Fshati Çellopek në Komunë e Bërvenicës, mund të quhet pa hezitim, “fshati i nuseve shqiptare”. 70 vajza, kryesisht nga veriu i Shqipërisë, kanë zgjedhur ta kalojnë jetën me maqedonas. Të njohur me mblesëri, një pjesë e grave shqiptare kanë arritur të përshtaten e të krijojnë familje, ndërsa pjesa tjetër janë detyruar t’i nënshtrohen fatit të tyre, i cili u ka shkuar jo siç u ishte premtuar.
Report Tv udhëtoi drejt Komunës së Bërvënicës për të sjellë histori të përditshmërisë së nuseve shqiptare, që në pak raste e kanë ruajtur edhe shtetësinë shqiptare, por në pjesën dërrmuese, atyre u është mohuar një e drejtë e tillë. Madje edhe fëmijëve të tyre, të cilëve as që u lejohet të flasin shqip.
Mirën e takuam pranë kishës së Çellopegut, në Komunën e Bërvënicës. Fatmirësisht, jeta që ajo bën, i ka tejkaluar ato që kishte ëndërruar, duke u bërë një grua e pavarur dhe me familje të shëndetshme. Gruaja nga një fshat i Shkodrës është priftëresha e fshatit dhe ka 4 fëmijë.
“Ne jemi njohur, një shok i babait ka jetuar këtu në Tetovë dhe erdhi për mysafir atje në Shkodër dhe u njohëm atje. Pas disa kohëve erdhi edhe burri im për të shëtitur, për të parë Shqipërinë. Ne u njohëm atje. Për shumë kohë të shkurtër, për gati 2 muaj, unë erdha në Tetovë. Ne kemi tani 16 vite që jemi këtu në Tetovë, jam e martuar. U njohëm me familjen, bëmë një dasmë shumë të bukur me familjen e tij. Erdhi edhe familja ime aty. Shumë mirë. 17 vite, kam 4 fëmijë, 2 vajza dhe 2 djem. E kisha shumë të vështirë kur dëgjova gjuhën, gjuha dukej shumë e vështirë, por faleminderit burrit, familjes së burrit, shumë më kanë ndihmuar, më kanë pranuar shumë si familje. E kam mësuar shumë, shumë mirë, shumë shpejt. Jam krejt e kënaqur, nuk e di. Shumë shpejt kam filluar punë, kam disa vite që punoj. Kam punuar në firmë të madhe, kam qenë sipërmarrëse e firmave. Jam adaptuar me gjuhën, me vendin, me njerëzit, komunikimet shumë të mira”, tha Mira.
Bashkëshorti i saj prift, ka rastisur të jetë njeri i shkolluar dhe nuk e ka penguar Mirën as që të shkollohet, as që të punojë, e as që të jetojë një jetë të lirë.
“Bashkëshorti im, këtu i thonë, ky është ortodoks, ky është prift. Këtu te ne, këtu në Maqedoni, prifti më parë duhet të martohet për të krijuar familje, që t’i japin punën. Ka shumë shkollë, di shumë gjuhë, është shumë mirë. Edhe unë e kam pranuar fenë. Unë kam qenë katolike në Shqipëri. Para se të martohesha, kur vura kurorën në kishë, edhe unë e pranova fenë e tij. Tani unë jam ortodokse njësoj si ai. Jemi shumë mirë, e kemi pranuar shumë mirë fenë. Ky asnjë problem. Unë qëkur jam martuar me burrin, unë i festoj festat ortodokse, por jo se më ka ndaluar ky që t’i festoj festat e mia, por unë veçse ia kam uruar familjes sime në telefon se unë nuk i kam festuar as Pashkët, as Krishtlindjet. Unë kam festuar festat që jetoj këtu me burrin tim, me familjen time. Kudo që shkoj e kam derën të hapur. Na mirëpresin gjithkund, na përshëndesin të gjithë, na respektojnë të gjithë. Unë jam shumë e kënaqur”, tha ajo.
Ivica Spasanoska e shoqëron nusen nga Shqipëria në çdo hap, duke e ndihmuar edhe në mirërritjen e fëmijëve.
“Unë për momentin punoj në Tetovë, në një dyqan për fëmijë. Shes rroba. Ky është gabimi im, se unë s’u kam folur fëmijëve asnjëherë shqip, veç maqedonisht. Por kur kam shkuar te mamaja, se kam shkuar për të ndenjur te mamaja, kanë mësuar fëmijët shumë mirë. Por tani mamaja, babai me familjen kanë shkuar të gjithë në Itali. Nuk jemi parë aq shpesh e nuk e flasin, por e kuptojnë, por shumë pak”, tha ajo
Historia e Mirës është njëra anë e medaljes, pasi siç thotë ajo, shumica e grave të tjera të ardhura nga Shqipëria, jetojnë në skllavëri, pa u lejuar të punojnë, pa u lejuar të flasin shqip, pa u lejuar të jenë të lira. Në shumë raste, këto gra të martuara me mblesëri, janë përballur me surpriza aspak të këndshme, kur natën e parë të martesës kanë parë se burri i tyre nuk ishte ai që i kishin treguar në fotografi. Të tjera, janë martuar formalisht, duke jetuar vetëm me prindërit e bashkëshortëve të tyre.
“Ka shumë vajza që janë shumë mirë, ka disa vajza që janë shumë keq, gjithsesi janë adaptuar, kanë mësuar gjuhën, normale kanë pranuar familjen, jetën, burrat, vendin. Eh, shumë, shumë ka. Në përgjithësi ashtu janë njohur. Në përgjithësi, si i thonë në Shqipëri, shkesët i kanë njohur. Ka shumë që edhe i kanë gënjyer, i kanë treguar një burrë tjetër prej këtej, i kanë çuar një burrë tjetër prej këtej. Kur ka ardhur, ka marrë vëllanë e tij që është nuk e di se sa vite më i vjetër”, tha Maria
Report Tv zhvendoset në një tjetër grua shqiptare e martuar në Maqedoninë e Veriut. Kur i kishin thënë se do të martohej në Maqedoninë e Veriut, Mariana as që e kishte menduar se nuk do të donte me kurrë të kthehej në Shqipëri. Burrat maqedonas, thotë ajo, i trajtojnë mirë gratë. Ajo punon në një ëmbëltore, ndërsa tregon se është e lirë që të festojë festat e saj fetare dhe t’u flasë në shqip fëmijëve.
“Unë jam nga Peshkopia. Kam 11 vite martesë, kam 2 vajza. Kam një martesë të shëndetshme. Ne jemi njohur pak me dashuri, pak me shkuesi, në një dasmë. Aktualisht unë punoj në këtë ëmbëltoren, ëmbëltore “Europa 92”. Ka vajza që i ka dhënë i ati p.sh., e ka martuar vajzën 18 vjeçe, burri ka qenë 20 vite më i madh”, tha Mariana
Por, Mariana u jep një mesazh të gjitha vajzave të kenë kujdes dhe të mos martohen vetëm me fotografi.
“Asnjëherë, pa pasur garanci, pa u njohur të paktën 2-3 muaj, sepse unë me burrin tim jam njohur 3 muaj, d.m.th. kam pasur lidhje me të, vinte e shkonte. Kurrë të mos e bëjnë sepse jeta është e vështirë. Në radhë të parë nuk di gjuhën, në radhë të dytë pastaj njerëzit. Ne jemi rritur në Shqipëri, në një vend të rritesh edhe prapë del”, ishte këshilla e saj.
Edhe Verës nga Lezha i ka shkuar jeta mirë. E martuar me mblesëri, ajo thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi në fshat nuk kishte djem të rinj.
“Unë kam 18 vite që jetoj këtu në Maqedoni, edhe jetoj shumë mirë. Jam nga Lezha. E kam pasur pak të vështirë gjuhën, se asnjë gjë tjetër s’e kam pasur të vështirë. Gjuha ishte pak e vështirë, por kisha shumë ndihmën e burrit, të vjehrrës, të kunatës që e kam shqiptare edhe kështu që m’u lehtësua pak. Mua më njohu një grua nga Rrënxat e Bushatit dhe tha: a do që të të martoj këtu në Maqedoni? Edhe thashë: mirë, do të shohim. Edhe kështu që fati paska qenë të vija këtu” , tha Vera, një tjetër nuse shqiptare e martuar në Maqedoninë e Veriut.
Burri i punon bukëpjekës, ndërsa Vera thotë se ai e ndihmon, duke e pasur në krah në çdo hap të jetës së tyre mbi dy dekada të martuar...
“Rrobaqepëse, në fabrikë punoj për këmisha. Burri është bukëpjekës. Kemi 2 fëmijë, djalë edhe vajzë, djali 17 vjeç, vajza 15 vjeçe. Flasim, por e vështirë është gjuha shqipe, më e vështirë sesa maqedonisht. Zgjodha pikërisht Maqedoninë sepse kemi qenë vajza të padala atje në Shqipëri. Shqipëria kështu e ka. Edhe këtu, të them të drejtën, nuk jam fare pishman, njeri i mirë, familje e mirë edhe shumë mirë jam. Është gjynah të ankohem”, tha Vera
Por pse burrat maqedonas preferojnë nuset shqiptare?
“Burrat maqedonas, do të të kallëzoj të drejtën, duan të martohen me të Shqipërisë. Ata duhet të rrijnë te shtëpia, ajo gruaja do të punojë. Ai mendon se e marr gruan nga Shqipëria unë dhe jam rehat, do të jetoj mirë edhe do të rri. Por nuk është ashtu. Kanë marrë gra këta, ka pak pengesa. E marrin edhe për dashuri, se ajo vjen për dashuri me burrin, por ka disa burra që vuajnë pak nga probleme. Ja si i kam duart unë nga puna, duke punuar, pa punë nuk ka”, tha Dragani.
Jo vetëm Dragani, por edhe burra të tjerë maqedonas të pyetur nga Report Tv, janë në një mendje kur thonë se vajzat shqiptare janë të pastra, të sjellshme dhe bashkëshorte e nëna mjaft të mira.
“Tani, të Shqipërisë janë më punëtore se vajzat e Maqedonisë. Janë shumë shtëpiake, se maqedonaset. Edhe punojnë, e mbajnë shtëpinë, familjen e ndihmojnë shumë. Unë fatin e kam pasur nga Shqipëria dhe jam i kënaqur. Me gruan jemi njohur më 2001. Më 2001 pati pak luftë në Maqedoninë e Veriut edhe e kam marrë me shkuesi, se ka pasur një kushërirë nga Lezha këtu edhe ajo ma ka bërë gruan. Me para jo. Me para s’e kam marrë gruan. E kam parë gruan, e kam marrë me dashuri,” tha Dragani.
Dragani ka mësuar prej vitesh të flasë shqip dhe ndihet mjaft i lumtur me jetën që ka bërë. Vetë merret me bujqësi, ndërsa bashkëshortja nga Lezha i punon në një qendër tregtare. Fëmijët nuk dinë shqip.
“Gruaja ime e ka emrin Marjana, është e fesë katolike, nga Shqipëria, se e dini ju që ka edhe katolikë në Shqipëri. Ajo është e fesë katolike, unë jam i fesë sllave. Ne jetojmë mirë. Kemi 2 fëmijë, një djalë, një vajzë. Fëmijët do të mësojnë që të flasin shqip, do të mësojnë diçka. Që kur ka ardhur gruaja ime këtu jam shumë i kënaqur, di dhe punon gjithçka për shtëpi, për bujqësi. 8-vjeçaren e ka mbaruar në Shqipëri, por për shtëpi është flutur. Po, e ndihmoj. Edhe ajo më ndihmon mua, më pastron, më bën hyzmet, të gjitha. Jam i kënaqur. Merrem me bujqësi. jetojmë, do të të kallëzoj të drejtën, jo shumë mirë, por jetojmë. Ushqim ka, lekë nuk ka shumë, për të jetuar ka”, tha ai
Por burri maqedonas, është në dijeni të historive të tjera që nuk kanë përfunduar mirë. Martesat kundrejt një pagese kanë shkua me probleme sipas tij, dhe shumë nuse shqiptare nuk trajtohen ashtu sikundër ai trajton bashkëshorten e tij.
“Kanë marrë gruan nga Shqipëria me lekë. E paguajnë. 2 000 euro do të marrë gruan, por kanë shkuar dhe më pas kanë ikur”, tha ai.
Martesa e Draganit, u bë shkas që të lidhej edhe një tjetër martesë.
“Erdha në një gosti te motra, në festë si i thonë, edhe më pëlqeu. Erdhi aty për të më parë. Edhe mua më pëlqeu, edhe këtij i pëlqeva dhe ndenja. E ka zgjedhur zoti, janë punët e zotit, se ne nuk erdhëm për t’u martuar. Por rastësisht, këtu paska qenë fati dhe këtu u ndala. Unë erdha për të ndenjur te motra 2-3 javë me nënën, se ishim të dyja bashkë, edhe të ktheheshim prapë. Më pëlqeu edhe ndenja. As nuk kam ndenjur me zor, as më ka bërë kush presion që do të rrish se s’bën. Kam ndenjur me dëshirën time”, tha nusja e Draganit.
Tërpçe, është shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë. Thotë se vajzat shqiptare janë shumë punëtore, të edukuara dhe pa fjalë.
“Janë vajza të bukura, janë vajza të mira, janë vajza shtëpiake, me tradita, me të gjitha gjërat. Janë femra të bukura. Nuk mund të flasim asnjë fjalë të keqe për gratë shqiptare. Janë njerëz të mirë, njerëz të bukur, me shpirtin, me zemrën, me të gjitha gjërat, me shtëpinë, me pastrimin, me bukën, me të gjitha gjërat. Gjen njerëz të bukur, femra të bukura”, tha Tërpçe.
Fëmijët ende nuk e kanë dyshtetësinë, por Tërpçe thotë se do ta realizojë sa më shpejt. Emigrimi sezonal për një jetë më të mirë nuk i ka lënë kohën e duhur që të merret me dokumentacionet.
“Edhe vetë kur jemi në Shqipëri, kur rrimë atje, flasim vetëm shqip. Fëmijët e kuptojnë çfarë flasin gjyshi e dajat, hallat, tezet, të gjithë, por nuk munden të flasin shqip. Kuptojnë gjithçka, po. Do të flasin nga pak, do t’i mësojmë. Mendojmë që të marrim edhe nënshtetësinë në Shqipëri. Nuk shohim vetëm interesat ekonomike dhe mendojmë që më vonë edhe flitet që Shqipëria do të jetë më përpara se Maqedonia në BE, edhe në NATO është përpara dhe mendojmë që një ditë të marrim edhe pasaportë shqiptare, që ta kemi edhe unë, edhe gruaja, edhe fëmijët. Normale që edhe Shqipëria është shteti ynë, edhe Maqedonia. Jemi tani bashkë dhe e duam edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Bërvënicës, Enver Pajaziti, na thotë se në këtë zonë, rreth 70 nuse kanë ardhur nga Shqipëria. Mblesëria, martesa kundrejt pagesës janë disa nga mënyra kryesore sipas tij për lidhjen e jetës mes nuseve shqiptare dhe burrave maqedonas.
“Në komunën të cilën e drejtoj unë, komuna e Bërvënicës, në fshatrat përreth ka shumë vajza nga Shqipëria që janë martuar dhe ne përafërsisht kemi një numër që mund të arrijë deri në 70, por janë të shpërndara në të gjitha këto fshatra që janë brenda komunës”, tha Enver Pajaziti, kryetar i Komunës së Bërvënicës.
Pajaziti rrëfen se shumë grave nuk u ka shkuar jeta mirë, dhe për këtë arsye, ato as që e marrin guximin për t’u ankuar. Por, kryetari i Komunës mundohet të bëjë më të mirën, duke rendur shtëpi më shtëpi, e duke u ofruar ndihma.
“Është e vërtetë se ka nga ato të cilat kanë jetë të mirë, por varet edhe nga fati që kanë pasur për të takuar djem të mirë. Ka edhe nga ato të cilat kanë probleme, edhe sociale, edhe të tjera, që është prapë punë fati. Por për fat të keq, një numër i madh i atyre grave që janë martuar këtu, varësisht nga mënyra se si kanë ardhur, kanë ardhur me vetënjohje apo me ndërmjetësi, sepse në opinion qarkullojnë shumë ide se si është bërë kjo lloj martese nga Shqipëria në Maqedoni edhe në momentin që kanë ardhur në ato shtëpi, në ato familje, janë pajtuar me fatin. Normal që jeta bën të vetën, është punë bashkëjetese, fëmija. Kjo i lidh njerëzit, por ka edhe nga ato që kanë jetë të rëndë, të vështirë, bëjnë punë fizike, por varet edhe nga niveli i shkollimit. Ato, të cilat kanë pasur një nivel shkollimi, që kanë pasur mundësi të gjejnë një punë të mirë ose familjarët e tyre, burri apo dikush ka një ekonomi të shëndoshë, ato janë më mirë. Por sidoqoftë, kjo është një histori që nganjëherë është edhe e dhimbshme sepse kemi shumë raste që kemi dëgjuar se çfarë ka ndodhur. Nga informacionet e mia që kam, të gjithë fëmijët e atyre çifteve janë të sistemuar, shkojnë në shkollë. Këtu e kemi shkollën, është shumë afër. Shkojnë në çerdhe ata që janë për çerdhe. Do të thotë që në atë aspektin institucional është në rregull. Është edhe një popullatë e përzier, komunë multietnike, që sipas statistikave jemi 60 me 40, 60 shqiptarë, 40 maqedonas, por popullatë rezidente dhe jorezidente, shumica janë maqedonas sepse shqiptarët kanë emigruar shumë. Por kemi një fat të mirë, janë njerëz të vlefshëm, njerëz punëtorë. Emigrantët tanë vijnë vendlindje, investojnë në vendlindje dhe në aspektin ekonomik e kanë ndihmuar shumë vendin, edhe në aspektin lokal edhe në atë nacional. Do të thotë që shqiptarët që punojnë andej nëpër Evropë dhe në vende të tjera, janë një potencial i mirë i mirëqenies ekonomike edhe të vetë vendit, edhe të shoqërisë në përgjithësi, të shtetit”, tha Pajaziti.
Report Tv tentoi të takonte gra që janë të zhgënjyera me realietin, që nuk trajtohen mirë, e që nuk kanë të drejtë madje as të përdorin gjuhën shqipe. Frika nga dhuna e bashkëshortëve, e bëri të pamundur një komunikim të tillë. Pajaziti rrëfen se këto gra detyrohen të pranojnë realitetin, pasi nuk kanë se ku të kthehen.
Bërvënica nuk është fshati i vetëm në Maqedoninë e Veriut, ku nuset shqiptare kanë vendosur të martohen me shtetas maqedonas, një tjetër fshat është edhe Kërçova, Blaca, Tenova etj. Largohemi nga Bërvenica me shpresën se kur të rikthehemi, do të mund të risjellin histori gjithnjë e më pozitive, e ku gratë shqiptare dhe të çdo etnie të mund të kenë më shumë të drejta.
Un mendoj se kto vajza nuk Jan shqiptare kako shprehje esht mendim personal
Përgjigju… edhe delet e “perendise “ duhet martuar, si mbartes te organit riprodhues, evolucioni alla shqipo!
PërgjigjuVajzat shqiptare i shesin tek sllavët për buk goje, ta q... Pushtetin e pështirë
Përgjigju