Rikthimi i Lulzim Bashës në politikën aktive në këtë situatë të turbullt në të cilën gjendet PD dhe opozita pas humbjes së thellë në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj përballë mazhorancës së Edi Ramës, ka trazuar ndjeshëm politikën shqiptare. Mjaftoi një takim i Bashës me të rinjtë demokratë dhe deklaratat e tij se 14 maji është data e fundit e skadencës së politikës së vjetër, duke kërkuar prej të rinjve besim për ta rikthyer politikën opozitare drejt qytetarit dhe Perëndimit, që të fillonin reagimet e forta ndaj tij.
Në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale, sidomos ato afër Berishës dhe Metës, shpërthyen sulmet e ashpra ndaj ish kreut të dorëhequr të PD, duke e akuzuar si një të dështuar politik, pa lënë mënjanë dhe akuzën më të hershme se po i shërben Ramës me këtë rikthim në politikën aktive.
Tensioni në kampin e opozitës është akoma më i madh dhe sepse pas humbjes së thellë në zgjedhjet për pushtetin vendor, PD zyrtare është ende pa drejtues, as të komanduar, ndërkohë që pozitat e Berishës në krye të “Rithemelimit” që hyri në këto zgjedhje nën siglën e Partisë së Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta, janë shumë të lëkundura.
Nuk rrezikohet pozicioni i Berishës në krye të grupimit më të madh në PD, të kuptohemi. Ai është ‘pronari’ i kësaj pjese mbështetësish në këtë parti, të ‘stacionuar’ tek Rithemelimi, por lëkundja e pozitave të Berishës ka ardhur te qytetarët, për shkak se me humbjen e ‘bastioneve’ të PD më 14 maj, Shkodrën dhe Tropojën, është krijuar bindja se as Doktori nuk është në gjendje të mundë Edi Ramën. Këtë e pranojnë dhe zyrtarë të lartë të “Rithemelimit”. Për më tepër që është krijuar bindja se Rama fiton sa kohë Berisha e kryeson “Rithemelimin”.
Duke qenë se demokratët nuk e shohin Berishën ‘non grata’ si një mundësi që të bashkojë të gjitha copat e PD dhe si një mundësi për të sjellë opozitën në pushtet, dalja e Bashës në këtë situatën krize të thellë për demokratët dhe opozitën, ka riaktivizuar të gjithë ‘burimet njerëzore’ të kreut të Rithemelimit, por dhe të Partisë së Lirisë, për të sulmuar Bashën duke e akuzuar si një humbës kronik, mashtrues, besë-prerë, tradhtar, të paaftë, që ka qëndruar një vit në heshtje pa asnjë kontribut politik, dhe që tashmë kërkon të rikthehet në krye të PD. Qoftë dhe zyrtare.
Të mërkurën panelet televizive, edicionet e lajmeve kishin të ftuar pikërisht këtë kontigjent njerëzish që sulmonin Bashën me të gjitha bateritë. Madje dhe Berisha doli sot, para selisë së Kuvendit dhe akuzoi Bashën me të njëjtin fjalor si mbështetësit dhe vartësit e tij, një ditë më parë, duke treguar qartë së është ai frymëzuesi dhe urdhëruesi i këtyre sulmeve. Që të kuptohemi, një pjesë e akuzave për ish kreun e PD dhe ekzistojnë, por ajo që dihet është se sa kohë drejtohej nga Basha, PD kishte rezultat më të mirë se sa ai që mori koalicioni “Bashkë Fitojmë” i udhëhequr nga Berisha-Meta dhe PD e udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, të gjitha këto bashkë më 14 maj.
Ky është fakt, shifrat janë kokëforta, ndonëse Basha sulmohej se po lufton vetëm për vendin e dytë dhe jo për të qënë parti e parë që të marrë në dorë qeverisjen e vendit. Kjo është dhe çështje takati, frymë dhe karizme, gjëra të cilat për hir të së vërtetës Basha i ka me pakicë. Por dhe drejtuesit aktualë të opozitës nuk është se treguan forcë, madje e ‘zhytën’ më tej opozitën.
Me dorëheqjen e Alibeajt si kryetar i komanduar i PD zyrtare pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore, rezultat i të cilës është dhe pozicionimi i partisë së parë opozitare, asaj që mban siglën dhe logon e PD në vendin e tretë, si dhe marrjen e drejtimit të grupit parlamentar nga Gazment Bardhit, është shtuarr akoma më shumë ambicia për kreun e kësaj partie. Pa dalë me deklarata nga vetë të lakuarit në media.
Teksa Alibeajn e kanë pozicionuar në krahun e Bashës, është akoma në ‘fuqi’ në ‘terminolgjinë’ e opozitës jashtë siglës dhe vulës epiteti “Alibasha” dhe që deri më tani nuk ka asnjë deklaratë kundër tij nga ana e ish kryetarit të komanduar të PD por dhe asnjë ‘silurim’ kundër rikthimit tij në pozicionin që ka pasur dhe e ka me ‘letra’ Basha, me sa duket ‘flamurin’ e kundërshtimit të rikthimit të Bashës në krye të PD, nga formacioni zyrtar i kësaj partie, e ka marrë Bardhi. I cili në fushatën zgjedhore mbështeti kandidatët e “Rithemelimit” të Berishës.
Bardhi të mërkurën ka marrë të gjitha televizionet me radhë për të shpjeguar se pse nuk duhet të ngjitet Basha sërish në krye të PD, ku një ndër argumentet më të fortë të tij është se Bashën e ka provuar partia në krye dhe për më tepër është pjesë e krizës në PD. Bashkë me Berishën. Dhe këtu ka gjithë të drejtën e Zotit ta mendojë dhe ta thotë me zë të lartë. Pasi PD u shkatërrua për hallin personal të Berishës që u shpall ‘non grata’ nga SHBA e më pas Britania e Madhe, dhe u përjashtua nga Basha nga grupi parlamentar dhe më pas nga partia, por dhe nga paaftësia e Bashës që u ‘zgjua’ pas 10 vitesh, pra shumë vonë për të bërë kryetarin.
Por PD u nda dhe pse Basha u përfshi në një përplasje ‘epike’ me Berishën, përplasje të cilin e menaxhoi shumë keq, dhe që i ‘dhuroi’ të gjitha, që nga strukturat paralele, dy kuvendet kombëtare, dy kryesi, dy grupe parlamentare, dy Këshilla Kombëtarë, me ‘prelud’ sulmin me qysqi, varre dhe mjete të tjera rrethanore nga Berisha e mbështetësit e tij ndaj selisë së blinduar nga Basha të PD për ‘pushtimin’ me dhunë të saj. ‘Pushtim’ që u realizua paqësisht pas rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki më 6 mars 2022, kur fitoi “Rithemelimi” plus Meta. Dhe që u vulos në Apel, teksa vendosi që vula e logo nuk i takonin Berishës. Pra dhe Basha, si Berisha, është pjesë e krizës dhe jo zgjidhja në PD.
Tashmë problemi është zgjedhja e një lideri që do të bashkojë gjithë demokratët, nga PD zyrtare deri tek “Rithemelimi” ndërkohë që janë ‘zgjuar djajtë’ në këtë parti, duke sjellë copëzimin e mëtejshëm dhe të asaj që ka mbetur nga PD, thjeshtë dhe vetëm për hir të luftës për pushtet tek një opozitë që po lufton vetëm për vendin e dytë, pasi të parin e ka ‘hipotekuar’ me kohë dhe vakt Edi Rama. Secili po lufton për të marrë një pozicion lideri, duke e rrënuar më tej PD-në.
Në njërën anë është Berisha ‘non grata’ i cili ka interes jetik për të mbajtur drejtimin qoftë dhe të një grupimi të zvogëluar politik pa ambicie ardhjeje në pushtet, siç është “Rithemelimi’, thjeshtë e vetëm për hallin e tij personal. Ndaj nuk do që PD të bashkohet, dhe bën thirrje dhe për partinë zyrtare që të dorëzojë vulën dhe logon dhe anëtarësia e saj të bashkohet me grupimin e tij. Gjë që e di se s’bëhet kurrë në këtë mënyrë. Dhe këtë ‘bashkim’ Berisha e kërkon me kushte, e do pa Bashën e Alibeajn brenda, një sinjal ky që lideri historik nuk e do hapjen dhe zgjerimin e partisë, me të gjithë asetet e saja të bashkuara në një të vetme.
Në anën tjetër qëndron kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili bashkohet me Berishën nga inati që ka për Bashën, por dhe për shkak se i volit një situatë e tillë për të qënë ai gjithnjë drejtues zyrtar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” apo si do ta ketë emrin në të ardhmen. Fundja nuk i ka dalë keq më 14 maj. E themi këtë sepse ka marrë gati gjysmën e anëtarëve të këshillave bashkiakë Partia e Lirisë, thjeshtë dhe vetëm nga futja nën ‘strehë’ e saj të “Rithemelimit’ të Berishës. PL ishte e bindur se rezultati për kryetar bashkie do të ishte katastrofë për koalicionin sikurse dhe ndodhi, ndaj paraqiti kandidatë me pikatore. Në dy tre bashki të vogla në rang vendi të themi.
Dhe në mes si ‘pykë’ është Bardhi, për të cilin nuk besojmë se e çon nëpër mend që të garojë për postin e kryetarit të PD zyrtare, pasi fundi i kësaj partie dihet. Nuk ka ‘stof’ lideri Bardhi, dhe gjithkush që guxon ta imagjinojë Bardhin përballë Ramës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, do ta quanin guximtarin më të madh, për të mos thënë utopistin më të madh. Puna e liderit është dhe çështje karizme, fryme por dhe këllqesh, që nuk gjenden tek Bardhi.
Pjesa tjetër është histori te PD, ku nuk gjen një njeri që t’i vësh gishtin për të ringritur këtë parti, që po shkon me shpejtësi drejt shuarjes. “Rithemelimi” e kemi theksuar është “në të zezë’, nuk ekziston juridikisht askund. Madje dhe paratë e zgjedhjeve të 14 majit do t’i marrë PL e Metës, dhe varet nga humori i ish presidentit, nëse do të ndajë ndonjë lek për Berishën. Të cilit gjithsesi nuk i kanë munguar kurrë paratë. Për të bërë dhe fushatë dhe aktivitete milionerësh pa e treguar kurrë burimin. Thotë se janë mbështetës demokratët, të cilët kanë ‘prerë thumba’ tash 10 vite në opozitë në pushtetin qendror dhe shumë e shumë vite në atë vendor. Pra janë të ‘shkundur”.
Po lakohet shpesh një emër, Majlinda Bregu e emëruar në postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, nga ministrat e Jashtëm të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore. Shihet si një figurë e kompletuar, me mbështetje nga partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë që mund t’i sigurojë opozitës vokacionin perëndimor dhe bashkëpunimin me SHBA dhe BE, por dhe me mbështetje te të gjitha palët tek opozita e sotme shqiptare.
Por këtu ka një problem. Nëse do të pranojë vetë Bregu të bëjë një lëvizje të tillë dhe e dyta, nëse palët e interesuara tek opozita do të donin Bregun si lidere të PD dhe më pas gjithë demokratëve të bashkuar. Pasi halli personal i Berishës është me SHBA, Britaninë dhe BE por dhe drejtësinë shqiptare dhe i duhet me patjetër ai post drejtues në grupimin më të madh në PD. Ose më e pranueshmja u duhet një i ngjashëm me veten, që të jetë anti-amerikan funksional, pozicion që Bregu nuk e ‘gëzon’. Ky është problemi. Aq më tepër që ka ambicje si nga ish kryetari Basha për të marrë drejtimin e PD, ashtu dhe nga grupimi i Bardhit, për të pasur një njeriun e tyre në krye të partisë zyrtare. Janë pengesa këto të gjitha, veç e veç por dhe të marra sëbashku.
Por për momentin palët e interesuara tek opozita janë në unison për të ruajtur këtë gjendje në të cilën ndodhen, dhe i kanë përqëndruar të gjitha sulmet tek Basha, që me daljen e tij të parë publike, në një takim me të rinjtë e FRD, trazoi opozitën shqiptare. Duke sjellë dhe drejtimin e të gjitha shigjetave goditëse kundër tij, me të gjithë arsenalin e mundshëm.
Atëherë pse tremben kaq shumë nga Basha, teksa e cilësojnë një dembel dhe humbës funksional. Madje dhe të shitur tek Rama?
E vërteta e kulluar është se të gjitha palët me ambicie tek opozita mendojnë se pas Bashës zgjatet ‘hija’ e partnerit tonë më të madh, mbështetësit kryesor të Shqipërisë, SHBA. Mendojnë se Basha mbështetet nga SHBA, BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të marrë drejtimin e opozitës dhe për t’i dhënë asaj orientimin Perëndimor.
Mendojnë se SHBA, që i kërkoi Bashës përjashtimin e Berishës ‘non grata’ nga grupi dhe më pas nga PD, duke sjellë dhe penalizimin e ish kreut të PD, të cilin e dëbuan ga drejtimi i partisë dhe politika aktive, ku ka qëndruar i heshtur për një vit rresht pa u përzier, s’mund ta lënë atë nën ‘këmbën’ e Berishës, i cili e ka kthyer grupimin më të madh në PD një celulë anti-amerikane dhe anti-Perëndim.
Nuk është se mendojnë gabim, pasi Basha e gëzon mbështetjen e SHBA, të Britanisë dhe BE, dhe kjo i bën të besojnë se pas rikthimit të Bashës qëndron ‘hija’ e SHBA që e mbështet, për ta nxjerrë PD dhe opozitën nga ndikimi i së shkuarës në vend, dhe lëvizur nga anti-amerikanizmi.
Ndaj është e drejta jonë të shtrojmë pyetjen: Drejtuesit aktualë të opozitës i trembi rikthimi i Bashës në politikën aktive dhe ambicia e tij për të drejtuar sërish PD-në, apo ‘hija’ e SHBA që ata besojnë se ndodhet pas tij dhe skemës për marrjen e drejtimit të PD nga ana e ish kryetarit?
Kjo mbetet për t’u parë në vijim. Ajo që dimë është se me këtë situatë të krijuar, kur zgjidhja nuk duket në horizont, shuarja e PD po ndodh dhe më shpejt sa e ishte paralajmëruar. Pra PD po e përfundon misionin e saj. Keqardhja vjen për demokratët dhe opozitarët në përgjithësi, të cilët mbetën rrugëve, pa asnjë shpresë se një ditë partia që ata mbështetën, do të jetë një alternativë pushteti.