armëve. Gjendet dhe ekspertiza e armëve të Gardës me të cilat u krye vrasja më 21 janar, e cila nuk është çudi të vijë “paketë” nga FBI në Tiranë.
Ndërsa për Metën “malorja” ka filluar që me “pendimin” e ish sekretarit të tij që mbante dhe postën diplomatike, Almir Rrapi i arrestuar në derën e ambasadës amerikane dhe ekstraduar në SHBA, i akuzuar si pjesë e grupeve kriminale më famëkeqe në SHBA. Nuk ka asesi të shmangej emri i Metës në dëshminë e tij të “pendesës”, apo dhe dalja nga burgu i Kastriot Ismailajt, ish kreut të kompanisë DIA, e ngritur me “bekimin” dhe lobimin e Metës për mbledhjen e borxheve të këqia të CEZ, që dyshohet se “hëngri” dhe kokën e një ambasadori në Pragë dhe një drejtori të lartë të METE. Ismailaj mund të flasë edhe më tepër, ndonëse mund të jetë “zbërthyer” thellësisht para drejtësisë. Eshtë i rrezikuar shumë Meta.
Ndaj bashkë me Berishën i mëshojnë fort idesë së goditjes politike, për të bërë më pas viktimën politike dhe për ta kaluar politikisht “pagesën” për të gjitha zullumet e këtyre 32 viteve. Me qëllimin e vetëm, shmangjen e përballjes me drejtësinë për dosjet e rënda të abuzimit me pushtetin apo dhe krimeve që kanë mbi shpinë. E dinë dhe vetë se e kanë “qelbur” fare dhe ligji i penalizon.
Pavarësisht se dhe sot Berisha kërcënoi Ramën se “le të guxojë po ia mbajti” apo Meta po një orë më vonë e kaloi përmes shprehjeve banale miratimin e këtyre ligjeve anti-spiun, anti-sekretar PPSH dhe anti-non grata, ata shpresojnë se nëse goditen politikisht, nuk do të goditen nga ana ligjore. Sipas postulatit të kahershëm shqiptar se “rrufeja nuk godet dy herë në të njejtën… pemë”.
Të shohim si do të veprojë drejtësia e re, sa “guxim” ka marrë nga vizitat në SHBA dhe takimet me homologët e tyre atje apo nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë. Në mos të shohim nëse kanë marrë ndonjë dosje me vete prej andej. Kuptohet, dhe për të qënë në rregull me “shokët e lagjes” në Gjirin e Lalzit, pasi e kanë në majë të gjuhës justifikimin: “Na detyruan amerikanët, madje na dhanë dhe provat e fakte, të kopsitura në dosjet e plota”, nuku kemi se çfarë të bëjnë e nga t’ia mbajmë”. E bëjnë këtë.
Shqiptarëve nuk u intereson mënyra apo stili i dënimit nga drejtësia, shqiptarët duan që të marrë fund pandëshkueshmëria në këtë vend, dënimin e maskarenjve politikë dhe kthimin e parave të vjedhura në arkën e shtetit. Kemi kërkesa minimaliste ne shqiptarët. Por herë herë i japim vetes dhe të drejtën që të ëndërrojmë. Me shpresë se do dalë e vërtetë!