Bota

Berlusconi bëhet 'ylli më i ri' në Tik-Tok, bën fushatë elektorale tek të rinjtë

3 Shtator 2022, 15:13| Përditesimi: 3 Shtator 2022, 18:48

  • Share

Në moshën 85-vjeçare, ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi i është bashkuar TikTok-ut, duke kërkuar së bashku me liderët e tjerë politikë të Italisë që të tërheqin votuesit më të rinj në moshë, të cilët rrezikojnë të abstenojnë në zgjedhjet e përgjithshme më vonë këtë muaj.

"Përshëndetje djema, ja ku jam! Mirë se vini në kanalin tim zyrtar TikTok!", tha ish-kryeministri dhe miliarderi Berlusconi, në videon e tij debutuese në rrjetin e mediave sociale që njihet më shumë për video kërcimesh dhe përdoret kryesisht nga adoleshentët dhe influencierët.

Berlusconi është filmuar në video i ulur pas një tavoline, i veshur me kostum dhe kravatë duke bërë thirrjen e tij kundrejt të rinjve. Që nga e premtja, videoja ka marrë gati 500 mijë “pëlqime”.

Një video e dytë pasoi me shpejtësi, me Berlusconin ende me kostum, por të ulur në një karrige dhe duke treguar një shaka që përfshinte presidentin rus Vladimir Putin, presidentin e SHBA Joe Biden dhe Papa Françeskun.

Të dyja përfunduan me lëvizjen e kokës nga njëra anë në tjetrën në kohë për të thënë lamtumirë "në Tik Tok", një gjest që duket i destinuar për t’u bërë viral. Fushata për zgjedhjet parlamentare në Itali nisi zyrtarisht në fund të korrikut, kur qeveria e kryeministrit Mario Draghi u shemb. Fushata është kryer kryesisht në mediat sociale deri më tani, pasi pjesa më e madhe e vendit po shijojnë pushimet e tyre tradicionale verore në gusht.

Sipas një sondazhi të publikuar muajin e kaluar nga media dixhitale Open Online, vetëm gjysma e italianëve të moshës 18-35 vjeç planifikojnë të votojnë më 25 shtator. Berluskoni po kërkon të kthehet në pushtet pothuajse një dekadë pasi u detyrua të largohet pas një mashtrimi me tatimet.

 

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?