Shëndeti

Berishës 'qytetari dixhital' i thotë se po bëjnë vaksina të skaduara, reagon ashpër ISHP: E turpshme dhe aspak e vërtetë

14 Tetor 2021, 22:14| Përditesimi: 14 Tetor 2021, 22:15

  • Share

Sali Berisha ka përhapur panik ditën e sotme në lidhje me procesin e vaksinimit duke thënë se janë të skaduara. Duke u fshehur pas qytetarit dixhital, Berisha shkruan në facebook se në qendrat e lëvizshme të vaksinimi po përdorën vaksina Pfizer të skaduara.

"Stop përdorimit të vaksinave të skaduara! Qytetari dixhital denoncon krimin e vaksinimit me vaksina të skaduara. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij. sb

Përshëndetje Dr. Të uroj shëndet në radhë të parë familjarisht të më jesh mirë. Jam nga Përrenjasi sot kam bërë vaksinën dozën e dytë Pfizer, mirëpo pasi e bëra unë konstatova se vaksina më duket e skaduar sipas muajit që ka në flakon. Tani kjo qeveri çfarë sigurie na jep që na bën vaksina të skaduara. Jam bërë shumë nuk kemi ku të qajmë hallin prandaj po të shkruaj dhe po ta çoj dhe foto vaksinën. Dhe më fal për shqetësimin, sot më datë 14 .10 . 21 e bëra", shkruhet në postimin e Berishës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Institutit të Shëndetit Publik duke i cilësuar lajme të tilla të turpshme dhe të pavërteta. ISHP sqaron se edhe në qendrat e lëvizshme të vaksinimit, vaksinat monitoron dhe kalojnë në filtër për datën e skandencës. ISHP garanton qytetarët që vaksinat janë të sigurta dhe se metodat primitive nuk do e ndalin procesin jetik të vaksinimit.

"Në vijim të procesit të monitorimit dhe adresimit tê situatës së Pandemisë COVID-19, pjesë e së cilës është dhe vaksinimi masiv i popullatës që vijon me intensitet dhe përgjegjshmëri në të gjithë territorin e vendit, pa u ndalur asnjë ditë, në qendrat e  vaksinimit masiv, qendrat shëndetësore, në komunitet, derë më derë dhe pranë universiteteve, ju bëjmë me dije se  të gjitha vaksinat e ardhura vijojnë të kalojnë në filtrin rregullator dhe monitorohen me rigorizitet  për datën e  skadencës.Çdo përpjekje për të krijuar kaos me TË PAVERTETA për çeshtjen e skadencës së vaksinave është një mënyrë primitive për të penguar procesin e nevojshëm/ jetik dhe të pandalshëm të vaksinimit.Persa i përket monitorimit edhe të skadencës, vaksinatorët janë mirëfilli të trajnuar.Kjo nuk është fushata e parë e vaksinimit, programi kombëtar i vaksinimit është një nga vlerat e rëndësishme të sistemit shëndetësor publik, prandaj ne kemi garancinë e procesit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të vijojnë me vaksinimin si zgjidhja e vetme për t'i dhënë fund pandemisë! Vaksinohuni! Respektoni masat e parandalimit të infeksionit!", shkruhet në reagimin e ISHP-së.

Postimi i Sali Berishës

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?