Foto ilustruese

Beteja për uljen e kredive të këqija

6 Dhjetor 2018, 07:28| Përditesimi: 6 Dhjetor 2018, 07:29

  • Share

“Kredi të këqija” quhen huatë me probleme që japin bankat dhe që, me kalimin e kohës, i humbasin, pasi bizneset apo individët që i kanë marrë, nuk kanë asnjë mundësi t’i shlyejnë. Pak kohë më parë, banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, në konferencën e saj vjetore, kumtoi se pesha e kredive me probleme në të 14 bankat tregtare të vendit u përgjysmua, ra në 12.9 për qind me totalin, në krahasim me 4 vjet më parë. Kjo duhet të na gëzojë të gjithëve. Prania në sistemin tonë bankar të një të katërtës së kredive me vështirësi apo pa shpresë kthimi përbënte një minë me sahat që mund të shpërthente në çdo kohë. Me forcën e një supernove! Huatë e këqija mund të bllokojnë rritjen ekonomike të vendit, pse frenojnë e gati edhe bllokojnë kreditimin e ekonomisë.

Ka një lidhje shkak-pasojë mes huave me probleme dhe financimit të qytetareve dhe bizneseve, proces i cili hyn në një rreth vicioz. Nga njëra anë, mosfinancimi i ekonomisë nuk sjell likuiditet (para kesh), investime dhe kërkesë konsumatore). Nga ana tjetër ai rrit vështirësitë në gjendjen e likuiditetit(parave të thata) të klientëve të bankave (qytetarë dhe biznese) dhe përkeqëson e komprometon aftësinë e tyre shlyese, paguese në banka, duke ushqyer kësisoj akoma dhe më shumë stokun e huave me probleme. Kjo gjendje, krahas bllokimit të aktivitetit kreditues për ekonominë, ul fitimin e bankave dhe rrit kërkesat për kapital, duke i detyruar bankat të zgjedhin një alternativë investimi me më pak rrezik, sikurse janë letrat me vlerë të Thesarit të Shtetit. Në këtë mënyrë, fondet aq shumë të nevojshme e të dosmosdoshme për të kredituar bizneset dhe qytetarët nuk kalojnë tek ata.

Ishte një situatë vërtetë shpërthyese viti 2014. Niveli ynë i kredive të këqija në sistemin bankar, me 24.4% e totalit të huave, ishte më i larti në Evropë. Në një kohë që vende të krahasueshme me ne për nga fuqia blerëse, e kishin p.sh. Maqedonia as 1 përqind (0.8%) të totalit, kurse Mali i Zi më pak se 7%. Në Azi, vetëm Kazakistani e kishte më të lartë se ne, me 36,7%, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Niveli i kredive të këqija u përgjysmua si rezultat i planit të masave që zbatoi gjatë viteve të fundit banka jonë qendrore. Ka qenë një betejë e vazhdueshme, gati ditore me korrupsionin e shumë strukturave zbatuese të pengjeve të kredive, me përpjekjet për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe me stresin e pasigurinë e bankave tregtare. Plani i zbatuar, ndër të tjera, përfshiu fshirjen e një shume të konsiderueshme të këtyre kredive me probleme(rreth 300 milionë euro) nga bilancet e bankave, duke filluar nga viti 2015. Kjo masë ishte një çlirim i mirëfilltë stresi dhe kapitali për të 14 bankat tregtare të sistemit tonë. Ato detyroheshin të mbanin fonde garancie (kontingjenca) për këto 300 milionë euro hua, edhe pse për shumicën e këtyre parave nuk kishin shpresë se do t’u ktheheshin. Mbajtja e miliona e dhjetëra miliona eurove si fonde të ngrira garancie u lidhte duart bankave dhe u pakësonte kapitalin që mund ta vinin në punë për të dhënë hua për ekonominë.

Krahas pastrimit të bilanceve bankare nga kreditë e këqija, banka jonë qendrore ndihmoi me përshpejtimin e disa reformave kyçe për gjallërimin e kreditimit tek ne, që kanë të bëjnë me fuqizimin e strukturave publike dhe private të përmbarimit. Përmbarimi është një shërbim jetësor për bankat. Ai ekzekuton(kryen) kolateralin, pengun në formën e një prone të paluajtshme (apartament, tokë, dyqan, etj.) që huamarrësi i lë bankës si garanci për paratë që ajo i jep  Nëse funksionon mirë ai, bankat mund të rekuperojnë në një sasi të konsiderueshme dhe në kohë një pjesë të parave të humbura nga kreditë e këqija.

Reformat e kryera në këto vitet e fundit, sidomos kuadri ligjor i përmirësuar dhe plotësuar, por edhe futja në treg e shumë kompanive private përmbaruese, e kanë fuqizuar shërbimin e përmbarimit dhe kufizuar korrupsionin e paaftësinë në rradhët e përmbaruesve, duke sjellë profesionistë të vërtetë në këtë treg. Bankat tani ndihen më të sigurta se kolaterali do të ekzekutohet në kohë dhe humbjet e tyre do të jenë minimale.

E gjitha kjo është një ogur i mirë për sistemin tonë bankar dhe shanset për të dhënë më shumë kredi për ekonominë funksionale, sidomos në lekë, për të sjellë mbështetjen financiare të ideve konkrete dhe krijuese për biznes të sipërmarrësve dhe qytetarëve dhe mundësuar shanse të barabarta e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për të gjithë shqiptarët.        

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?