Shprehja shkoi vapa me gushtin nuk do të vlejë për demokratët, të cilët të ndarë në 3 kampe, rikthimin në parlament më 4 shtator do ta kenë me hallet e vjetra se kush ka dominancën në grupin parlamentar dhe sesi do të ndahen deputetët mes Sali Berishës, Lulzim Bashës e Gazment Bardhit.
Më të vështira, pozitat i ka Sali Berisha, i cili pas dy vitesh i përjashtuar nga grupi parlamentar, tashmë pas vetes me një grup deputetësh të përjashtuar po mendon të formojë grupin e tij në Kuvend.
Skenarët janë 2. Ose ai të formojë grupin parlament vetëm me deputetët e përjashtuar nga PD e të bashkojë rreth këtij grupi edhe deputetët e Partisë së Lirisë, ose të marrë edhe ata deputetë mbështetës të Rithemelimit, që aktualisht figurojnë deputetë të PD zyrtare.
Në çdo rast, grupi i Berishës pritet të drejtohet nga Oerd Bylykbashi, i cili është nënkryetar i Rithemelimit dhe sipas statutit, zgjidhet automatikisht kryetar i grupit parlamentar.
Lulzim Basha është më komod dhe më i qartë, pavarësisht se numri i deputetëve në krah të tij është reduktuar përgjatë viteve betejë në PD, e sidomos me krisjen e fundit me kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhin. Pavarësisht garës për deputetë, Basha ka devijuar prioritetin në nisje të sesionit të ri të Kuvendit, tek kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për fondet e IPARD.
Shtatori në parlament me ndryshime gjen edhe socialistët, grupi të cilëve në sesionin e ri do të drejtohet nga Bledi Çuçi.
Ndërkohë zhvillime të rëndësishme palët presin edhe përtej oborrit të parlamentit.
PD nën drejtimin e Lulzim Bashës mbledh të shtunën e 2 shtatorit Këshillin Kombëtar ndërsa Edi Rama Asamblenë, ku me gjasë ndryshime do ketë edhe në kabinetin qeveritar.